Ballina Artikuj Ese për natën e Kadrit

Ese për natën e Kadrit

Afroi fundi i Ramazanit. Në këto ditë të numëruara muslimanët braktisin shtretërit e tyre sikurse zogu folenë, por jo për ushqim. Janë braktisur për adhurim. Me shpresë të madhe të mbirë në kraharoret tona dëshirojmë shpërblimet e mëdha dhe faljen e pallogaritshme që fsheh në errësirën e natës këto çaste të jashtëzakonshme.

Siç Zoti dalloi Jusufin (a.s) ndër bijtë e Jakubit, dalloi Muhammedin (a.s) ndër bijtë e Ademit, dalloi Xhibrilin (a.s) ndër rradhën e pafundme të engjëjve, siç dalloi Kuranin ndër të gjitha Librat e tjerë, Ramazanin ndër 12 muajt ka dalluar dhe një natë të veçantë. Aq e veçantë është kjo natë saqë Allahu (xh.sh) e ruajti sekret për njerëzit. Profeti i njerzisë, Muhammed Mustafaja (a.s) na ka këshilluar që ta kërkojmë këtë natë në 10 ditëshin e fundit të Ramazanit. Na tregoi shenjat për ta gjurmuar atë natë. Zoti e ka nderuar këtë natë me qetësi, paqe dhe bukuri të veçantë . Aq e vlefshme është kjo natë sa vetë engjëjt e Allahut (xh.sh) zbresin nga qiejtë e lartë për shenjtërinë e kësaj nate madje edhe vetë Xhibrili (a.s), kryeengjëlli zbret vetëm në këtë natë në shpinën e kësaj toke. Ofroji një njeriu një pagë shumë të madhe me qëllim që për 10 ditë ta shtojë punën e tij dhe njeriu do ta kryente atë punë me babëzi. Ndërsa Allahu (xh.sh) një vepër që bëhet në këtë natë e shpërblen sikurse të kesh punuar mbi 1000 muaj pa ndërprerje. E kush shpërblen më shumë se Allahu? Ngrihen robërit e Allahut nga ngrohtësia e shtratit drejt ngrohtësisë së zemrës. Gjallërohen xhamitë me zërat e besimtarëve. Me thirrjen e tyre “Amin” lëkunden portat e qiellit. Paramendoje çfarë atmosfere shpirtërore ka në këtë kohë kur pritet të gjejnë natën e Kadrit. Ku njerëzit me duart e tyre të ngritura lart qiellit hapin rrugën për të kaluar lotët .

Dijetari i madh, Ibn Kajjim El- Xheuzije ka thënë: “Sikur të ishte Nata e Kadrit edhe jashtë Ramazanit në një ditë të pacaktuar të vitit, do ta kërkoja atë pa rreshtur”. Çfarë vlere madhështore?! Tjetër fjalë nuk mund të shtohet përveçse një lutjeje : “ Zot na e mundëso ta arrijmë Natën e Kadrit dhe na mundëso të marrim dhuratat e saj”.

By: Ardhmëriaonline.com

Exit mobile version