Ballina Artikuj A mund të zbatohet sheriati islam?

A mund të zbatohet sheriati islam?

Një pyetje që e shtrojnë shumë njerëz, nën ndikimin e diskursit që ndan fenë nga jeta e përditshme. Disa prej tyre mendojnë se sheriati është jashtë kohës dhe hapësirës, prandaj nuk mund të zbatohet. Të tjerë mendojnë se ai duhet patjetër të zbatohet, për shkak të lidhjes së tij me fenë tonë me të cilën i përkushtohemi Allahut; sepse zbatimi i sheriatit është zbatim i dispozitave të Allahut që Ai na i ka obliguar, dhe nëse nuk i zbatojmë këto dispozita, atëherë jemi mëkatarë tek Allahu në Ditën e Kijametit.

Megjithatë, ajo që është e përbashkët mes dy palëve, pavarësisht largësisë mes tyre, është se ata e shohin sheriatin thjesht si zbatim të “kufijve dhe ndëshkimeve” ndaj mëkatarëve, si vrasja e vrasësit, prerja e dorës së vjedhësit dhe rrahja e kurorëzuesit të paligjshëm, që janë çështje të përmendura në Kuran.

Kështu, ata që e refuzojnë zbatimin e sheriatit e konsiderojnë se këto dispozita kanë kaluar kohën e tyre dhe nuk mund të zbatohen më, duke u bazuar në një qasje moderne që nuk i jep vend fesë në jetën praktike. Ndërsa ata që kërkojnë zbatimin e tij, edhe pse me bazë islame, shpesh e kufizojnë sheriatin në të njëjtën kuadër të kufijve dhe ndëshkimeve, të cilat modernistët i kundërshtojnë plotësisht.

Ndërkohë, sheriati është shumë më i gjerë se kaq. Po të angazhohej umeti me qëllimet dhe urtësitë e sheriatit dhe të interesohej për pjesët e tjera të dispozitave islame, do të mbizotëronin drejtësia, liritë, solidariteti shoqëror dhe do të forcoheshin marrëdhëniet sociale, duke filluar nga rregullat familjare që nuk kufizohen vetëm në të drejta dhe detyra, por shtrihen në dashuri, dhembshuri dhe mëshirë:
“Dhe nga shenjat e Tij është se ju krijoi bashkëshorte nga vetja juaj që të gjeni prehje tek ato, dhe vendosi mes jush dashuri dhe mëshirë”[1]

Dhe deri te marrëdhëniet njerëzore në përgjithësi, të cilat bazohen në parimin themelor të nderimit të njeriut: “Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit…”[2]

Prandaj, mund të thuhet se konflikti qëndron mbi një çështje të paqartë mes tyre: ata flasin për diçka që nuk e përfaqëson realisht kuptimin e sheriatit. Prandaj diskutimi zhvillohet rreth një koncepti që nuk është kuptuar si duhet, sidomos në një kohë kur njerëzit vërejnë zhvillimet globale në sistemet ligjore, të drejtat e njeriut dhe liritë.

Shoqëritë që respektojnë veten, falë respektit ndaj ligjit dhe zbatimit të tij mbi të gjithë, nuk pranojnë diçka që nuk e kuptojnë ose që nuk mund ta justifikojnë me argumente të qarta.

Dhe unë, përballë këtyre dy qëndrimeve, them me sinqeritet dhe qetësi: po, sheriati islam mund të zbatohet. Por para se njerëzit të pajtohen me këtë përgjigje të shpejtë, duhet të kuptojnë çfarë është sheriati islam, kush e zbaton dhe si zbatohet.

Një nga gabimet më të shpeshta dhe më të rrezikshme që bën umeti në lidhje me zbatimin e sheriatit është kufizimi i tij vetëm në vendosjen e ndëshkimeve, sikur sheriati të mos ketë sjellë asgjë tjetër përveç tyre. Madje shumë njerëz mendojnë se zbatimi i ligjit të Allahut nënkupton vetëm këto dënime. Kush ka jetuar në vitet 60, 70 dhe 80, ka dëgjuar pretendimin se Arabia Saudite është shteti i vetëm islam në botë, sepse pret dorën e vjedhësit dhe ndëshkon kurorëzimin e paligjshëm duke e reduktuar kështu sheriatin në vetëm këtë aspekt.

Por e vërteta është se zbatimi i sheriatit nuk kufizohet në ndëshkime. Ai përfshin çdo gjë që lidhet me njeriun dhe lëvizjen e tij në ekzistencë, sepse njeriu në këndvështrimin islam është përgjegjës para Allahut për gjithçka që bën në jetën e tij. Madje edhe vetvetja e tij nuk mund të trajtohet sipas dëshirës së tij:
“Shpenzoni në rrugën e Allahut dhe mos e çoni veten në shkatërrim…”[3]

Ndërsa ndëshkimet dhe “kisas”-i janë vetëm një pjesë e vogël e sistemit ligjor, që i përket së drejtës penale. Jeta nuk përbëhet vetëm nga ndëshkime. Krahas këtij sektori, ekzistojnë dispozita të shumta që lidhen me jetën në të gjitha aspektet: familjen, ekonominë, politikën, edukimin dhe marrëdhëniet njerëzore në përgjithësi.

Në tërësinë e tyre, këto dispozita kanë një natyrë ligjore dhe një natyrë fetare. Ana ligjore përfshin të drejtat e shoqërisë dhe të individëve, ndërsa ana fetare lidhet me të drejtën e Allahut në adhurime dhe çështje të besimit, si dhe me të drejtat e njerëzve që lidhen me drejtësinë, obligimet dhe interesat e tyre.

Qëllimi i tyre është realizimi i drejtësisë dhe lirisë, dhe rregullimi i jetës njerëzore në mënyrën më të drejtë dhe më të balancuar.

Ajo që e dallon zbatimin e sheriatit është se ai ka një dimension fetar adhurimi; domethënë është një sistem dispozitash që synon realizimin e interesave të njerëzve dhe shmangien e humbjes së tyre, dhe në të njëjtën kohë merr parasysh hallallin dhe haramin, sipas asaj që ka përcaktuar Allahu në Librin e Tij dhe në Sunetin e të Dërguarit të Tij (a.s), në gjithçka që Allahu e do dhe nuk e do. Sepse përkufizimi i “gjykimit sheriatik” është: “ligjërimi i Allahut që lidhet me veprimet e të ngarkuarve me përgjegjësi, në formë kërkese, zgjedhjeje ose lejimi”, pra urdhër, ndalim dhe opsion.

Pra, sheriati është tërësia e dispozitave të Allahut në gjithçka që lidhet me jetën e njeriut: adhurim, marrëdhënie, orientim, legjislacion, zbatim dhe autoritet; përfshin kufijtë, ndëshkimet dhe të tjera.

Allahu i Lartësuar thotë: “Jo, për Zotin tënd, ata nuk besojnë derisa të të marrin ty për gjykatës në mosmarrëveshjet mes tyre, pastaj të mos ndiejnë ngushtim në vetvete për atë që ke vendosur dhe të dorëzohen plotësisht”[4]

Kjo sepse ata janë besimtarë në Allahun dhe në Profetin Muhamed (a.s), prandaj nuk u takon të marrin gjykatës tjetër përveç Profetit Muhamed (a.s) sa kohë ai është mes tyre; përndryshe nuk do të konsideroheshin besimtarë të vërtetë. Prandaj, kush beson në Allahun dhe në Muhamedin (a.s), nuk ka të drejtë të gjykohet përveçse sipas tyre. Dhe kjo nuk vlen vetëm për mosmarrëveshjet që kanë mes tyre, por për çdo çështje në përgjithësi.

Gjykimi sheriatik që jemi të obliguar ta respektojmë dhe t’i kthehemi në çdo çështje të madhe apo të vogël është përgjigjja ndaj ligjërimit të Allahut në Kuran dhe ndaj haditheve të sakta të Profetit (a.s), si dhe ndaj përfundimeve që nxirren prej tyre nga dijetarët muxhtehidë të umetit; sepse tekstet në përgjithësi janë parimore, ndërsa detajet janë detyrë e dijetarëve. Kjo është e ngjashme me ligjet që vendosin shtetet, të cilat kërkojnë interpretim për zbatim dhe kjo është detyrë e gjyqtarëve, prandaj vendimi gjyqësor dhe ekzekutimi i tij konsiderohen pjesë e ligjit.

Zbatimi i sheriatit bëhet në tre drejtime: dispozitat fetare, dispozitat gjyqësore dhe dispozitat e adhurimeve.

Drejtimi i parë: dispozitat fetare

Shpesh hasim tek fukahatë shprehjen “ky gjykim është në aspektin fetar”. Këto dispozita lidhen me fenë e çdo personi të ngarkuar me përgjegjësi në shoqërinë myslimane, pra me marrëdhënien e tij me Allahun. Ai që i shpjegon fillimisht është juristi islam, por edhe vetë besimtari mund të jetë mbikëqyrës i vetvetes, pa pasur nevojë për një autoritet tjetër që ta qortojë.

Në shoqërinë myslimane, dispozitat fetare përfshijnë të gjitha fetë: myslimani gjykohet sipas Islamit, i krishteri sipas krishterimit dhe hebreu sipas judaizmit. Pra, zbatimi i sheriatit në shtetin islam nënkupton se jomyslimanët gjykohen sipas fesë së tyre dhe jo sipas sheriatit islam. Kjo është detyrë e autoritetit shtetëror që ka fuqinë e detyrimit dhe të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes njerëzve.

Drejtimi i dytë: dispozitat gjyqësore

Këto janë tërësia e rregullave që lidhen me organizimin e shoqërisë. Ato në thelb ndërtohen mbi një sistem ligjor të përbashkët të bazuar në të drejta dhe detyra. Prandaj, ky është një sistem juridik që zbatohet mbi të gjithë qytetarët e shtetit islam, pavarësisht dallimeve në bindje, fe apo zakone.

Ky aspekt i dispozitave është ligji që buron nga kushtetuta dhe nga legjislacioni që del prej saj, dhe përbën një pjesë të zbatimit të sheriatit në shtetin islam.

Drejtimi i tretë: adhurimet

Si namazi, agjërimi, haxhi dhe zekati; pra çdo gjë që Allahu e ka ligjëruar si ibadet. Edhe adhurimet e jomyslimanëve garantohen në shoqërinë myslimane.

Edhe pse adhurimi është përgjegjësi individuale, shteti ka përgjegjësi të lehtësojë kryerjen e tyre për njerëzit, edhe nëse ata nuk ndjekin fenë e shoqërisë ku jetojnë. Edhe kjo hyn në zbatimin e sheriatit islam, i cili urdhëron umetin të kujdeset për rregullimin e jetës së njerëzve.

Autor: Iltiham Mexhuri

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Rum: 21.

[2] – Sure Isra: 70.

[3] – Sure Bekare: 195.

[4] – Sure Nisa: 65.

Exit mobile version