Një burrë i mirë më dhuroi tespihe të bukura për të bërë dhikrin pas namazeve.
E pranova me mirënjohje, pastaj u ktheva në shtëpi dhe ia dhurova një mbese sime.
Pas disa ditësh, burri më tha: “Nuk të kam parë ta përdor tespihët që të dhurova!”
I thashë: “E vlerësoj shumë dhuratën tënde, por dhikri i kërkuar pas namazeve nuk zgjat më shumë se dy a tri minuta, prandaj parapëlqej t’i përdor gishtat e mi dhe nuk kam nevojë për mjet numërimi.”
Një i ri që e kishte përcjellë këtë ngjarje më tha: “Pse nuk i the se tespiu është bidat (risi)?”
I thashë: “Sepse ai nuk e ka marrë si ligj të detyrueshëm, dhe unë nuk merrem me gjëra të vogla e të parëndësishme!”
Ai më tha: “Po ç’mendon për përfundimin e leximit të Kur’anit me fjalinë ‘Sadekallahu’l-adhim’ (E vërtetë ka thënë Allahu i Madhëruar)?”
I thashë: “Lutem që ai që e thotë të jetë i sinqertë në përsëritjen e saj.”
Ai tha: “Nuk e kuptoj çfarë do të thuash!”
I thashë: “Besimtarët, në çështje të mëdha dhe sprova të rënda, thoshin: “Kur besimtarët i panë aleatët, thanë: Ky është ajo që na ka premtuar Allahu dhe i Dërguari i Tij: dhe Allahu dhe i Dërguari i Tij thanë të vërtetën…’ (Ahzab, 22).
Unë shpresoj që lexuesi, duke e ndier madhështinë e Kur’anit, udhëzimin e tij dhe fuqinë e mrekullisë së tij, ta thotë këtë fjalë nga zemra!”
Ai më tha: “Nuk ka urdhër për këtë.”
I thashë: “Dhe as ndalim për të!”
Ai tha: “Ti po i nënvleftëson bidatet!”
I thashë: “Jo, unë e përbuz marrjen me gjëra të parëndësishme!”
Dhe vazhdova të flas: “Në një botë ku të mëdhenjtë komplotojnë për të shkatërruar të dobëtit, injorantët për të varrosur dijetarët e saj, dhe të paaftët për t’ia rrëmbyer krizën dhe për të marrë drejtimin e saj, a doni të më merrni me këtë mbeturinë që ka mbushur mendjet tuaja?!
Politikanët e botës e kanë përgatitur planin e tyre për të mbytur Islamin dhe për të shkatërruar themelet e besimit; ata janë futur thellë në tokën islame për ta goditur përfundimisht, ndërsa ju, në prag të shkatërrimit, doni ta angazhoni umetin me një mospajtim juridik në degë të adhurimit ose me një polemikë gjuhësore rreth kuptimit të një fjale?!
Çfarë jeni ju?!
Ku janë bazat e besimit, virtytet morale dhe vendosmëria në çështjet madhore?!
Ku janë njerëzit me mendje të kthjellët?!
——
Shejh Muhamed el-Gazali…
Nga: Hoxhë Vladimir Kera
