Kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy diskutuan për bisedimet e fundit të paqes në Abu Dhabi dhe ranë dakord mbi nevojën për “paqe të drejtë dhe të qëndrueshme” në Ukrainë, transmeton Anadolu.
Në një telefonatë të martën, Starmer shprehu mbështetjen e tij për Zelenskyyn dhe popullin ukrainas dhe diskutoi për “situatat e dëshpëruara” me të cilat përballen shumë familje, përfshirë mungesën e ngrohjes ose energjisë elektrike, gjatë temperaturave të ulëta të dimrit, tha sot zyra e tij në një deklaratë.
Zelenskyy përshëndeti njoftimin e Mbretërisë së Bashkuar për 20 milionë paund (27.5 milionë dollarë) në mbështetje për infrastrukturën energjetike në fillim të këtij muaji.
“Udhëheqësit diskutuan mbi progresin e bërë gjatë bisedimeve të fundit të paqes në Abu Dhabi dhe ranë dakord mbi nevojën për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”, thuhet në deklaratë.
Me ndërmjetësimin e SHBA-së, më 23-24 janar Rusia dhe Ukraina zhvilluan në Abu Dhabi dy ditë konsultime me qëllim përfundimin e luftës në Ukrainë, e cila filloi në shkurt 2022. Administrata amerikane i ka përshkruar bisedimet si “konstruktive”.
Sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, raundi tjetër i bisedimeve të paqes të ndërmjetësuara nga SHBA-ja është planifikuar për javën e ardhshme, përsëri në Abu Dhabi.
Starmer tha se Britania do të vazhdojë të punojë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për të mbështetur sigurinë e Ukrainës dhe e informoi Zelenskyyn mbi vizitat e tij të ardhshme në Kinë dhe Japoni.
