Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Zelenskyy: Po zhvillohen bisedime me Trumpin për vendosjen e mundshme të trupave...

Zelenskyy: Po zhvillohen bisedime me Trumpin për vendosjen e mundshme të trupave amerikane në Ukrainë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar se po zhvillon bisedime me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për vendosjen e mundshme të trupave amerikane në Ukrainë si pjesë e garancive të sigurisë, transmeton Anadolu.

Duke folur për gazetarët, sipas agjencisë së lajmeve ‘Ukrinform’, Zelenskyy tha se çdo vendim lidhur me dislokimin e forcave amerikane do të merrej ekskluzivisht nga lidershipi i SHBA-së, duke theksuar se këto trupa do të ishin nën autoritetin e Washingtonit.

Ai tha se diskutimet po vazhdojnë si me Trumpin, ashtu edhe me përfaqësues të një koalicioni më të gjerë.

“Kjo mund të konfirmohet, për të qenë i sinqertë, nga presidenti amerikan. Këto janë trupa të SHBA-së dhe për këtë arsye është Amerika ajo që merr vendime të tilla,” tha Zelenskyy, duke shtuar se çështja po diskutohet me homologët amerikanë.

Zelenskyy tha se Ukraina do të dëshironte të shihte trupa amerikane në territorin e saj si një garanci sigurie, duke e përshkruar një hap të tillë si një pozicion të fortë për garantimin e sigurisë së vendit.

Deklaratat e presidentit ukrainas vijnë në një kohë kur Ukraina po intensifikon koordinimin diplomatik me partnerët perëndimor.

Ai njoftoi se këshilltarët e sigurisë nga Koalicioni i Vullnetarëve pritet të mblidhen në Ukrainë më 3 janar për të harmonizuar prioritetet e mbrojtjes, të ndjekura nga bisedime në nivel udhëheqësish të planifikuara për më 6 janar në Francë.

Zelenskyy tha se Kievi është në kontakt të vazhdueshëm me SHBA-në dhe falënderoi ekipin e Trumpit për angazhimin në negociatat e ardhshme, pas takimit të tij të fundit me presidentin amerikan në Florida dhe komenteve pasuese të Trumpit për presidentin rus, Vladimir Putin, të cilat presidenti ukrainas më vonë i hodhi poshtë në një intervistë për mediat amerikane, duke theksuar nevojën e Kievit për mbështetje të vazhdueshme amerikane me raketa dhe mbrojtje ajrore.

Exit mobile version