Ballina Artikuj Mjerë për matësit që mashtrojnë – një vështrim gjithëpërfshirës

Mjerë për matësit që mashtrojnë – një vështrim gjithëpërfshirës

Hoxhë Rufat Sherifi

Matja që të zbulon karakterin tënd
Në momentet kur lexojmë fjalën e Allahut të Lartësuar:
“Mjerë për mashtruesit në peshë e masë; ata që, kur matin për vete nga njerëzit, e marrin të plotë, por kur u matin atyre ose u peshojnë, ua pakësojnë”, nuk duhet të mendojmë se ky paralajmërim lidhet vetëm me tregtinë, peshoret dhe masat e dukshme.
Sepse mashtrimi nuk ndodh vetëm në tregje. Ai shfaqet edhe në peshoret morale të jetës së përditshme: në mënyrën se si sillesh me prindërit, me bashkëshorten, me vjehrrën, me nusen, me fëmijët, me fqinjët dhe me miqtë. Shfaqet kur kërkon drejtësi për vete, por toleron padrejtësi ndaj të tjerëve; kur pret përkushtim, por ofron neglizhencë; kur kërkon mirëkuptim, por jep ftohtësi.
Ndalu për një çast dhe pyet veten me ndershmëri:
A dëshiron që të tjerët të të japin përparësi ty, ndërsa ti i vendos ata në fund të listës së shqetësimeve të tua?
A kërkon dashuri, respekt dhe sakrificë, ndërkohë që peshorja jote anon gjithmonë në favorin tënd?
Feja jonë na mëson se drejtësia fillon nga vetja dhe se Allahu sheh jo vetëm veprat e mëdha, por edhe detajet e sjelljes së përditshme. Pejgamberi ﷺ na ka mësuar se më të mirët prej nesh janë ata që janë më të mirë me familjen dhe me njerëzit më të afërt.
O miku im, nëse dëshiron ta dish se ku qëndron realisht përballë këtij paralajmërimi hyjnor, mos u ndal te fjalët e bukura dhe as te pretendimet. Shiko si sillesh me njerëzit më të afërt me ty, aty ku nuk ka sy që të shohin, përveç syrit të Allahut.
Sepse peshorja e vërtetë nuk vendoset në treg, por në zemër.

Hoxhë Rufat Sherifi

Exit mobile version