Ballina Artikuj Muaji i Ramazanit është revolucion kundër robërisë së zakonit

Muaji i Ramazanit është revolucion kundër robërisë së zakonit

Taha Sulejman Amir

Nuk është e lehtë për njeriun që të bjerë në mbrëmje në një gjendje dhe të zgjohet në mëngjes në të kundërtën e saj, sepse nefsi i njeriut mësohet me atë që gjen dhe e ka të vështirë ta ndryshojë gjendjen e vet. Zakoni fitohet me përsëritje dhe ka pushtet mbi nefsin.

Pengesa më e madhe në rrugën e thirrjes së të dërguarve (a.s) ishte pikërisht sundimi i zakoneve mbi moralin dhe mendësinë e popujve të tyre. Islami u soll me butësi me njerëzit në procesin e ndryshimit, duke i çuar ata hap pas hapi në legjislacionin e detyrimeve dhe ndalesave. Namazi, në fillim, u bë obligim nga dy rekate e dy rekate; zekati nuk u detajua menjëherë, por tekstet fillimisht nxitën dhënies e sadakasë në mënyrë të përgjithshme. Edhe ligjërimi i agjërimit u vonua deri në vitin e dytë pas hixhretit, si dhe disa detyrime të tjera.

Po ashtu, i njohur është edhe gradualiteti në ndalimin e alkoolit dhe kamatës.

Ajo që dua të them këtu është se agjërimi është një revolucion kundër zakoneve të përvetësuara dhe kundër prangave në të cilat disa njerëz e burgosin veten. Ai e përgatit njeriun të përballet me vetveten, që të bëhet i lirë dhe të mos sundohet nga një zakon prej të cilit nuk mund të çlirohet.

Allahu na ka krijuar të lirë, ka vendosur në ne aftësinë dhe vullnetin, dhe na ka dhënë mundësi të gjera për të zgjedhur mënyrën e jetesës sonë, pasi na e ka sqaruar rrugën, na ka udhëzuar dhe na ka treguar drejtimin e udhëzimit, na ka nxitur ta ndjekim dhe të qëndrojmë të palëkundur në të. Ai ka vendosur në rrugën e së vërtetës shenja, me të cilat udhëtarët orientohen, dhe na ka paralajmëruar nga ndjekja e rrugëve të humbjes e devijimit, duke na sqaruar përfundimet dhe pasojat e tyre, si dhe ka vendosur shenja në shtigjet e tyre.

“Që të shkatërrohet ai që shkatërrohet me provë të qartë, dhe të jetojë ai që jeton me provë të qartë. Dhe vërtet, Allahu është Dëgjues, i Gjithëdijshëm.”[1]

Qëllimi është që njeriu të jetë i aftë ta drejtojë veten, pa iu shpërdoruar aftësitë kundër vullnetit të tij.

Ne e vërejmë këtë në agjërim: kur myslimani ia ndalon vetes atë që dëshiron nga ushqimi, pija dhe epshi, për t’u afruar tek Allahu i Madhëruar, ai bëhet zot i vetes së tij; i aftë ta përmbajë, ta kontrollojë dhe ta drejtojë atë; i pathyeshëm ndaj dorëzimit përballë një dëshire apo zakoni që e robëron, ia dobëson vullnetin dhe ia shuan vrullin.

Mos ia jep çdo gjë që kërkon

Agjërimi na mëson të heqim dorë nga disa gjëra të lejuara, për të forcuar vullnetin, për të fuqizuar sundimin e shpirtit mbi trupin dhe për t’i ngritur kërkesat e nefsit në një nivel më të lartë.

Nga Abdullah ibn Amri (r.a) transmetohet se i Dërguari i Allahut (a,s) ka thënë: “Agjërimi dhe Kurani ndërmjetësojnë për robin në Ditën e Kiametit. Agjërimi thotë: O Zot, ia ndalova atij ushqimin dhe epshet gjatë ditës, prandaj ma prano ndërmjetësimin për të. Kurani thotë: Ia ndalova gjumin gjatë natës, prandaj ma prano ndërmjetësimin për të. Dhe atyre u pranohet ndërmjetësimi.”[2]

Nëse ti je i aftë të përmbahesh në zgjedhje nga ushqimi dhe pija jote e zakonshme, madje edhe gëzohesh për këtë, atëherë aq më tepër duhet të jesh i aftë të lësh disa nga kërkesat e nefsit dhe të kufizosh zhytjen e tepërt në gjërat e lejuara.

Kur Omer ibn Hatabi (r.a) pa se djali i tij kishte blerë mish, e pyeti: “Ç’është kjo?” Ai tha: “Mish që ma deshi nefsi.”Ai e qortoi duke thënë: “A çdo gjë që ta do nefsi e blen?!”, një sinjal i prerë për domosdoshmërinë e disiplinimit të konsumit.

Po ashtu transmetohet se Omeri (r.a) e takoi Xhabir ibn Abdullahun (r.a) me mish në dorë dhe e pyeti: “Ç’është kjo?” Ai tha: “O prijës i besimtarëve, më lindi dëshira për mish dhe bleva me një dirhem.” Omeri tha: “A nuk do ndonjëri prej jush ta mbledhë barkun e tij për hir të fqinjit apo kushëririt? Ku e çoni këtë ajet: “…I shijuat të mirat tuaja në jetën e kësaj bote dhe u kënaqët me to…”[3]

Rreziku më i madh që i kanoset njeriut në çdo kohë e vend është të bëhet rob i gjërave që e rrethojnë, kështu që timoni i kontrollit i del nga dora. Pasi ka qenë zot i vetes, bëhet një rrotë e vogël në një makineri që e lëviz sipas dëshirës së saj, jo sipas dëshirës së tij.

A nuk është e çuditshme që njeriu mbron lirinë dhe zgjedhjen e tij, por pastaj lidhet me prangat e materies me zgjedhjen e vet?!

Është çmenduria e konsumit, kur blerja bëhet për hir të blerjes dhe zotërimi për hir të zotërimit.

Makineritë e reklamës, së bashku me disa fusha të psikologjisë, kontribuojnë në zbukurimin e mallrave dhe produkteve të reja, duke krijuar lidhje të kushtëzuar mes produktit dhe fuqisë, kënaqësisë, rehatisë, lirisë, cilësisë, bukurisë… etj.

Një mik më tha: “Jam shndërruar vetëm në konsumator; nuk duroj dot të shoh diçka që më pëlqen pa e blerë.”

Dr. Abdulkerim Bekkar thotë: “Si pasojë e falimentimit shpirtëror të paprecedentë, njerëzit i zëvendësuan dëshirat dhe llojet e kënaqësive me lumturinë e zemrës dhe ndriçimin shpirtëror. Kur njeriu ndjeu boshllëk në bindje dhe përkatësi, u shndërrua në konsumator; ngritja e nivelit të jetesës u bë qëllimi më i madh i jetës, ndërsa përparimi ekonomik u kthye në idhullin e madh të epokës.”

Kur zotëron një numër të madh mallrash dhe produktesh për konsum personal, kjo të jep një ndjenjë epërsie ndaj të tjerëve dhe veçantie prej tyre, duke ta hapur gjerësisht rrugën për famë dhe për t’u shfaqur para të tjerëve.

Është kurthi i bollëkut, tundimi i pasurisë dhe sëmundja e luksit. Në thelb, është një shfaqje e boshllëkut psikologjik, tharjes shpirtërore, mendjelehtësisë dhe ndjenjës së mangësisë; kështu që njeriu përpiqet ta mbulojë atë me këto pamje mashtruese, sikur të vraponte si një kafshë e egër në shkretëtirë duke kërkuar mirazhin, por kurrë nuk e arrin qëllimin e tij.

Më pushton habia, e shoqëruar me neveri, kur shoh një artist, biznesmen apo të pasur të pamend që krenohet me një flotë makinash luksoze; një tjetër që nget një makinë të larë në ar; e dikush tjetër që blen një pikturë me dhjetëra miliona, ndërkohë që nuk dallon ngjyrat dhe nuk arrin të formulojë një fjali të saktë në gjuhën arabe… as në ndonjë gjuhë tjetër.

A nuk është kjo marrëzi në vetvete?

Këtë e prodhon boshllëku

Një burrë fisnik më telefonoi një ditë dhe më kërkoi të gjeja një të ri që të qëndronte në një radhë të gjatë për orë të tëra kundrejt 100 eurove. E pyeta: “Cila është natyra e kësaj detyre?”

Ai tha: “Së shpejti do të dalë në treg një version i ri i një telefoni, por pas dy ditësh do të shitet vetëm një numër i kufizuar.”

E çuditshmja është se disa të rinj flenë natën para dyqaneve për të siguruar atë version. Ky burrë dëshiron ta blejë si dhuratë për vajzën e tij.

U ndala një çast dhe thashë: Pse qindra të rinj qëndrojnë me orë të tëra në të ftohtë apo në vapë për të marrë këtë telefon?

Ata nuk qëndrojnë për të siguruar një punë me të cilën të ndërtojnë jetën e tyre! Nuk durojnë radhë të gjata para ambasadave për të realizuar ëndrrën e emigrimit nga vende ku mbizotëron papunësia, injoranca, varfëria dhe privimi!

Nuk qëndrojnë në radhë të gjata për të siguruar një copë bukë për të shuar urinë e fëmijëve të tyre!

Atëherë pse?… Pse?

Ç’është ky devijim që ka kapluar disa njerëz?

Kurani i Shenjtë na ka treguar për popujt e Adit, Themudit dhe për Faraonin, zotëruesin e shtyllave. Këta popuj ngritën ndërtesa madhështore që sfidonin malet, por ishin xhuxhë në shpirt dhe në lidhjen me Zotin e botëve. As dijet e tyre, as përparimi i tyre nuk u bënë dobi para Allahut.

Autor: Taha Amir

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Enfal: 42.

[2] – Ahmedi.

[3] – Sure Ahkaf: 20.

Exit mobile version