1. Kur analizon çfarëdo çështje politike, përpiqu të përdorësh mendjen, jo zemrën.
Politika është vendi ku interesat lëvizin, ku fjalët mund të jenë mjegull dhe buzëqeshjet maska.
Analizo me mendje të ftohtë, sepse vetëm atëherë mund ta dallosh drejtësinë nga manipulimi, interesin kombëtar nga interesat personale, dhe të vërtetën nga propaganda.
Zemra le të të udhëheqë në qëllime… por mendja duhet të të udhëheqë në gjykim.
2. Në analizën politike nuk ka as shenjtërim, as poshtërim.
Politika nuk është fe që të adhurosh figurat e saj, dhe as betejë personale që të urresh çdo kundërshtar.
– Mos i kthe liderët në profetë,
– E as kundërshtarët në djaj.
Në fund të fundit, qëllimi nuk është të bëhesh tifoz, por të kuptosh çfarë po ndodh dhe pse.
3. Çdo gjë në politikë është në zhvillim të vazhdueshëm dhe kjo kërkon qëndrime që përshtaten me realitetin dhe zhvillimet e reja, e jo të mbesin të ngrira.
Nuk është dobësi të ndryshosh mendim.
Dobësi është të mbetesh rob i një qëndrimi të vjetër, ndërkohë që faktet dhe rrethanat kanë ndryshuar krejtësisht.
Në politikë, aleancat ndryshojnë, rreziqet ndërrojnë formë, prioritetet përshtaten me kohën.
Prandaj, edhe pozicioni yt duhet të bazohet në analizë të re, jo në besnikëri të verbër.
Sepse mendja e gjallë rishikon, pyet, analizon ndërsa mendja e fjetur vetëm përsërit.
Nga: Hoxhë Halil Avdulli
