Ballina Artikuj Hadithi Daif

Hadithi Daif

Nga ana gjuhësore, fjala “daif” ka kuptimin: “i dobët, i sëmurë, rraskapitje”, mirëpo përdoret edhe si alegori, si për shembull: “Daifu`r – Ra`ji – mendimi i tij është i dobët”.

Në terminologjinë e hadithit, termi “hadith daif” përkufizohet me fjalët: “Hadithi që nuk plotëson një nga kushtet bazë të hadithit sahih dhe hadithit hasen”.

Nëse nuk plotësohet një prej pesë kushteve të hadithit (vargu i pandërprerë, transmetues i drejtë dhe i përpiktë, të mos ketë mospërputhje mes transmetuesve, të mos ketë shkaqe dobësie të fshehta), atëherë hadithi futet tek grupi i haditheve të dobëta.

Duhet ditur, se dobësia e një vargu nuk është argument, që tregon se edhe teksti i hadithit është i dobët, mirëpo dijetarët thonë se hadithi me këtë lloj vargu është i dobët. Nëse për tekstin e hadithit ka një varg të vërtetë apo të pranuar, atëherë hadithi vlerësohet sipas gradës përkatëse.(115)

Shkaqet e dobësisë së një hadithi janë:

– Shkëputje në vargun e transmetuesve (humbet kushti i vargut të pandërprerë).

– Akuzë transmetuesit (humbet kushti i besueshmërisë dhe përpikmërisë).

– Akuzë transmetimit (plotëson kushtin e hadithit të vërtetë, mirëpo hadithi është shadh ose ma`lul).

Dobësia e hadithit për shkak të shkëputjes së vargut dhe llojet e saj

Vargu ka dy anë:

– anën e afërt, ku transmetuesi është afër në kohë me të Dërguarin e Allahut (a.s).

– anën e largët, ku transmetuesi është afër në kohë me autorin e librit të hadithit.

Kur shkëputja e vargut është në anën më të largët të tij, hadithi quhet “Mualak”.

Kur shkëputja e vargut është në anën më të afërt të tij, hadithi quhet “Mursel”.

Kur shkëputja është në mes të vargut dhe transmetuesi i shkëputur është vetëm një, hadithi quhet “Munkatiu”.

Kur shkëputja është në mes të vargut dhe nga vargu kanë rënë dy apo më shumë transmetues – njëri pas tjetrit – , atëherë hadithi quhet “Muadal”.

Shkëputja nga vargu mund të jetë e qartë dhe kjo kuptohet nga fakti, se transmetuesi nuk e ka takuar transmetuesin tjetër.

Shkëputja mund të jetë e fshehtë, kur transmetuesi nuk e ka takuar transmetuesin tjetër, megjithëse kanë jetuar në të njëjtën kohë, ose nëse njëri transmetues e ka takuar transmetuesin tjetër, mirëpo nuk ka dëgjuar hadithe prej tij. Në këtë rast, hadithi quhet “Mursel Khafij”.

Kur një transmetues ka dëgjuar hadithe nga dijetari, mirëpo ai e përmend këtë dijetar edhe në ato hadithe që nuk i ka dëgjuar prej tij, atëherë hadithi quhet “Mudelis”.

Skemë sqaruese hipotetike

Nëse Buhariu transmeton direkt nga Ibn Umeri (r.a), atëherë transmetimi konsiderohet Mualak.

Nëse Buhariu transmeton direkt nga Maliku, atëherë transmetimi konsiderohet Munkatiu.

Nëse Abdullah ibn Jusufi transmeton nga Ibn Umeri (r.a), atëherë transmetimi konsiderohet Muadal.

Nëse Nafi`a transmeton nga i Dërguari i Allahut (a.s), atëherë transmetimi konsiderohet mursel.

Nëse Abdullah ibn Jusufi transmeton nga Maliku – ato hadithe që nuk i ka dëgjuar prej tij – , atëherë transmetimi konsiderohet Mudeles.

Nëse Buhariu ka qenë bashkëkohës i Abdullah ibn Jusufit dhe e ka parë atë, mirëpo nuk ka dëgjuar asnjë hadith prej tij dhe më pas transmeton hadithe duke ia cilësuar atij, atëherë transmetimi konsiderohet mursel khafij.

Autor: Rushit Musallari

Exit mobile version