Ballina Artikuj “Unë jam njeri, sepse gaboj.”

“Unë jam njeri, sepse gaboj.”

Hoxhë Halil Avdulli

Një thënie e thjeshtë, por e ngarkuar me kuptim. Edhe më e thellë është fjala e Profetit ﷺ: “Çdo bir i Ademit është gabimtar, dhe më të mirët nga gabimtarët janë ata që pendohen.” (Tirmidhiu, Ibn Maxhe)

Ky hadith na jep një dritë të veçantë mbi natyrën njerëzore: gabimi nuk është vetëm i pashmangshëm, por edhe pjesë e qenies sonë. Allahu na ka krijuar me mundësinë për të gabuar, që të na hapë dyert e pendesës dhe të na mësojë përulësinë. Sikur të mos gabonim, do të mendonim se jemi engjëj të pagabueshëm, ndërkohë që Zoti na ka dashur njerëz me zemër të thyeshme dhe shpirt që ka nevojë për falje.

Gabimi është tipari unik që dallon njeriun nga të gjitha qeniet e tjera të gjalla. Sepse gabim mund të bëjë vetëm një qenie e lirë, me vullnet dhe vetëdije, që mund të vendosë, të flasë, të guxojë dhe të rrezikojë me fjalët dhe veprimet e saj. A mund të themi se kafshët gabojnë? Jo, sepse ato nuk kanë vetëdije morale e përgjegjësi hyjnore. Edhe engjëjt, sipas Kuranit, nuk gabojnë: “Ata nuk e kundërshtojnë Atë në atë që Ai u urdhëron, por bëjnë atë që u urdhërohen.” (Tahrim, 6).

Ndaj, vetëm njeriu ka këtë privilegj: ai mund të gabojë, por mund edhe të zgjedhë të kthehet, të reflektojë e të kërkojë falje. Kjo është esenca e robërisë ndaj Allahut – të pranosh dobësinë dhe të kërkosh strehim tek Ai.

Gabimi është i rëndësishëm, sepse na jep mundësinë të kërkojmë falje. Me fjalë të tjera, na lejon të jemi njerëz. Përmes tij hapet rruga për përvoja thelbësore: pendesa, reflektimi, rishikimi i vetes, korrigjimi i sjelljes, kërkimi i zgjidhjeve për t’i kthyer gjërat në shinat e duhura. Por më e bukura është se pendesa nuk është thjesht korrigjim, por një akt dashurie ndaj Zotit: kthim tek Ai me zemër të thyer, dhe ky është çasti ku mëshira e Tij shfaqet më shumë.

Kështu, gabimi bëhet porta drejt një marrëdhënieje më të thellë me Allahun, dhe falja bëhet ura e shpëtimit tonë.

Exit mobile version