Së pari: Përkufizimi i kadasë
Kuptimi gjuhësor
Kuptimi gjuhësor i “kada-së” është: përmbyllja, përpikëria dhe zbatimi i një çështjeje drejt qëllimit të saj. Ibn el-Ethiri në veprën “En-Nihaje” thotë: “Fjala “kada” në gjuhë ka disa kuptime, por të gjitha kthehen te ndërprerja dhe përfundimi i plotë i diçkaje. Pra, kuptimi themelor i “kada-së” në gjuhë është përpikëria e një gjëje dhe përmbyllja e çështjes, dhe të gjitha kuptimet e tjera gjuhësore të saj kthehen te ky kuptim bazë. Ndonjëherë përdoret edhe me kuptimin e kaderit (caktimit).”
Fjala “kada” dhe derivatet e saj janë përmendur shpesh në Kuran, dhe të gjitha kuptimet e saj – edhe pse ndonjëherë ndërthuren – kthehen te ky themel i përbashkët. Prej kuptimeve që janë përmendur në Kuran janë se ajo:
Nënkupton urdhrin; Allahu i Lartësuar thotë: “Zoti yt urdhëroi (kada) që të mos adhurohet askush tjetër përveç Tij.”[1]
Nënkupton përfundimin dhe njoftimin përfundimtar; Allahu i Lartësuar thotë: “Ne ia kumtuam që ajo çështje do të përfundojë.”[2]
Nënkupton gjykimin; Allahu i Lartësuar thotë: “Gjyko si të duash, ti gjykon vetëm në jetën e kësaj bote.”[3]
Nënkupton përfundimin e punës: Allahu i Lartësuar thotë: “Ai krijoi (përfundoi) shtatë qiej në dy ditë.”[4] Po ashtu fjala e Tij: “Kur Musai e plotësoi afatin e caktuar”[5]
Nënkupton kryerjen e një veprimi; Allahu i Lartësuar thotë: “Pasi t’i kryeni ritet e haxhit…”[6]
Nënkupton njoftimin dhe kumtimin; Allahu i Lartësuar thotë:“Ne ia kumtuam Benu Israilëve në Libër…”[7]
Nënkupton goditjen vdekjeprurëse: thuhet: “e goditi dhe e mposhti”, domethënë e vrau. Allahu i Lartësuar thotë: “Musa i ra me grusht, e ai vdiq”[8]
Ka edhe derivate të tjera të përmendura në librat e gjuhës. Nga këto kuptime bëhet e qartë lidhja e fortë mes kuptimit gjuhësor dhe atij sheriatik: caktimi i Allahut për çështjet, shkrimi i tyre, rrjedhja e tyre me urtësi dhe përpikëri sipas asaj që Ai ka dashur dhe ka vendosur, të gjitha këto kuptime përfshihen në domethënien gjuhësore të “kada-së”.
Së dyti: Përkufizimi i “kaderit”
Kuptimi gjuhësor i kaderit
Shkronjat “kaf”, “dal” dhe “ra” kanë një origjinë të saktë që tregon masën e një gjëje, thelbin dhe përfundimin e saj. Kaderi përdoret gjithashtu me kuptimin e gjykimit dhe vendimit, si në hadithin e istihare-s: “fakdurhu ue jessirhu li”.
Kader ka kuptimin e takatit dhe mundësisë, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Pasaniku sipas takatit së tij…”[9]domethënë: sipas mundësisë së tij.
Po ashtu, kaderi vjen edhe me kuptimin e ngushtimit: Allahu i Lartësuar thotë: “Po, kur e sprovon atë, duke ia ngushtuar mjetet e jetesës…”[10]domethënë: ia ngushtoi furnizimin. Nga ky kuptim është edhe fjala e Allahut për Junusin (a.s.): “Ai mendoi se nuk do t’i vijë puna ngushtë” domethënë: se nuk do t’ia ngushtonim, dhe jo – siç kanë menduar disa – se ai dyshoi në fuqinë e Allahut.
“E kam vlerësuar një gjë” do të thotë: e kam caktuar dhe matur. Këtë gjë ne e hasim edhe në hadith: “Nëse ju mbulohet (hëna), atëherë llogaritjani (fakdure lehu)”, domethënë: plotësoni numrin e ditëve deri në tridhjetë.
Kaderi dhe masa e çdo gjëje është standardi dhe përmasa e saj.
Nga përkufizimi gjuhësor i “kada-së” dhe “kaderit” del qartë lidhja shumë e fortë mes tyre, si në aspektin gjuhësor ashtu edhe në atë sheriatik.
Së treti: Kuptimi sheriatik i “kada-së” dhe “kaderit”
Ajo është caktimi i Allahut të Lartësuar i të gjitha gjërave në përjetësi, dija e Tij se ato do të ndodhin në kohë të caktuara dhe me cilësi të veçanta, shkrimi i tyre, vullneti i Tij për to, ndodhja e tyre sipas asaj që Ai ka caktuar dhe krijimi i tyre nga Ai.
Nga përkufizimi del në pah se shkallët e kaderit janë katër: 1 – dija, 2 – shkrimi, 3 – vullneti, 4 – krijimi e formësimi.
Së katërti: Dallimi mes “kada-së” dhe “kaderit”
Disa dijetarë kanë thënë se nuk ka dallim mes “kada-së” dhe “kaderit”, dhe se secila përfshin tjetrën.
Kure dijetarë të tjerë kanë thënë: midis atyre të dyjave ka dallim, sepse “kada” është gjykimi i përgjithshëm në përjetësi, ndërsa “kaderi” është zbatimi i detajuar i atij gjykimi që është bërë në përjetësi. Sipas këtij mendimi “kada-ja” është më gjithëpërfshirëse dhe më e gjithanshme se “kaderi”
Disa të tjerë thonë: “kaderi” është vlerësimi paraprak, ndërsa “kada” është realizimi dhe shpalosja e tij në kohë të caktuara sipas vullnetit të Allahut.
Pra, “kada” dhe “kader” janë dy terma të ndryshëm kur përmenden bashkë, ndërsa konsideohen sinonime të njëra-tjetrës ku përmenden veç e veç.
Hatabi thotë: “kada” dhe “kader” janë dy çështje të pandashme, si themeli dhe ndërtimi; kush përpiqet t’i ndajë, përpiqet të shembë ndërtesën.
E vërteta është se nuk ka dallim thelbësor mes “kada-së” dhe “kaderit”, si në aspektin gjuhësor ashtu edhe në atë terminologjik, dhe ata dijetarë që kanë bërë dallimim midis tyre nuk kanë asnjë argument nga Suneti i saktë, sidomos kur të gjithë janë pajtuar se, kur përdoret njëri prej këtyre dy termave, ai përfshin edhe tjetrin.
Allahu e di më së miri.
Autor: Ali Muhamed Salabi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Isra: 23.
[2] – Sure Hixhr: 66.
[3] – Sure Taha: 72
[4] – Sure Fussilet: 12.
[5] – Sure Kasas; 29.
[6] – Sure Bekare: 200.
[7] – Sure Isra: 4.
[8] – Sure Kasas: 15.
[9] – Sure Bekare: 236.
[10] – Sure Fexhr: 16.
