Ballina Artikuj Ndërprerja e Hixhretit pas çlirimit të Mekes

Ndërprerja e Hixhretit pas çlirimit të Mekes

Aishja (r.a) transmeton seProfeti (a.s) ka thënë:“Pas çlirimit të Mekes nuk ka më emigrim (Hixhret), mirëpo lufta dhe nijeti (për të luftuar )janë të vazhdueshme. Nëse ju bëhet thirrje për të përkrahur fenë e Allahut(për të luftuar), mos ngurroni për të marrë pjesë”[1].

Shpjegimi i hadithit:

Në këtë hadith profetik demonstrohet elokuenca e Profetit (a.s), i cili me pak fjalë shpreh shumë kuptime. Kjo ka qenë prej veçorive dalluese të Profetit (a.s), i cili shprehej me pak fjalë, por nënkuptonte shumë gjëra. Në fjalët e tij (a.s) kishte autoritet dhe ëmbëlsi.

Gjëja e parë që arrijmë të kuptojmë nga ky hadith është, se pas çlirimit të Mekes nuk ka më emigrim, por lufta dhe nijeti (për të luftuar) do të jenë të vazhdueshme.

Nga ana gjuhësore, fjala arabe “Hixhret – emigrim” do të thotë: të braktisësh një vend për të shkuar në një vend tjetër. Po me këtë kuptim është përdorur edhe në terminologjinë fetare.

Shprehja e Profetit (a.s) “Pas çlirimit të Mekes nuk ka më emigrim”nënkupton, se pas çlirimit të Mekes, ky qytet konsiderohet vendbanim i muslimanëve, kështu që vendqëndrimi në të është i sigurt dhe nuk lind më nevoja për të emigruar prej saj. Kjo shprehje e Profetit (a.s) është edhe një sihariq i mirë për besimtarët, se ndihma e Allahut të Lartësuar do të jetë e vazhdueshme për ta deri në ditën e Kiametit. Kjo ka lidhje edhe me hadithin, ku Profeti (a.s) thotë, se një ushtri do të tentojë të sulmojë Qaben, por ajo do të shkatërrohet, pa arritur aty, sepse Allahu i Lartësuar e ka bërë atë (Meken) të sigurtë dhe e mbron nga çdo tentativë e armiqve të saj për ta rrënuar atë.

Fjalët në mohore: “nuk ka më emigrim” janë konfirmim i rregullit të përgjithshëm, të cilin e cekëm më lart, por kjo nuk do të thotë kurrsesi, që ne të ngujohemi apo të dorëzohemi. Përkundrazi, lufta për të ndihmuar fenë e Allahut të Lartësuar do të jetë e vazhdueshme deri në Ditën e Kiametit. Po ashtu, edhe nijeti i pastër do të jetë promotorri kryesor për çdo besimtar musliman, i cili është përkrahës i parimeve të fesë.

Megjithatë, Profeti (a.s) nuk e ka lënë pezull këtë çështje, që më pas të ketë intepretime nga më të ndryshmet, por ka dhënë një orientim të qartë e të saktë, që e detyron muslimanin të jetë gjithmonë në gadishmëri të plotë për të mbrojtur vendin e shenjtë (Meken). Kjo gadishmëri qëndron mbi tre themele: lufta, nijeti dhe përkrahja.

Shprehja “Nëse ju bëhet thirrje për të përkrahur fenë e Allahut (për të luftuar), mos ngurroni për të marrë pjesë” nënkupton, se muslimanët duhet t’i përgjigjen kërkesës së udhëheqësve për luftë, kur ata bëjnë thirrje për të zgjeruar territoret e shtetit islam, për të mbrojtur nderin, fenë, pasurinë apo kombin. Allahu i Lartësuar thotë: “Dilni në luftë, le t’ju vijë ajo e lehtë ose e rëndë. Luftoni për hir të Allahut me pasurinë dhe veten tuaj. Kjo është gjëja më e dobishme për ju nëse e kuptoni”[2]. Ai thotë gjithashtu: “O ju të cilët keni besuar, jini të gatshëm për të luftuar, dhe dilni në luftë grup pas grupi, ose të gjithë së bashku”[3].

Duke qenë se po e komentojmë këtë hadith, na del si detyrëqë të diskutojmë edhe rreth çështjes së braktisjes së një vendbanimi jo islam. Përsa i përket kësaj çështjeje, kemi tre raste:

Rasti i Parë: Në rast se muslimani e ka të pamundur që të zbatojë ritet fetare në vendin ku është dhe ka mundësi që ta braktisë këtë vend, atëherëai e ka obligim një gjë të tillë.

Rasti i Dytë: Muslimanit i jepet mundësia për të zbatuar ritet fetare në vendin ku jeton dhe në të njëjtën kohë ai ka mundësi që ta braktisë këtë vend. Në këtë rast, ështëmëe pëlqyeshme, që ai të emigrojë.

Rasti i Tretë: Kur muslimani nuk ka mundësi tëemigrojënga vendi ku jeton për një arsye të konsiderueshme, atëherëatij i lejohet që të jetojë në këtë vend.

Imam Mauerdi ka thënë: “Nëse muslimani ka mundësi që të zbatojë lirisht ritet fetare në një vendbanim joislam, atëherë është më mirë për të, që të qëndrojë në atë vend, sepse ndoshta ai mund të bëhet shkak, që të tjerët të pranojnë fenë Islame”[4].

Mësimete nxjerra nga hadithi:

1 – Ndërprerja e hixhretit, pas çlirimit të Mekes.

2 – Rëndësia dhe vlera e Xhihadit për hir të Allahut (xh.sh).

3 – Vlera e nijetit në punët e njeriut.

4 –Çlirimi i Mekes.

5 – Sqarimi i të vërtetës.

1 – Ndërprerja e Hixhretit, pas çlirimit të Mekes:

Kjo kuptohet më së miri nga fjala e Profetit (a.s):“Pas çlirimit të Mekes nuk ka më emigrim (Hixhret)”. Kur u shtuan vuajtjet dhe torturat ndaj muslimanëve Profeti (a.s) i urdhëroi, që të emigronin nga Meka për në Medine, sepse ata e kishin shumë mëtë lehtë për t`i zbatuar ritet fetare në Medine. Prandaj, kush pranonte fenë islame, menjëherë emigronte nga Meka për në Medine, për të zbatuar urdhërin e Allahut të Lartësuar dhe të Dërguarit të Tij. Mirëpo pas çlirimit të Mekes, pra në momentin që ritet fetare mund të kryheshin me lehtësi brenda saj, emigrimi nga Meka në Medine nuk ishte mëi nevojshëm dhe i obligueshëm. Pas çlirimit të Mekes, erdhi urdhri që muslimanët të qëndronin në vendbanimet e tyre, megjithatë ata duhet të ishin të gatshëm për luftë, nëse do të bëhej thirrje për këtë gjë.

Vlera e Hixhretit:

Nuk ka dyshim, se Hixhreti që kryhet për hir të Allahut të Lartësuar, ka vlera dhe shpërblime të mëdha. Më poshtë, po rendisim disa prej këtyre vlerave:

Besimi i sinqertë: Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që besojnë, mërgojnë e luftojnë për çështjen e Allahut dhe ata që u japin strehim atyre e i ndihmojnë, pa dyshim, janë besimtarë të vërtetë; për ta ka falje dhe shpërblim bujar”[5].

Shpërblimi i madh: Profeti (a.s) i tha Ebu Fatime Ed Damrijut (r.a): “Emigro, sepse asgjë nuk e ka shpërblimin si emigrimi”[6].

Përfitimi i riskut: Allahu i Lartësuar thotë: “Kush mërgon për çështjen e Allahut, ai gjen shumë vendbanime dhe begati në tokë. Kush lë shtëpinë e vet, duke u shpërngulur për tek Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe ndodh që t’i vijë vdekja, Allahu me siguri do ta shpërblejë. Se Allahu është Falës dhe Mëshirplotë”[7].

Mëshira: Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, ata që besuan dhe ata që mërguan e luftuan në rrugë të Allahut, pikërisht ata shpresojnë në mëshirën e Allahut. Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë”[8].

Falja: Allahu i Lartësuar thotë:“Sigurisht, Zoti yt është Falës dhe Mëshirëplotë ndaj atyre që mërguan, pasi i kishin përndjekur e mandej luftuan dhe duruan në rrugën e Allahut”[9].. Kur Amr ibn As (r.a) dëshironte t’i jepte besën Profetit (a.s), deshi të vendoste kusht, por Profeti (a.s) i tha: “A nuk e di se përqafimi i Islamit fshin gjithçka të keqe të vepruar më parë?! A nuk e di se Hixhreti fshin gjithçka të keqe të vepruar më parë?! A nuk e di qëHaxhi fshin gjithçka të keqe të vepruar më parë?!”[10]

Xheneti: Allahu i Lartësuar thotë: “Atyre që u shpërngulën, u dëbuan nga vatrat e tyre, u munduan në rrugën Time, luftuan dhe u vranë, Unë do t’ua mbuloj veprat e këqija dhe do t’i shpie në kopshte; nëpër të cilat rrjedhin lumenj, si shpërblim nga Allahu. Shpërblimi më i mirëështë tek Allahu”[11].

Historia Islame ka dëshmuar një sërë emigrimesh:

Emigrimi i parë: Emigrimi nga Meka për në Abisini, në kohën e vuajtjeve dhe torturave që u ushtruan ndaj sahabëve, atëherë kur Islami ishte akoma në hapat e para.

Emigrimi i dytë: Emigrimi nga Meka në Medine.

Emigrimi i tretë: Emigrimi i pëfaqësuesve të fiseve arabe për tek Profeti (a.s), me qëllim që të mësonin rregullat e fesë dhe më pas të ktheheshin tek fiset e tyre, për t’u mësuar njerëzve fenë.

Emigrimi i katërt: Emigrimi i atyre banorëve të Mekës, të cilët sapo kishin besuar. Ata shkonin tek Profeti (a.s) në Medine dhe më pas ktheheshin përsëri në Meke.

Emigrimi i Pestë: Braktisja e atyre gjërave, qëi ka ndaluar Allahu i Lartësuar.

Dijetari i shquar Ibn Kajimi ka thënë: “Për çdo musliman ka dy emigrime:

1- Emigrimi për t’u afruar tek Allahu i Lartësuar, duke e adhuruar Atë, duke iu mbështetur dhe duke iu nënshtruar Atij, duke shpresuar tek falja e Tij dhe duke pasur gjithmonë nevojë për Të.

2- Emigrimi që bëhet duke marrë si shembull veprimet e Profetit (a.s), sepse Allahu i Lartësuar nuk e pranon asnjë vepër, nëse ajo nuk është në përputhje me traditën e Profetit (a.s)”[12].

Në lidhje me emigrimin, lind një pyetje: “Pas çlirimit të Mekes, emigrimi është ndërprerë përfundimisht, apo është i vazhdueshëm?”

Në lidhje me këtë pyetje janë transmetuar hadithe, që në pamje të parë duket sikur kanë kundërthënie.

Disa hadithe tregojnë, se pas çlirimit të Mekes nuk ka mëHixhret. Një prej këtyre haditheve është edhe hadithi, që po komentojmë. Një hadith tjetër është edhe fjala e Aishes(r.a),[13]kur është pyetur për emigrimin: “Sot, nuk ka më emigrim. Kohë më parë, besimtarët emigronin për hir të Allahut dhe të Dërguarit të tij që të shpëtonin nga sprova e rëndë që përjetonin në Meke. Ndërsa sot, Islami demonstrohet lirisht dhe muslimani e adhuron Allahun kudo që të jetë. Por lufta dhe nijeti është i vazhdueshëm deri në Ditën e Kijametit”[14]. Mexhashi ibn Mes’udi (r.a) tregon: “Shkova bashkë me vëllain tim tek Profeti (a.s) dhe i thashë: “Dëshirojmë të të japim besën për Hixhret”. Ai (a.s) tha: “Hixhreti ka përfunduar”. “Po për çfarë të të japim besën?” – e pyetëm. Ai (a.s) u përgjigj: “Për të praktikuar fenë islame dhe për të marrë pjesë në luftë”[15].

Disa hadithe të tjera tregojnë, se Hixhreti është i vazhdueshëm deri në Ditën e Kiametit. Mu’auije (r.a) ka thënë: “Hixhreti nuk do të ndërpritet asnjëherë, përderisa të pranohet pendimi. Pendimi pranohet,derisa dielli të lindë nga perëndimi”[16]. Ibn Mes’udi(r.a) transmeton, seProfeti (a.s.)ka thënë: “Hixhreti nuk ka për t’u ndëprerë ndonjëherë, përderisa armiku vazhdon t`iu luftojë”[17].

Juristët muslimanë i kanë interpretuar në tre forma hadithet e lartpërmendura, të cilat në pamje të parë duken sikur kundërshtojnë njëri-tjetrin. Ato janë:

Forma e parë: Hixhreti ka qenë i pëlqyeshëm, atëherë kur Islami ishte akoma në hapat e para të tij. Më pas u obligua Hixhreti nga Meka për në Medine. Me çlirimin e Mekes, obligueshmëria e Hixhretit u shfuqizua, për t’u kthyer në origjinë (pra u bë sërish i pëlqyeshëm). Pra kemi të bëjmë me dy hixhrete: njëri u ndërpre, ndërsa tjetri ështëi vazhdueshëm.

Forma e dytë: Me çlirimin e Mekes, Hixhreti për në Medine u ndërpre, sepse Meka u bë vendbanim musliman. Nga ana tjetër, Hixhreti i pandërprerë deri në Ditën e Kiametit, është Hixhreti i atij personi, i cili pasi ka pranuar fenë islame, emigron nga një vend joislam për në një vend islam, ku mund të praktikojë lirisht rregullat e fesë. Dijetari i shquar Bin Baz (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Hixhreti nga një vend në një vend tjetër është i vazhdueshëm. Nëse ai person, i cili banon në një vendbanim joislam, ka mundësi që të emigrojë, atëherë le ta bëjë një gjë të tillë, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Kur engjëjt ua marrin shpirtrat atyre që e kanë ngarkuar veten me faje, u thonë: Ku ishit? Ata përgjigjen: Ishim të pafuqishëm në Tokë! (Ëngjëjt) do t’u thonë: A nuk qe toka e Allahut e gjerë që të mërgonit në të? Këta janë ata (njerëz), vendbanimi i të cilëve është Xhehenemi, eh sa i keq është ai vendbanim. Me përjashtim tëmeshkujve të pafuqishëm, grave dhe fëmijëve, të cilët nuk kanë as fuqinë e as mundësinë të drejtohen në rrugë, mbase Allahu i fal, se Allahu, me të vërtetë, është Shlyes dhe Falës i gjynaheve”[18]. [19]

Forma e tretë: Me çlirimin e Mekes, Hixhreti (pë të cilin u obliguan muslimanët) u ndërpre, ndërsa Hixhreti i pandërprerë është braktisja e mëkateve dhe veprave të këqija. Profeti (a.s) ka thënë: “Emigrues është ai, i cili i braktis mëkatet dhe gjynahet”.[20]

Allahu i Lartësuar ka folur në Kuranin fisnik për vlerën e muhaxhirëve, si dhe për shpërblimin dhe pozitën e lartë që ata gëzojnë tek Ai. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata të cilët emigruan, u dëbuan nga shtëpitë e tyre, u torturuan dhe luftuan, do t’ia fshijë të këqiat dhe do t’i fusë në Xhenetet, poshtë të cilëve rrjedhin lumenj.Kyështë shpërblim nga Allahu. Me të vërtetë Allahu ka shpërblimin më të mirë”[21].Ja se si i përshkruan Allahu i Lartësuar muhaxhirët në një ajet tjetër kuranor: “Fukarenjtë prej muhaxhirëve, të cilët u dëbuan nga shtëpitë dhe humbën pasurinë e tyre, por që kërkojnë begatitë, kënaqësinë e Allahut, dhe që e ndihmojnë Allahun dhe të Dërguarin e tij. Me të vërtetë ata janë të sinqertë”[22].Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Muhaxhirët dhe ensarët e parë, por edhe ata që i ndoqën më pas, Allahu është i kënaqur me ta, edhe ata janë të kënaqur me Të. Për ta, Allahu ka përgatitur Xhenete, poshtë të cilëve rrjedhin lumenj. Aty ata janë përjetësisht. Ky është shpëtimi më i madh”[23].

Imam Kandehleui thotë: “Sahabëte braktisën vendin e tyre të shenjtë dhe ky Hixhret ishte më i dashur për ta sesa dynjaja dhe të mirat e saj. Ata i dhanë përparësi fesë përpara dynjasë dhe nuk i kushtuan vëmendje asaj, që një ditë do të mbarojë. Prandaj, ata shkuan sa nga një vend në një vend tjetër, për të mbrojtur fenë e tyre nga sprova e rëndë, a thua se ata u krijuan për botën tjetër, ndërsa dynjaja ishte krijuar, për të qenë në shërbim të tyre”[24].

Hixhreti në ditët e sotme:

Nëse Hixhreti në kohën e Profetit (a.s) apo edhe në ditët në vazhdim ka qenë emigrimi nga një vendbanim joislam për në një vendbanim islam, në ditët e sotme ai (Hixhreti) ka marrë një pamje tjetër. Sot, shumë muslimanë emigrojnë në vendet perëndimore për shkak të kushteve ekonomike, për tregti, për studime..etj. Ky lloj emigrimi nuk ka ekzistuar më parë, prandaj edhe dhënia e gjykimit për këtë çështje është mëse e domosdoshme. Nuk ka dyshim, se juristët muslimanë i kanë kushtuar rëndësi kësaj çështjeje dhe kanë dhënë mendimet e tyre rreth saj. Më poshtë do të përmendim disa prej këtyre mendimeve:

Doktor Fajsal Meuleui thotë: “Emigrimi në një vend joislam për të punuar apo për të qëndruar, në origjinë është i lejuar (mubah). Mirëpo dispozita fetare e lejueshmërisë mund të transformohet në papëlqyeshmëri (mekruh) ose në haram, nëse ka të bëjë me çështje, të cilat Sheriati i ka ndaluar. Ajo mund të transformohet në pëlqyeshmëri (istihbab) ose obligim (farz), nëse ka të bëjë me urdhëresat e Sheriatit. Kjo çështje ndryshon në varësi të personit dhe situatave, me të cilat përballet ai në vendin ku jeton. Po ashtu, situata ndryshon edhe në varësi të vendit ku do të emigrojë personi, nëse atje ku do të emigrojë ka bashkësi islame, ku ai mund ta ruajë identitetin e tij islam dhe të ketë mundësi që të edukojë fëmijët e tij. Për këtë arsye nuk mund të japësh një fetva përgjithësuese lidhur me këtë temë.

Doktor Jusuf Kardaui thotë: “Hixhreti (emigrimi) mund të jetëi lejuar (mubah), por herë të tjera ai mund të jetë edhe obligim (farz), nëse njeriu nuk mund t’i kryejë ritet fetare në vendin e tij, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Kur engjëjt ua marrin shpirtrat atyre që e kanë ngarkuar veten me faje, u thonë: Ku ishit? Ata përgjigjen: Ishim të pafuqishëm në Tokë! (Ëngjëjt) do t’u thonë: A nuk qe Toka e Allahut e gjerë, që të mërgonit në të?”[25] Ky lloj emigrimi nuk është thjesht i lejuar, pasi muslimani e ka obligim, që të emigrojë patjetër në një vend, ku mund t`i praktikojë lirisht ritet fetare. Megjithatë, muslimanët që emigrojnë në këto vise, kanë një sërë obligimesh. Pra nuk mjafton që muslimani thjesht të emigrojë dhe gjithçka mbaron me kaq. Për fat të keq, muslimanët e parë që kanë emigruar në Australi, Argjentinë dhe në Amerikën Veriore, kanë humbur plotësisht. Ata janë shkrirë në shoqëri dhe e kanë fshirë identitetin e tyre islam, për shkak se nuk i njihnin mirë parimet e fesë islame. Arsyeja e vetme që shkuan atje, ishte që të jetonin në mirëqenie. Disa të tjerë janë martuar atje, duke humbur plotësisht. Një gjë e tillë nuk lejohet, prandaj ne themi, se ai i cili shkon në këto vende, duhet të përmbushë pesë detyrime:

Detyrimet ndaj vetes.

Detyrimet ndaj familjes dhe fëmijëve.

Detyrimet ndaj vëllezërve të tij muslimanë.

Detyrimet ndaj shoqërisë jomuslimane ku jeton.

Detyrimet ndaj problemeve madhore të Umetit të tij.

Detyrimi më i rëndësishëm nga këto është, qëai të ruajë identitetin e tij islam dhe të mos shkrihet në atë shoqëri. Kjo nuk do të thotë, që ai të izolohet nga shoqëria, sepse kjo do të konsiderohej një fatkeqësi tjetër. Ne nuk dëshirojmë, që muslimani të izolohet, por ai as nuk duhet të tolerojë, aq sa të humbë identitetin e tij islam. Kjo është e mesmja që kërkojmë për çdo musliman, i cili jeton atje. Shkurtimisht themi, se udhëtimi në vendet perëndimore lidhet me sigurinë e personit për të qenë i kapur fort pas rregullave të fesë. Allahu i Lartësuar e di më mirë”[26].

2 – Rëndësia dhe vlera e Xhihadit për hir të Allahut:

Për rëndësinë dhe vlerën e Xhihadit, ka folur Allahu i Lartësuar dhe Profeti Muhamed (a.s). Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu i ka lartësuar në pozitë luftëtarët, të cilët luftuan me pasurinë dhe jetën e tyre ndaj atyre të cilët qëndruan në vendet e tyre”[27]. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër:“Nuk janë të njëjtë ata besimtarë që qëndrojnë në shtëpitë e tyre, përveç të paaftëve, me ata që luftojnë në rrugën e Allahut me pasurinë dhe jetën e tyre. Allahu i ngre një shkallë më të lartë ata që kanë luftuar me pasurinë dhe jetën e tyre kundrejt atyre që kanë ndenjur në shtëpitë e veta. Ai u ka premtuar të gjithëve mirësi, por i ka dalluar ata që luftojnë mbi ata që nuk luftojnë me shpërblim të madh”[28]. Profeti (a.s) u pyet: “Cila është puna më e mirë”? Ai (a.s) u përgjigj: “Besimi tek Allahu dhe i Dërguari i Tij”. E pyetën: “Po pastaj”? “Xhihadi në rrugë të Allahut”, – u përgjigj ai (a.s)… E pyetën përsëri: “Po pastaj”? Ai (a.s) tha: “Haxhi i pranuar”[29].

Lufta është një prej obligimeve të shumta fetare. Për këtë arsye, ajo përmendet në shumë tekste kuranore apo hadithe të Profetit (a.s). Në të vërtetë, lufta garanton sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Umetit musliman. Prandaj çdo armik që tenton ta sulmojë atë, duhet ta pyesë veten njëmijë herë. Armiqtë e fesë luftojnë kundër popujve, për të përfituar nga të mirat materiale të kësaj bote, ndërsa muslimani lufton për hir të Allahut të Lartësuar, duke shpresuar tek premtimi i Tij.

Lufta është obligim për çdokënd (farz ajn), në rastet e mëposhtme:

Rasti i parë: Kur dy ushtritë përplasen me njëra-tjetrën, është obligim për secilin ushtar, që të luftojë e të mos e braktisë fushëbetejën, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë, kur të ndeshni ushtritë e jobesimtarëve në betejë, mos ua ktheni shpinën. Cilido që ua kthen shpinën atë ditë, përveç atij që tërhiqet me qëllim që të sulmojë përsëri ose për t’u bashkuar me një grup tjetër, do të shkaktojë zemërimin e Allahut dhe do të ketë si strehë Xhehenemin. Eh, sa fund i keq është ky”[30]! Përveç dy rasteve që janë përmendur në ajet,- tërheqja me qëllim dhe bashkimi me një grup tjetër – ka edhe një rast tjetër, kur përplasja me armikun nuk është e obligueshme. Bëhet fjalë për rastin, kur ushtria armike është trefish më e madhe se ushtria muslimane.Në lidhje me këtë, Allahu i Lartësuar thotë: “Tani, Allahu ju ka lehtësuar ju, ngaqë Ai e di se keni dobësi. Kështu, nëse ka prej jush njëqind të qëndrueshëm, ata do të mundin dyqind (mohues) dhe, nëse nga ju janë njëmijë(të qëndrueshëm), me vullnetin e Allahut, ata do të mundin dy mijë(mohues). Allahu është me të qëndrueshmit”[31].

Rasti i dytë: Nëse jobesimtarët me ushtrinë e tyre rrethojnë apo e sulmojnë një vend musliman, atëherë banorët e atij vendi e kanë për detyrë që të dalin në luftë.

Rasti i Tretë: Nëse prijësi i urdhëron muslimanët që të dalin në luftë, atëherë ata e kanë për detyrë që të dalin, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Çfarë keni që ngurroni e mbërtheheni fort për toke kur ju thuhet: Dilni në luftë, në rrugën e Allahut?! A jeni të kënaqur me jetën e kësaj bote, në vend të amshueshmes?! Kënaqësia e kësaj bote, në krahasim me atë të botës tjetër është shumë e vogël..[32]

Rasti i Katërt: Nëse prijësi urdhëron individë të caktuar, për të dalë në luftë, atëherë pjesëmarrja e këtyre individëve në luftë është obligim.

Rasti i Pestë: Nëse është e nevojshme prezenca e një individi (për shembull: ai është i vetmi që di të përdorë një armë të veçantë, etj), atëherë ai e ka për detyrë që të marrë pjesë në luftë, edhe nëse nuk e ka thirrur prijësi.

Gjithsesi këtu duhet të ndalemi dhe të bëjmë një analizë të shkurtër. Muslimani nuk duhet të luftojë të tjerët, në kohën kur mbizotëron paqja. Përkundrazi në kohën e paqes duhet të ketë paqe, ndërsa në kohën e luftës, muslimani duhet të luftojë me pasurinë dhe me jetën e tij për hir të Allahut të Lartësuar. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:“Allahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja. Allahu i do ata që sillen drejt. Ndërkaq Allahu ju urdhëron që të luftoni ndaj atyre që ju kanë luftuar në fe dhe ju kanë dëbuar nga shtëpitë”[33].

3 – Vlera e nijetit në punët e njeriut:

Kjo nënkuptohet nga thënia e Profetit (a.s): “…mirëpo lufta dhe nijeti (për të luftuar) janë të vazhdueshme”. Nuk ka dyshim, se nijeti lë gjurmë të mëdha tek veprat. “Kur e pyetën të Dërguarin e Allahut (a.s) për njeriun që lufton për të treguar trimëri, atë që lufton nga fanatizmi dhe atë që lufton për sy të botës, se cila prej këtyre konsiderohet luftënë rrugë të Allahut, ai (a.s) u përgjigj: “Vetëm ai person, i cili lufton (me armikun), me qëllim që fjala e Allahut (feja e Tij – Islami) të jetë më e larta, është (po lufton)në rrugën e Allahut”[34].

Pranimi apo mospranimi i punëve janë në varësi të nijetit. Në varësi të nijetit, shpërblehet edhe njeriu. Dihet se të gjitha adhurimet nuk vlejnë, nëse nuk shoqërohen me nijet, ç’ka do të thotë se nijeti është i domosdoshëm në çështjet e adhurimit. Nijeti bën dallimin midis adhurimeve, midisgjërave të zakonshme dhe adhurimit, madje edhe midis gradëve të adhurimit. Mbi të gjitha këto, nijeti duhet të jetë vetëm për hir të Allahut të Lartësuar. Besimtari, i cili kryen adhurimet, duhet të bëjë dy nijete: një nijet të përgjithshëm dhe një nijet të veçantë. Ai duhet të bëjë nijet me gjithë zemër, se të gjitha veprat dhe fjalët që kanë lidhje me besimin, trupin e pasurinë, do të jenë për hir të Allahut të Lartësuar dhe për të fituar kënaqësinë e Tij. Ndërsa nijeti specifik (i veçantë) është, kur besimtari e lut Allahun që t’i dhurojë sinqeritet në çdo punë. Nëse ai arrin të ketë sinqeritet tek adhurimet, atëherë ai duhet të shfrytëzojë rastin, që edhe punët e zakonshme dhe të lejueshme t`i shoqërojë me nijet të pastër.

4 – Çlirimi i Mekes:

Kjo nënkuptohet nga thënia e Profetit (a.s):“Pas çlirimit të Mekes nuk ka më emigrim (Hixhret)”.Çlirimi i Mekes ka ndodhur në vitin e tetë të Hixhrit, gjatë muajit të Ramazanit. Çlirimi i Mekes ka qenë një triumf madhështor në historinë e përhapjes së fesë islame. Me çlirimin e saj, u ndërpre edhe Hixhreti. Qysh në këtë çast, injoranca, traditat dhe zakonet e kurejshëve u shuan njëherë e përgjithmonë. Ato janë varrosur në historinë e të shkuarës. Ai që shpenzoi dhe luftoi në rrugë të Allahut pas çlirimit të Mekes, nuk mund të krahasohej me atë që kishte shpenzuar pasurinë dhe kishte luftuar përpara çlirimit të Mekes. Këtë fakt e përmend edhe Kurani fisnik. Allahu i Lartësuar thotë: “Nuk janë të barabartë ata që kanë shpenzuar dhe luftuar para çlirimit (të Mekes) me ata që kanë shpenzuar dhe luftuar më pas. Ata janë në shkallë më të lartë, mirëpo Allahu u premton të gjithëve më të të mirën. Allahu e di mirë atë që e veproni”.[35]

Ibn Ethiri tregon: “Kur Profeti (a.s) hyri në Meke, qëndroi tek Qabja dhe tha: “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut, Ai është një i Vetëm dhe nuk ka shok në adhurim, Ai e mbajti premtimin, e ndihmoi robin e Tij, e i shkatërroi të gjtihë grupimet”.Më pasiu drejtua kurejshëve dhe u tha: “O kurejshë, çfarë mendoni se do të bëj me ju?” Ata thanë: “Ti je vëlla i nderuar dhe biri i vëllait tonë të nderuar”.Ai (a.s) tha: “Shkoni, ju jeni të lirë”. Pra, Profeti (a.s) i fali që të gjithë, megjithëse Allahu i Lartësuar i dha mundësinë që të hakmerrej. Më pas, ai bëri Tavaf 7 herë rreth Qabes, hyri brenda dhe u fal. Ai (a.s) pa portretet e profetëve dhe urdhëroi që të gjithë të thyheshin. Në Qabe kishte 360 idhuj. Profeti (a.s) mbante në dorë një shkop, që ia drejtoi idhujve, duke lexuar:“Thuaj: E vërteta erdhi, ndërsa e pavërteta u shkatërrua”[36]dhe pastaj urdhëroi, qëtë thyheshin dhe të shkatërroheshin të gjithë idhujt. Më pas, ai (a.s) u ul në kodrën Safa, ndërsa më poshtë ishte Omer ibn Hatab (r.a). Pas kësaj, të gjithë njerëzit u grumbulluan, për t’i dhënë besën Profetit (a.s)[37].

5 – Sqarimi i të vërtetës:

Kjo nënkuptohet nga thënia e Profetit (a.s) “Pas çlirimit të Mekes nuk ka më emigrim (Hixhret), mirëpo lufta dhe nijeti (për të luftuar) janë të vazhdueshme”.

Ftuesi në rrugë të Allahut të Lartësuar e ka të ndaluar që të fshehë të vërtetën, madje ai është i urdhëruar që të sqarojë dhe të kumtojë gjithçka di. Për këtë gjë e urdhëroi Allahu i Lartësuar Profetin e Tij (a.s): “Ty të zbritëm Përkujtesën, me qëllim që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur dhe që ata të mendojnë”[38],apo “O i Dërguar! Trego atë që të është shpallur nga Zoti yt”[39].Jo vetëm kaq, por Allahu i Lartësuar i ka qortuar ashpër ithtarët e librit, të cilët fshehën atë që ishte shkruar në Libër. Allahu i Lartësuar thotë:“Kujto (o Muhamed) kohën, kur Allahu mori premtimin nga ata që u është dhënë Libri, se do t’ua shpjegojnë njerëzve dhe nuk do të fshehin asgjë nga ai. Pastaj ata e hodhën pas shpine premtimin dhe e ndërruan atë me një vlerë të vogël. Eh, sa këmbim të shëmtuar që bënë ata!”[40]

Allahu i Lartësuar i ka urdhëruar profetët dhe ndjekësit e tyre, që t’u tregojnë njerëzve të vërtetën, sepse thirrja Islame është e qartë. Madje dihet mjaft mirë, që Profeti (a.s) e ka pasur zakon, që ta përsëriste tre herë një fjali, për të vetmen arsye që komunikimi dhe transmetimi të ishte sa më i qartë dhe më i kuptueshëm.

Argumentet dhe dobitë e hadithit:

1 – Me çlirimin e Mekes, u ndërpre emigrimi nga Meka për në Medine, sepse Meka u bë vend islam.

2 – Qyteti i Mekes do të jetë një vend musliman deri në Ditën e Kiametit.

3 – Nëse një vend[41] bëhet vend islam, atëherë emigrimi prej atij vendi në një vend tjetër nuk është obligim.

4 – Emigrimi do tëjetë gjithmonë i vazhdueshëm, përderisa në këtë botë do të ketëvendbanime joislame dhe vendbanime islame.

5 – Lejohet emigrimi nga ai vend, ku muslimani është i privuar që të kryejë ritet fetare,madje nëraste të tilla emigrimi është obligim.

6 – Lufta dhe nijeti për të luftuar janë të vazhdueshme deri në Ditën e Kiametit, megjithëse Hixhreti (i obliguar) është ndërprerë.

7 – Muslimani duhet të jetë gjithmonë i përgatitur për t`iu përgjigjur thirrjes për luftë.

8 – Vlera e nijetit të pastër.

9 – Muslimani duhet të luftojë vetëm për hir të Allahut të Lartësuar.

Epilog:

Në këtë epilog do të tregojmë për Hixhretin e Suhejb Er Rumit (r.a)

Profeti Muhamed (a.s) qëndroi 13 vjet në Meke, duke i ftuar banorët e saj, që të adhurojnë vetëm Allahun e Lartësuar dhe të braktisin adhurimin e idhujve. Mirëpo, arabët jo vetëm që nuk iu përgjigjën ftesës së tij, por e ofenduan, lënduan, torturuan dhe e dëbuan atë (a.s). Të njëjtën gjë bënë edhe me sahabët, të cilët iu përgjigjën ftesës së Profetit (a.s). Duke qenë se torturat dhe persekutimet ndaj sahabëve u shtuan, dhe ajo që është më kryesore, jobesimtarët ishin barriera më e madhe që pengonte përhapjen e thirrjesislame në Meke, Allahu i Lartësuar i urdhëroi sahabët, që të emigronin në Medine, sepse banorët e saj e mirëpritën thirrjen islame. Sahabët iu përgjigjën menjëherë thirrjes së Allahut dhe të Dërguarit të Tij për të emigruar. Njëprej sahabëve që emigruan për në Medine, ishte Suhejb ibn Sinan Er Rumi (r.a). Në fakt, Suhejbi (r.a) dëshironte të emigronte bashkë me Profetin (a.s) dhe Ebu Bekrin (r.a) për në Medine, por jobesimtarët e penguan, kështu që Profeti (a.s) bashkë me Ebu Bekrin (r.a) emigruan për në Medine përpara tij. Megjithatë, sapo iu dha mundësia, Suhejbi (r.a) u nis drejt Medines, duke përshkuar shkretëtirën. Kurejshët e ndoqën nga pas, derisa e arritën, por ai u tha: “O kurejshë, ju e dini se çfarë shigjetari i mirë që jam. Pasha Allahun, ju nuk mund të afroheni tek unë, sepse unë do t’ju gjuaj me tëgjitha shigjetat që kam,ndërsa më pas do t’ju godas me shpatë, derisa të mos më mbetet asgjë në dorë. Afrohuni nëse keni dëshirë, e nëse dëshironi, do t’ju tregoj se ku e kam fshehur pasurinë, që ta merrni e të më lini të lirë. Idhujtarët pranuan alternativën e dytë dhe e lanë të lirë, duke i thënë: “Kur ke ardhur tek ne, ke qenë i varfër, por më pas pasuria t’u shtua, derisa ke arritur aty ku ke arritur, ndërsa tani dëshiron që të largohesh me gjithë pasurinë që ke grumbulluar!” Ai u tregoi se ku e kishte pasurinë dhe pastaj shkoi në Medine. Kur mbërriti në Medine, Profeti (a.s) thirri:“E fitove tregtinë o Ebu Jahja, e fitove tregtinë o Ebu Jahja”. Më pas, Allahu i Lartësuar shpalli ajetin kuranor:“Ka njerëz që e flijojnë veten për të fituar pëlqimin e Allahut. Allahu është shumë i mëshirshëm me robërit e Tij”[42][43]

Autor: Elton Harxhi

[1] – Buhariu (3080) dhe Muslimi (1864).

[2] – Sure Teube: 41.

[3]– Sure Nisa: 71.

[4]-“Fet’hul Bari” i Ibn Haxher Askalanit, fq: 6/190

[5]– Sure Enfal: 74.

[6]– Nesaiu (416) Hadithi është i Sahih.

[7]– Sure En Nisa: 100.

[8]– Sure Bekare: 218.

[9]– Sure Nahl:110.

[10]– Muslimi (121)

[11]– Sure Ali Imran: 195.

[12] -“Tarikul Hixhretejni” i Ibn Kajjim El Xheuzijes, fq: 24.

[13] – Në këtë rast fjala e Aishes është në rangun e hadithit.

[14] – Buhariu (4312).

[15] – Buhariu (2962) dhe Muslimi (1863).

[16] – Ebu Daudi (2479. Hadithi ëshë Sahih

[17] – Ahmedi (1671). Hadithi është Hasen.

[18] – Sure Nisa: 97-99.

[19] – http:// binbaz.org.sa/mat/11407

[20] – Ibn Maxheh (3934). Hadithi është Sahih.

[21] – Sure Ali Imran: 195.

[22] – Sure Hashr: 8.

[23] – Sure Teube: 100.

[24] -“Jeta e sahabëve” i Muhamed Jusuf Kandehleuit, fq: 174.

[25] – Sure En Nisa: 97.

[26] – http:// egyptiantalks.org/invb/index.php?shoëtopic4820

[27] – Sure Nisa: 95.

[28] – Sure Nisa: 95.

[29] – Buhariu (26) dhe Muslimi (82).

[30] – Sure Enfal: 15-16.

[31] – Sure Enfal: 65.

[32] – Sure Teube: 38.

[33] – Sure Mumtehine: 7 – 8.

[34] – Buhariu (7458) dhe Muslimi (1904)

[35] – Sure Hadid: 10.

[36] – Sure Isra: 81

[37] -“El Kamil fit tarih” i Ibn Ethirit, fq: 2/125.

[38] – Sure Nahl: 44

[39] – Sure Maide: 67.

[40] – Sure Ali Imran: 187.

[41] – Shtet, qytet, apo fshat.

[42] – Sure El Bekare: 207.

[43] -“Burrat përreth të Dërguarit të Allahut” i Halid Muhamed Halidit, fq: 45-48.

Exit mobile version