Nael Barghouti: 45 vite burg dhe tortura izraelite që nuk e thyen dot
Rrëfimi i Nael Barghouti-t, i botuar së fundmi nga portali Drop Site, nuk është thjesht kronika e një ish-të burgosuri, por një dëshmi epike e qëndresës njerëzore. Pas 45 vitesh në burgjet izraelite, Barghouti bart statusin e të burgosurit politik më jetëgjatë në botë.
I liruar në janar të vitit 2025, ai rrëfen për gazetarët Jeremy Scahill dhe Jawa Ahmad një jetë të kaluar pothuajse tërësisht pas hekurave, por me një shpirt që nuk u burgos kurrë.
Optimizmi si mjet mbijetese
Ajo që të bën më shumë përshtypje në këtë rrëfim është mungesa e hidhërimit dhe prania e një shprese të palëkundur. “Unë nuk e kam humbur kurrë shpresën dhe nuk do ta humbas kurrë!” – shprehet Barghouti.
Për të, qëndresa nuk ishte vetëm një akt politik, por një detyrim moral ndaj brezave që vijnë. Ai shpjegon se ishte optimist që nga dita e parë: “Edhe nëse do të vdisja në burg, do të mbetesha i kënaqur, sepse ata që vijnë pas meje do të vazhdojnë rrugën”.
Jeta nën tortura dhe izolim
Pjesët më tronditëse të rrëfimit lidhen me periudhën pas 7 tetorit 2023, kur kushtet në burgjet izraelite u përkeqësuan shumë. Barghouti përshkruan një fushatë sistematike abuzimi: rrahje, përdorim të qenve sulmues, uri të qëllimshme dhe përhapje të sëmundjeve infektive.
Ai tregon se humbi 22 kilogramë dhe u helmua disa herë nga ushqimi. Megjithatë, deklarata e tij mbetet sfiduese: “Duart, këmbët dhe brinjët na u thyen, por jo shpirti dhe vullneti ynë!” Ai tregon sesi autoritetet pështynin mbi ushqimin e tyre ose i detyronin të ecnin zbathur në të ftohtë, duke i quajtur “pa atdhe”, por kjo vetëm sa i forcoi bindjet e tij.
Filozofia e lirisë dhe lidhja me tokën
Në intervistën për Drop Site, Barghouti ofron një perspektivë prekëse mbi atë që do të thotë të jesh i privuar nga gjërat më elementare. Megjithëse fshati i tij Kobar është vetëm 30 kilometra larg detit, ai e kishte parë atë vetëm një herë gjatë gjithë jetës së tij, edhe atë përmes dritares së një mjeti transporti të burgut.
Kjo shkëputje e detyruar nxit edhe pyetjen e tij therëse: “Pse është e ndaluar që palestinezët të jetojnë si çdo popull tjetër. Pra të largohen kur të dëshirojnë, të kthehen kur të dëshirojnë, të shkojnë në det kur të dëshirojnë?”.
Jeta si metaforë
Barghouti u arrestua për herë të parë në moshën 20-vjeçare, kur bota ishte krejt tjetër. Ai u martua me Iman Nafi, po ashtu një ish e burgosur, duke e konsideruar martesën e tyre si një “fitore kundër burgut”. Për të, figura e të burgosurit politik nuk është ajo e një viktime, por e një udhëheqësi.
Ai kujton kohën e kaluar me liderë si Yahya Sinwar, duke theksuar se në burg ata studionin hebraishten dhe historinë e kundërshtarit për ta kuptuar atë më mirë. Në fund të rrëfimit të tij, Barghouti lë një mesazh që i kalon kufijtë e Palestinës.
Ai kërkon që bota t’i shohë palestinezët jo si numra apo statistika lufte, por si njerëz me aspirata të thjeshta dhe të drejta: “Ne meritojmë një shtet nën këtë diell. Një shtet me shkencëtarë, poetë, shkrimtarë dhe artistë si çdo vend tjetër në botë”. /tesheshi
