Trupi lëviz, përkulet, bie në sexhde, murmurit fjalë të pastra, por vetëdija është krejtësisht e vdekur.
Nuk është hipokrizi, sepse nuk synon t’i mashtron njerëzit. Problemi qëndron në automatizim. Mendja e pavetëdijshme e ka kthyer namazin nga një takim madhështor me Zotin e Madhërishem në një zakon rutinor, që e kryen qendra nervore përgjegjëse për lëvizjet e pavullnetshme, si ngasja e makinës pa menduar.
Falje me kujtesë muskulore, jo me zgjuarsi të zemrës.
Pse falemi kaq mekanikisht?
E vërteta psikologjike, sado e frikshme, është kjo: ne shpesh nuk falemi për t’iu afruar Zotit, por për t’u çliruar nga ndjenja e fajit.
Shikon orën: “Ah, s’u fala!” Ngrihesh me nxitim, shtron sexhaden, i kryen me shpejtësi katër rekatet e drekës apo të ikindisë. Pastaj thua: “Elhamdulilah, mbarova.” U çlirova nga barra, nga pesha mbi supe.
Po flas për veten time para se të flas për ju.
Ndërgjegjja punon si një alarm i bezdisshëm që bërtet:
“S’u fale! S’u fale!”
Çfarë bën ti?
E merr namazin si një kapsulë qetësuese me efekt të shpejtë për ta heshtur atë zë.
“U fala. Mjaft tani.”
Nuk kërkon kënaqësinë hyjnore; kërkon heshtjen e brendshme.
Me këtë logjikë, namazi është bërë si një reklamë që ndërpret filmin tënd të këndshëm qe je duke shiquar. Shtyp butonin “skip ad” sa më shpejt që të mundesh, vetëm për t’u kthyer te kënaqësia.
Modaliteti: autopilot.
A të ka ndodhur të thuash “Es-selamu alejkum” dhe papritur të kuptosh se nuk mban mend nëse e lexove Fatiha-n apo jo?
Sa herë kemi dhënë selam dhe nuk dimë nëse u falëm katër apo pesë rekate?
Gjuha lexon automatikisht tekstet e mësuara, pa kaluar përmes kuptimit. Trupi kryen lëvizjet me shkathtësi, ndërsa mendja udhëton për të zgjidhur probleme pune apo për të planifikuar darkën. Trupi është “online”, i drejtuar nga Kibla, por shpirti është “offline”, në gjumë përballë pranisë së Zotit.
Si një pajisje që punon, por është e shkëputur nga rrjeti.
Mund ta quajmë: “zarfi bosh”.
Imagjino sikur çdo ditë i dërgon një mbreti të madh pesë letra. Zarfi është luksoz, pullat janë në vend, adresa është e saktë. Por kur mbreti e hap zarfin, gjen një fletë të bardhë, bosh.
Ashtu është namazi ynë: forma e jashtme është e saktë sipas fikhut: abdesi, drejtimi nga Kibla, mbulimi por përmbajtja e brendshme është bosh. As dashuri, as lutje, as pendim, as përulësi.
Çdo ditë dërgojmë pesë zarfe bosh, pastaj habitemi pse nuk ndryshon asgjë.
“Unë çdo ditë i dërgoj pesë letra Mbretit të Madh!”
Po, por nuk dërgove zemrën tënde. Dërgove vetëm zarfin.
E zarfi bosh vendin e ka në shportën e mbeturinave.
O Zot, mos na i hidh namazet tona në fytyrat tona Ditën e Kiametit.
