Ballina Artikuj Shpërdorimi

Shpërdorimi

Shpërdorimi apo shpenzimi pa kriter është një lëngatë infektive, e cila ka prekur mjaft njerëz – madje edhe disa aktivistë të punës islame. Kjo lëngatë konsiderohet shkatërrimtare dhe shumë e rrezikshme, si për individët ashtu edhe për shoqëritë. Për të pasur një perceptim sa më të saktë për këtë lëngatë, duhet të dimë shkaqet dhe pasojat e saj, si dhe rrugën për të shpëtuar prej saj. Në mënyrë që kjo temë të jetë sa më e qartë dhe gjithëpërfshirëse, do ta trajtojmë atë si në vijim.

I. Kuptimi gjuhësor dhe terminologjik i fjalës “El-Isrâf – Shpërdorim”

Kuptimi gjuhësor i fjalës “El- Isrâf – Shpërdorim”

Në gjuhën arabe, fjala “الإسراف – El-Israf” mbart disa kuptime, prej të cilave përmendim: 1. Shpenzim i pasurisë së fituar pa mund. 2. Shpërdorim dhe kalim i masës normale.

Kuptimi terminologjik i fjalës “Shpërdorim”

Në kontekst të temës që do të trajtohet, me termin “Shpërdorim” nënkuptohet: “Tejkalimi i masës dhe teprimi në konsumimin e ushqimit, pijes, veshmbathjes, banesës, si dhe rendja e pakontrolluar pas instikteve të fshehura në qenien njerëzore”.

II, Gjykimi sheriatik për shpërdorimin

Shpërdorimi i pasurisë, ushqimit, veshjes, kohës, mundit, postit, detyrës etj., konsiderohet nga mëkatet e mëdha, prej të cilave muslimani duhet të distancohet menjëherë. Allahu i Madhëruar thotë: “Jepuni të afërmve, të varfrit dhe udhëtarit të drejtën e tyre, por mos bëni shpenzim të tepruar. Dorëshpuarit me të vërtetë, janë vëllezërit e djallit dhe djalli është mosmirënjohës ndaj Zotit të tij”; “Hani frutat e tyre kurdo që të prodhojnë dhe jepni atë që është detyrë në ditën e vjeljes së tyre! Por mos shpërdoroni, se Allahu nuk i do shpërdoruesit”; “O bijtë e Ademit, vishuni përshtatshëm kudo dhe kurdo që të faleni! Hani e pini, por mos e teproni, se Ai nuk i do ata që e teprojnë”; “Mos e shtrëngo dorën, as mos u bëj dorëshpuar e të mbetesh i qortuar dhe i mjerë”; “… dhe ata që, kur shpenzojnë, nuk janë as dorëshpuar, as dorështrënguar, por i përmbahen të mesmes”

Abdullah ibn Amr ibn Asi (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (as.) ka thënë: “Hani, pini, jepni sadaka dhe vishuni por pa shpërdoruar në to dhe pa përfshirë mendjemadhësinë”

Enes ibn Maliku (r.a) tregon: “Një burrë nga fisi Benu Temi erdhi tek i Dërguari i Allahut (a.s) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë kam shumë pasuri, fëmijë dhe shumë shtëpi (apo pareshtur më vijnë miq në shtëpi). Më trego se si duhet ta shpenzoj atë dhe si të veproj me të”? I Dërguari i Allahut (a.s) i tha: “Jepe zekatin e pasurisë tënde pasi është pastrim për ty dhe me të mban lidhjet me të afërmit. Dije se në pasurinë tënde ka të drejtë edhe lypësi, fqinji dhe i varfëri”. Burri tha: “O i Dërguari i Allahut! Ma thuaj me pak fjalë”. Ai (a.s) i tha: “Jep nga pasuria jote të drejtën që i takon të afërmit, të varfërit dhe rrugëtarit. Mos e shpërdoro pasurinë tënde pa kriter”. Burri tha: “O i Dërguari i Allahut! Më mjaftojnë këto fjalë. Nëse unë i jap zekatin xhabijes (nëpunësit) tënd, a e kam shlyer detyrën para Allahut dhe të Dërguarit të Tij”? I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) i tha: “Po! Nëse ti i jep zekatin atij që kam dërguar unë, ti e ke shlyer detyrën, do të marrësh sevapin për të, ndërsa kush fut duart në këtë pasuri do të ngarkohet me mëkat”

Abdullah ibn Amri (r.a) tregon: “Një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut (a.s) dhe i tha: “Unë jam i varfër dhe nuk kam asgjë, mirëpo kam në përkujdesje një jetim (të pasur)”. I Dërguari i Allahut (a.s) i tha: “Ha nga pasuria e jetimit por pa shpërdoruar, pa e tepruar dhe pa e përvetësuar atë”. Ibn Abasi (r.a) ka thënë: “Ha çfarë të duash, vesh çfarë të duash përderisa nuk përfshin dy gjëra në to: shpërdorim dhe mendjemadhësi”

III. Simptomat e shpërdorimit

Zhytja në mëkate

Një nga simptomat e shpërdorimit është zhytja në mëkate dhe gjynahe. Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: “O robërit e Mi që keni tejkaluar caqet kundër vetvetes (duke kryer ligësi e gjynahe)! Mos i humbni shpresat nga mëshira e Allahut, vërtet që Allahu i fal të gjitha gjynahet. Vërtet që Ai është gjithnjë Falësi i Madh, Mëshirëploti”. Shejtani ia zbukuron veprat e liga atij që zhytet në mëkate. Allahu i Madhëruar thotë: “E, kur njeriun e gjen e keqja, atëherë Na lutet shtrirë ose ulur, ose në këmbë. E, sapo Ne ia largojmë të keqen, vazhdon rrugën, thuajse nuk Na është lutur për fatkeqësinë që e ka goditur. Kështu, plëngprishësve (që shkelin kufijtë e Allahut) iu zbukurohet ajo që punojnë”

Shpërdorimi në ushqim, pije, veshmbathje, banesë, mjet dhe në gjëra luksi

Një tjetër simptomë e shpërdorimit është shpenzimi pa kriter në ushqim, veshmbathje, banesë, apo në gjëra luksi. Allahu i Madhëruar thotë: “Hani e pini, por mos e teproni, se Ai nuk i do ata që e teprojnë”

Khabab ibn Erreti (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Njeriu shpërblehet për çdo gjë që shpenzon, përveç shpenizmit për baltën – ndoshta tha – shpenzimi për ndërtim”

Enes ibn Maliku (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Çdo ndërtesë do të jetë mjerim për të zotin, përveç asaj që është e domosdoshme, përveç asaj që është e domosdoshme”

Shpërdorimi i ujit në abdes

Abdullah ibn Amri tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) kaloi pranë Sadit, i cili po merrte abdes. I Dërguari i Allahut (a.s) i tha: “Çfarë është ky shpërdorim kështu”? Sadi i tha: “Pse edhe në abdes ka shpërdorim”? Ai (a.s) i tha: “Po, madje edhe nëse je duke marrë abdes në një lumë”

Shpërdorimi i shërbimeve publike

Shpërdorimi i shërbimeve publike është veprim i urryer, qoftë ky shpërdorin nga njerëzit apo pushtetarët. Nuk duhet të shpërdërohet uji dhe energjia elektrike. Shpërdorimi i tyre konsiderohet humbje e pasurisë. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Allahu ua ka bërë të papëlyeshme tre gjëra: thashethemet, humbjen e pasurisë (shpërdorimin e saj) dhe pyetjet e tepërta” Imam Munavi thotë: “Humbja e pasurisë së përmendur në këtë hadith është shpenzimi i saj në gjëra jolegjitime, apo ekspozimi i saj drejt shkatërrimit. Shkaku se përse është ndaluar shpërdorimi i pasurisë është se konsiderohet shkatërrim dhe Allahu nuk i do shkatërruesit.

Shpërdorimi në martesë

Një tjetër simptomë e shpërdorimit është shpenzimi pa kriter në organizmin e fejesave dhe martesave, apo në shtrenjtimin e mehrit.

Shpërdorimi në festa

Një tjetër simptomë e shpërdorimit është shpenizmi i tepërt në festat e bajrameve, apo në muajin e Ramazanit, ku shpërdorohet ushqimi, aq sa pjesa më e madhe e tij nuk konsumohet, por hidhet në plehra. Gjithashtu, është e papëlqyeshme rëndë që të bëhen shpenzime të tepruara për festat shoqërore apo për ceremoni të ndryshme si dreka në raste hyrjeje në shtëpi të re, ditëlindje, akika etj.

Shpërdorimi në raste fatkeqësie

Një tjetë simptomë e shpërdorimit është shpenizmi i panevojshëm në raste fatkeqësie, ku shpenzohen para të shumta për varrimin e të vdekurit, organizohen dreka dhe darka të herëpashershme, shpenzohen para të shumta në ndërtimin e varreve etj.

Shpërdorimi i kohës

Një tjetër simptomë e kësaj lëngate është shpërdorimi i kohës, duke mos e shfrytëzuar atë, apo duke e shfrytëzuar për gjëra që nuk i sjellin njeriut dobi as në këtë botë dhe as në botën tjetër. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Pjesa më e madhe e njerëzve nuk i vlerësojnë siç duhet dy mirësi (apo bekime të mëdha), derisa t`i humbasin. Ato janë: shëndeti dhe koha e lirë”

Ibn Kajimi ka thënë: “Njeriu i mençur është shfrytëzues i kohës në të cilën jeton, pasi ai është biri i saj. Nëse ai e shpërdoron kohën, ka humbur të gjitha begatitë dhe mirësitë e saj. Të gjitha mirësitë dhe begatitë janë produkt i kohës, prandaj nëse e humbet atë, nuk mundesh kurrë ta rekuperosh atë dhe mirësitë e saj. Nëse veten tënde nuk e angazhon me të vërtetën, ajo do të të angazhojë me të kotën. Koha e njeriut në të vërtetë është jeta e tij, është lënda dhe brumi i jetës së tij të përjetshme me lumturi dhe mirësi të vazhdueshme (Xhenetin), por mund të tjetë lënda dhe brumi i jetës së tij të përvuajtshme dhe me ndëshkimin e dhembshëm (Xhehenemin). Koha ecën më shpejt se retë. Çdo pjesë e kohës së njeriut që është për Allahun dhe me Allahun, në të vërtetë është jeta e tij reale, ndërsa çdo pjesë e kohës që nuk është për Allahun dhe me Allahun, nuk merret fare në konsideratë, edhe nëse ka jetuar gjatë. Nëse jeton në një gjendje të tillë, jeton si bagëtitë. Nëse kohën e kalon në shkujdesje, neglizhencë dhe me shpresa boshe, si dhe pjesën më të mirë të kohës e kalon në gjumë dhe parazitizëm, atëherë vdekja për këtë njeri është më e mirë sesa jeta. Përderisa njeriu kur fal namazin – dhe është në namaz – meriton shpërblimin vetëm për atë pjesë kur ka qenë i përqendruar në të, atëherë ai përfiton nga jeta e tij vetëm atë

kohë që e ka jetuar me Allahun dhe për Allahun”

Abuzimi me detyrën

Një tjetër simptomë e shpërdorimit është abuzimi me detyrën dhe postin. Allahu i Madhëruar thotë: “O besimtarë! Mos e tradhtoni Allahun dhe të Dërguarin e mos i tradhtoni amanetet me vetëdije” Khaule Ensarije tregon se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Disa njerëz e shpenzojnë pasurinë e Allahut (pra pasurinë e muslimanëve) në mënyra të padrejta. Këta njerëz do të futen në Xhehenem në Ditën e Kijametit”

Në shpjegimin e këtij hadithi, Ibn Haxheri thotë: “Ata e shpenzojnë pasurinë publike të muslimanëve në mënyrë të padrejtë”. Ebu Humejd Saidiu (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Dhuratat që u jepen prijësve janë tradhëti (rryshfet)”. Në një haditht tjetër po nga Ebu Humejd Saidiu, i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Dhuratat që u jepen nëpunësve janë tradhëti (rryshfet)” Abdullah ibn Mesudi (r.a) ka thënë: “Dhënia e rryshfetit për të dhënë gjykim në dëm të dikujt është kufër, ndërsa përhapja e rryshfetit mes njerëzve është fitim i paligjshëm” Shpërdorim detyre konsiderohet edhe punësimi i njerëzve të paaftë. Ebu Hurejrah (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur një çështje i ngarkohet dikujt të paaftë, atëherë prite Kijametin.”

IV, Shkaqet e shpërdorimit

Rritja në një ambient shpërdorues

Një nga shkaqet e shpërdorimit është rritja e muslimanit në një ambient, ku shpërdorimi është pa kufi. Mund të rastisë, që muslimani të jetë rritur në një shtëpi të pasurish, të cilët nuk e dinë se çfarë është maturia në shpenzim. Kështu, atij i ofrohet një model në praktikë, të cilin e ndjek dhe më pas e zbaton edhe vetë. Në një ambient të tillë, është pothuajse e pamundur të shpëtosh nga lëngata e shpërdorimit, përveç atyre që i mbron dhe i mëshiron Allahu i Madhëruar. Poeti thotë: “Fëmija babait do t`i ngjajë, prej tij modelin ka marrë”.

Kjo na bën të kuptojmë edhe më mirë një nga sekretet e thirrjes së Islamit dhe rëndësisë që i ka kushtuar përzgjedhjes së bashkëshortit/es, që ata të jenë sa më të ekuilibruar në veprimet e tyre, të zbatojnë ligjin e Allahut dhe të ndjekin udhëzimin e Tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Martojini të pamartuarit dhe të pamartuarat ndër ju, si dhe skllevërit dhe skllavet tuaja që janë besimtarë të ndershëm” “Mos u martoni me paganet, gjersa të bëhen besimtare. Skllavja besimtare është më e mirë se pagania, edhe nëse kjo e fundit mund t`ju pëlqejë. Mos i martoni muslimanet me paganë, gjersa ata të bëhen besimtarë. Skllavi besimtar është më i mirë se pagani, edhe nëse ky i fundit mund t`ju pëlqejë. Ata ju thërrasin në zjarr, kurse Allahu, me mirësinë e Tij, ju thërret në Xhenet e falje (të gjynaheve)”

I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Burri martohet me një grua për katër arsye: për pasurinë, për prejardhjen, për bukurinë apo për fenë e saj. Zgjidh atë që është fetare, pasi do të të mbushen duart plot (me begati)”

Pasurimi pas varfërisë

Një nga shkaqet që çon në shpërdorim, është pasurimi pas varfërisë, apo lehtësimi pas vështirësisë. Kemi parë shumë njerëz të jetojnë në vështirësi dhe të privuar nga shumë gjëra. Ata kanë qenë ngushtë nga ana financiare dhe kanë vuajtur pasojat e varfërisë, madje janë treguar shumë të duruar, duke shpresuar shpërblimin e Zotit. Gjendja e nderë nuk i ka bërë ata, që të tërhiqen nga rruga e Zotit, por janë treguar të qëndrueshëm.

Mirëpo ndodh që anët e peshores shpeshherë të përmbysen dhe gjendjet të ndryshohen. Kështu, pas gjendjes së rëndë ka ardhur bollëku, pas vështirësisë ka ardhur lehtësimi. Është konstatuar, se individët që janë pasuruar pas fukarallëkut, e kanë shumë të vështirë të tregohen të matur dhe të ekuilibruar, madje kanë përmbysur vlerat e mëparshme, duke rënë pre e shpërdorimit dhe teprimit në shpenzime.

Nga këtu kuptojmë disa prej urtësive të Ligjvënësit, i Cili na ka paralajmëruar, që të mos rendim pas jetës së kësaj bote, por na ka porositur që prej saj të marrim me masë të caktuar.

I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Përgëzohuni dhe shpresoni për atë që do t`ju gëzojë. Betohem në Allahun, se nuk kam frikë nga varfëria për ju, por kam frikë se do t`ju jepen të mirat e kësaj jete, ashtu siç u janë dhënë popujve para jush, ju do të garoni me njëri-tjetrin (për to), ashtu siç garuan edhe ata, prandaj kam frikë se do t`ju shkatërrojë edhe ju ajo gjë që i shkatërroi ata”

“Jeta e kësaj bote është e ëmbël dhe tunduese. Allahu i Madhëruar ju ka bërë mëkëmbës në të. Ai do të shikojë, se si do të veproni në të. Ruhuni nga dunjaja (mashtrimet e saj) dhe ruhuni nga gratë (sprovat e tyre), pasi sprova e parë në të cilën ranë Benu Israilët, ishte sprova e grave”

Shoqërimi me shpërdoruesit

Një nga shkaqet që çon në shpërdorim, është qëndrimi dhe shoqërimi me njerëz shpërdorues. Dihet se njeriu përvetëson nga tiparet e shokut apo mikut, me të cilin qëndron, sidomos kur shoqërimi apo miqësia e tyre është e hershme apo e gjatë në kohë, për më tepër kur shoku apo miku është njeri me karakter të fortë dhe me ndikim tek tjetri. Kjo na bën të kuptojmë sekretin, se përse Islami i ka kushtuar rëndësi të madhe dhe e ka theksuar domosdoshmërinë e përzgjedhjes së shokut apo mikut. Disa prej teksteve që flasin për rëndësinë e përzgjedhjes së shokut të mirë, i kemi përmendur tek shkaqet e plogështisë.

Neglizhimi i zahiresë (furnizimit) së rrugës

Një shkak tjetër që çon në shpërdorim, është neglizhenca e furnizimit të nevojshëm (zahiresë) të nevojshme përgjatë rrugës, pasi rruga që të çon tek kënaqësia e Allahut dhe tek Xheneti i Tij, nuk është e shtruar me mëndafsh, trëndafila e karafila, por është e mbushur me ferra dhe lot, me djersë, gjak dhe jetë të sakrifikuara. Kalimi në këtë rrugë nuk bëhet duke kërcyer, as me butësi dhe me rehati, por me burrëri dhe vështirësi, që në të vërtetë janë zahireja e rrugës. Kur muslimani aktivist e neglizhon furnizimin e tij, atëherë bie në shpërdorim.

Kjo na bën të kuptojmë sekretin, se përse Kurani e ka përsëritur disa herë dhe në forma të ndryshme natyrën e kësaj rruge. Allahu i Madhëruar thotë:“Vërtet mendoni të hyni në Xhenet, pa provuar atë që kanë provuar të tjerët para jush? Ata i goditi mjerimi dhe sëmundjet dhe aq shumë u tronditën, saqë çdo i dërguar dhe ndjekësit e tij, thirrën: “Kur do të arrijë ndihma e Allahut”?! Ja, ndihma e Allahut është afër”! “A mendoni se do të hyni në Xhenet, pa i provuar Allahu ata që kanë luftuar prej jush dhe pa i provuar ata që kanë duruar”?

Bashkëshortja dhe fëmijët

Një nga shkaqet që çon në shpërdorimin e pasurisë, është gruaja dhe fëmijët. Një aktivist musliman mund të vihet në sprovë për shkak të bashkëshortes dhe fëmijëve, ku dihet se familja është nxitësi kryesor për shpërdorimin e pasurisë, madje ata (familjarët) e kanë shprehi një cilësi të tillë. Një aktivist mund të jetë i butë me ta dhe jo i vendosur, prandaj bashkëshortja dhe fëmijët ndikojnë tek ai. Me kalimin e ditëve dhe për shkak të jetesës me ta, aktivisti mund të shndërrohet në një shpërdorues.

Nga këtu na bëhet edhe më i qartë synimi i Islamit, i cili thekson se është e domosdoshme që të tregohet kujdes në përzgjedhjen e bashkëshortes. Në trajtimin e lëngatës së parë – plogështisë – kemi përmendur disa tekste sheriatike, që e vënë në pah këtë gjë.

Islami i ka kushtuar rëndësi të madhe kujdesit të veçantë që duhet treguar për edukimin e fëmijës dhe bashkëshortes. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato”

I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Secili prej jush është bari dhe secili prej jush është përgjegjës për kopenë e tij. Imami (udhëheqësi) është bari dhe është përgjegjës për kopenë e tij. Burri është bari dhe është përgjegjës për kopenë e tij. Gruaja është bareshë dhe ajo është përgjegjëse për kopenë e saj. Shërbëtori është përgjegjës për pasurinë e zotërisë së tij. Secili prej jush është bari dhe secili prej jush është përgjegjës për kopenë e tij”

Mosnjohja e natyrës së dunjasë

Një shkak tjetër që çon në shpërdorim, është mosnjohja e natyrës së jetës së kësaj bote dhe realitetit të saj. Dihet se kjo dunja nuk është e qëndrueshme dhe gjendja e saj ndryshon herë pas here. Sot mund të jetë pro teje, por nesër mund të jetë në dëmin tënd. Allahu i Madhëruar ka thënë të vërtetën me fjalët: “Ato ditë (fitoreje dhe humbjeje) Ne i ndërrojmë midis njerëzve”

Ne jemi të obliguar, që të jemi gjithmonë të përgatitur dhe të kujdesshëm: mirësive që kemi t`iu japim vendin që u takon, të tregohemi të matur me gjërat që janë mbi nevojat e domosdoshme, si ato që kanë të bëjë me pasurinë, shëndetin, apo ato që kanë të bëjnë me kohën, pra me të nesërmen. Thënë shkurt: “Të rezervojmë në ditën që kemi, për ditët që do të mbetemi thatë”. E tillë është natyra e jetës së kësaj bote dhe kështu duhet të sillemi me të. Nëse tregohemi të shkujdesur apo të pavëmendshëm, kjo do të na çojë në shpërdorim.

Tolerimi i egos

Një tjetër shkak që çon në shpërdorim, është edhe tolerimi i egos. Dihet se egoja mund të frenohet dhe të nënshtrohet, por për ta bërë këtë, nevojitet forcë e madhe dhe vendosmëri e palëkundur, pasi egoja rebelohet, lakmon pasionet dhe këmbëngul të zhytet në to. Të gjitha këto ndodhin, kur egos nuk i kushtohet vëmendje, apo kur i hap rrugë asaj. Kur një aktivist musliman tregohet tolerant me egon e tij, duke ia plotësuar të gjitha tekat, nuk ka dyshim se do të bjerë në kurthin e shpërdorimit.

Nga këtu kuptohet sekreti, se përse Islami i ka kushtuar rëndësi luftës së pamëshirshme ndaj egos, madje kjo gjë ka përparësi ndaj çdo gjëje tjetër. Allahu i Madhëruar thotë: “Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç`kanë në vetvete” “Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë” “Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t`i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët”

Shpërfillja e vështirësive dhe mjerimeve të Ditës së Kijametit

Një shkak tjetër që çon në shpërdorim, është shpërfillja e vështirësive dhe mjerimeve që do të përjetojnë shumë njerëz në Ditën e Kijametit. Ne dimë, se në Ditën e Kijametit do të ketë vështirësi dhe mjerime të shumta, për të cilat nuk gjen fjalë për t`i përshkruar ato. Mjafton t`i kthehemi Librit të Allahut dhe Sunetit të të Dërguarit të Tij (a.s), për të ditur realitetin e asaj Dite. Kush e kujton vazhdimisht atë Ditë, duke medituar thellë në të, nuk zhytet në luksin e kësaj jete, ndërsa ai që hutohet dhe tregohet i shkujdesur për atë Ditë, do të bjerë në grackën e shpërdorimit dhe do të rendë pas luksit, madje mund të bëjë edhe më shumë se kaq! Kjo na bën të kuptojmë diçka nga sekreti, se përse i Dërguari i Allahut (a.s) ishte vazhdimisht i përkushtuar ndaj Allahut dhe e kishte frikë Atë, ashtu siç nuk rendte pas mirësive të kësaj bote, por mjaftohej me aq sa i nevojitej prej jetës së kësaj bote. Ai (a.s) ka thënë: “Sikur ta dinit atë që di unë, do të qeshnit pak dhe do të qanit shumë” “Sikur ta dinit atë që di unë, do të qeshnit pak e do të qanit shumë dhe nuk do të përjetonit kënaqësi me bashkëshortet tuaja”

Shpërfillja e realitetit të sotëm

Një tjetër shkak, që çon në shpërdorim, është shpërfillja e realitetit, në të cilin jeton njerëzimi në përgjithësi dhe muslimanët në veçanti. Njerëzimi sot qëndron në buzë të humnerës, prandaj mjafton një tronditje dhe njerëzit bien përdhe, apo më keq: gremisen në humnerë. Kjo gjë sjell humbjen dhe shkatërrimin e tyre.

Përsa i përket muslimanëve, gjendja e tyre sot është shumë e nderë, pasi ata jetojnë të poshtëruar dhe të përçmuar, madje janë bërë për të ardhë keq. Ata, të cilët nuk e kuptojnë këtë realitet të hidhur, kanë shqisa të mpira apo ndjenja të vdekura, prandaj turren drejt luksit dhe shpërdorimit, duke gjetur prehje në bukuritë e jetës së kësaj bote.

Nga këtu kuptojmë sadopak sekretin, se përse i Dërguari i Allahut (a.s) – qysh para se t`i vinte Shpallja, por edhe pas saj – shqetësohej dhe pikëllohej për gjendjen e racës njerëzore. Ai (a.s) e përjetonte rëndë këtë gjendje, derisa Allahu i Madhëruar e qortoi dhe e ndaloi, duke i thënë: “A mos vallë do të vrasësh veten nga pikëllimi, nëse ata nuk besojnë në këtë Fjalë (Kuran)”? “A mos vallë ti (o Muhamed) do ta shkatërrosh veten, ngaqë ata nuk duan të besojnë”? – “Ti mos e shqetëso veten deri në shkatërrim për humbjen e tyre”

Shpërfillja e pasojava të shpërdorimit

Një shkak tjetër që çon në shpërdorim, është shpërfillja e pasojave që sjell shpërdorimi. Dihet se shpërdorimi ka pasoja të rënda dhe fund shkatërrimtar, pasoja që do t`i shpjegojmë në vijim.

Njeriu – për nga natyra e tij – e braktis diçka ose largohet prej saj, kur ia di pasojat dhe fundin e saj të hidhur. Nga ana tjetër, nëse njeriu tregohet i shkujdesur ndaj këtyre pasojave negative, atëherë sjelljet e tij do të korruptohen, ndërsa veprimet e tij do të jenë të paqëndrueshme. Për rrjedhojë ai do të bëjë gjëra që nuk duhen bërë dhe do të neglizhojë atë gjë që nuk duhet lënë pas dore.

Për këtë arsye, nëse aktivisti musliman neglizhon pasojat që sjell shpërdorimi, do të jetë i ekspozuar ndaj tij, madje do të bjerë në kurthin e shpërdorimit. Kjo na bën të kuptojmë edhe më shumë sekretin, se përse Islami i ka kushtuar rëndësi përmendjes së urtësisë dhe objektivave të shumë dispozitave të tij.

V. Pasojat e shpërdorimit

Shpërdorimi ka pasoja të rënda dhe fund të hidhur. Këto pasoja ndikojnë si tek aktivistët muslimanë, ashtu edhe tek puna islame.

a) Pasojat për aktivistët muslimanë

Lëngimi i trupit

Pasoja e parë që lë shpërdorimi tek individi është: fuqizimi i sëmundjeve në trupin e njeriut. Trupi i njeriut vepron në varësi të ligjeve dhe rregullave hyjnore. Në rastet kur njeriu i shkel këto ligje dhe rregulla, duke i neglizhuar apo duke i shpërfillur, trupi do të preket nga lëngata, mirëpo kur trupi molepset nga sëmundjet, atëherë nuk ngrihet për të përmbushur detyrimet që i takojnë dhe as nuk mban përgjegjësitë që ka hedhur mbi shpatulla, apo që i janë lënë në përkujdesje.

Ngurtësimi i zemrës

Pasoja e dytë e shpërdorimit është ashpërsia e zemrës dhe pandjeshmëria e saj. Dihet se zemra e njeriut bëhet e dhembshur dhe zbutet nga uria apo nga ushqimi i pakët, ashtu siç dihet se ashpërsohet dhe ngurtësohet kur njeriu tejngopet. Ky është ligji i Allahut, prandaj: “Vërtet, Ti nuk mund të gjesh ndryshim ose shndërrim në ligjet e Allahut”

Kur zemra e aktivisitit ashpërsohet apo ngurtësohet, atëherë ai shkëputet nga adhurimet dhe punët e mira. Sa fatkeqësi e madhe është për këdo, që e bën një gjë të tillë. Allahu i Madhëruar thotë: “Prandaj, mjerë ata që e kanë zemrën të pandjeshme, kur përmendet Allahu”

Kur ndodh një gjë e tillë (ngurtësim i zemrës), megjithëse muslimani e lufton egon e tij, duke kryer adhurime dhe punë të mira, ai nuk ndjen kënaqësi dhe ëmbëlsi prej tyre, por përfiton vetëm lodhje dhe mundim. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Ka të ngjarë të ketë prej atyre që falen natën, por prej saj marrin vetëm pagjumësinë”.

Mpirja mendore

Pasoja e tretë e shpërdorimit është mpirja e mendjes. Dihet se gjallëria apo mpirja e mendjes ndodh në varësi të shumë faktorëve, ku një prej tyre është tejngopja e barkut. Në rastet kur barku është i zbrazët, mendja është më aktive, mirëpo kur barku tejmbushet, atëherë mendja mpihet. Në kohë të lashta kanë thënë: “Kur barku mbushet, mençuria fle”. Atë ditë kur mendja të preket nga mpirja, atëherë kur muslimani të privohet nga kuptimi dhe urtësia, pra do të humbës një nga veçoritë që e dallon atë nga krijesat e tjera.

Motivimi për ligësi dhe mëkate

Pasoja e katërt e shpërdorimit është aktivizimi i dëshirave për të bërë të këqija dhe mëkate. Shpërdorimi gjeneron tek njeriu energji shumë të madhe, mirëpo kjo energji do të vërë në lëvizje instiktet e fjetura dhe të fshehura në qenien njerëzore. Në raste të tilla, nuk ka asnjë garanci, që aktivistët muslimanë të shpëtojnë nga rënia në mëkate dhe të këqija, përveç atyre që Allahu i mëshiron.

Ndoshta nga këto fjalë kuptohet sadopak sekreti, se përse Islami i ka nxitur të agjërojnë ata, të cilët nuk kanë mundësi të martohen. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “O ju të rinj! Kush prej jush ka mundësi të përballojë martesën, le të martohet, pasi martesa të ruan shikimin dhe të mbron nderin. Ai që nuk ka mundësi të martohet, le të agjërojë, pasi agjërimi ia ftoh pasionin (epshin)”

Rrënimi në çastet e sprovave

Pasoja e pestë e shpërdorimit është rrënimi në momentet e sprovave dhe vështirësive, pasi një person që e kalon jetën e tij në luks dhe rehati, nuk i njeh sprovat dhe vështirësitë. Kur një person i tillë bie në vështirësi apo sprovë, nuk meriton as ndihmën dhe as përkrahjen më të vogël nga Allahu i Madhëruar, prandaj dobësohet dhe bie moralisht.

Allahu i Madhëruar ndihmon dhe përkrah vetëm ata, që vërtet e luftojnë egon e tyre me sinqeritet: “Allahu është i kënaqur me ata besimtarë, kur t`u betuan për besnikëri nën hijen e pemës. Ai e dinte se ç`kishte në zemrat e tyre, prandaj u dha atyre qetësi dhe i shpërbleu me një fitore të afërt”

Mungesa e përkujdesjes për të tjerët

Pasoja e gjashtë e shpërdorimit është mungesa e përkujdesjes ndaj të tjerëve dhe mos shfaqja e interesit për ta. Në përgjithësi, njeriu u kushton rëndësi të tjerëve dhe përkujdeset për ta, kur është në gjendje të vështirë dhe kur e mbysin hallet. Thuhet se kur Jusufi (a.s) mori përsipër adminstrimin e depove ushqimore të vendit, nuk ngopej kurrë, kur hante ushqim. Kur dikush e pyeti për këtë gjë, ai tha: “Kam frikë se nëse ngopem, do të harroj të uriturit”. Shpërdoruesi mashtrohet me mirësitë që e rrethojnë, prandaj nuk mendon dhe as nuk interesohet për gjendjen e të tjerëve.

Llogaria para Allahut të Madhëruar

Pasoja e shtatë e shpërdorimit është llogaria e rëndë që njeriu do të japë para Allahut të Madhëruar, i Cili thotë: “Pastaj, atë Ditë, do të pyeteni për kënaqësitë (e kësaj bote)”!

Thjesht qëndrimi para Allahut të Madhëruar për t`u pyetur dhe përgjigjet për këto pyetje, janë ndëshkim në vetvete, siç ka thënë edhe i Dërguari i Allahut (a.s): “Kujt i kërkohet llogari (me imtësi) në Ditën e Kijametit, në të vërtetë është ndëshkuar”.

Fitimi haram

Pasoja e tetë e shpërdorimit është rënia në grackën e kobshme të fitimit haram, pasi ka të ngjarë që shpërdoruesit t`i vështirësohet gjendja ekomonike, apo t`i mbarojnë burimet e tij, gjë që e detyron – për të ruajtur jetën luksoze, me të cilën është mësuar – t`i futet rrugës së fitimit haram, Allahu na mbroftë nga ky lloj fitimi. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Çdo trup që ushqehet me haram, do të digjet nga zjarri i Xhehenemit”

Vëllazërimi me djajtë

Pasoja e nëntë e shpërdorimi është vëllazimi me shejtanët. Allahu i Madhëruar thotë: “Dorëshpuarit me të vërtetë janë vëllezërit e djallit dhe djalli është mosmirënjohës ndaj Zotit të tij”

Vëllazërimi me djajtë nënkupton “antarësimin” në grupin e tyre, gjë që në të vërtetë tregon për humbjen e qartë dhe devijimin e tejskajshëm. Allahu i Madhëruar thotë: “Në të vërtetë, pala (grupi) e djallit janë humbësit”

Privimi nga dashuria e Allahut

Pasoja e dhjetë e shpërdorimit është privimi nga fitimi i dashurisë së Allahut të Madhëruar, i Cili thotë: “Ai nuk i do shpërdoruesit”. Çfarë mund të bëjë një person, që është i privuar nga dashuria e Allahut?! Ai jeton gjatë gjithë kohës i shqetësuar, në ankth, në stres dhe hallet e gjithë dunjasë e rrethojnë nga të katër anët!

b) Pasojat e shpërdorimit në punën islame

Përsa i përket pasojave të shpërdorimit në punën islame, ato mund të përmblidhen si vijon:

puna islame shkatërrohet lehtësisht,

vonimi i rezultateve të punës islame, duke e kthyer me dekada prapa.

Duhet ditur, se arma e vetme që kanë muslimanët përballë kundërshtarëve dhe armiqve të tyre, është besimi, i cili dobësohet shumë nga pasojat e shpërdorimit, luksit, rehatisë dhe zhytjes në të mirat materiale të jetës së kësaj bote.

Këto janë disa prej pasojave të rënda, që lë shpërdorimi tek aktivistët muslimanë dhe tek puna islame… Kur kemi folur për shkaqet e plogështisë, kemi përmendur disa tekste nga Libri i Allahut, nga Suneti i të Dërguarit të Tij (a.s) dhe nga jeta e njerëzve të përkushtuar të këtij Umeti, të cilat i paraqesin këto pasoja në mënyrë të përgjithshme.

VI: Kurimi i shpërdorimit

Njohja e mirë e kësaj lëngate dhe e gjykimit islam për të, evidentimi i simptomave të saj, njohja e shkaqeve dhe pasojave të rrezikshme të shpërdorimit, si për aktivistët muslimanë ashtu edhe për punën islame, e bëjnë më të lehtë mënyrën e kurimit nga kjo lëngatë. Kurimi arrihet, duke ndjekur hapat e mëposhtëm.

Meditimi në pasojat e shpërdorimit

Një meditim i thellë për pasojat dhe ndikimet që lë shpërdorimi, e ndihmon aktivistin musliman, që ta kapë këtë lëngatë qysh në fillimet e saj dhe të shpëtojë prej saj, para se të jetë shumë vonë.

Disiplinimi i vetes

Aktivisti musliman duhet të jetë i rreptë me egon e tij, duke mos i ushqyer epshet dhe duke mos ia plotësuar kërkesat egos. Gjithashtu, ai duhet ta detyrojë egon e tij me vendosmëri, të mësojë me çdo gjë që ajo e ka të vështirë dhe të rëndë për ta kryer. Kjo vendosmëri me veten arrihet nëpërmjet faljes së namazit të natës, agjërimit vullnetar, dhënies së sadakasë, stërvitjes fizike, etj.

Studimi dhe Sunetit dhe biografisë profetike

Suneti profetik dhe biografia e të Dërguarit të Allahut (a.s) është e mbushur me këshilla dhe orientime, që paralajmërojnë nga shpërdorimi, madje nxisin për luftë ndaj egos dhe tekave të familjarëve, ashtu siç motivojnë për të bërë një jetë sa më të thjeshtë dhe me kursime. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Besimtari ha sa për të mbushur një zorrë (mjaftohet me pak ushqim), ndërsa jobesimtari ha sa për të mbushur shtatë zorrë”

Ebu Hurejrah (r.a) na tregon shkakun e këtij hadithi. Ai thotë: “I Dërguari i Allahut (a.s) priti një mik në shtëpinë e tij. I Dërguari i Allahut (a.s) urdhëroi, që t`i milej një dele. Dikush e moli qumështin dhe ia solli mikut, i cili e piu të tërën. Më pas molën një dele tjetër dhe miku përsëri e piu qumështin. Kjo gjendje vazhdoi, derisa u molën shtatë dele, ndërsa miku e pinte të gjithë sasinë e qumështit që i sillnin. Kur agoi, miku pranoi Islamin dhe i Dërguari i Allahut (a.s) urdhëroi dikë, që të milte një dele për mikun. Miku e piu qumshtin. Më pas molën një dele tjetër, mirëpo miku nuk arriti ta mbaronte qumështin. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Besimtari ha sa për të mbushur një zorrë (mjaftohet me pak ushqim), ndërsa jobesimtari ha sa për të mbushur shtatë zorra”

I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë gjithashtu: “Ena më e keqe që mbush njeriu është barku i tij. Njeriut i mjaftojnë disa kafshata, sa për të mbajtur trupin drejt. Nëse do patjetër që të hajë, një të tretën e stomakut ta mbushë me ushqim, një të tretën ta mbushë me ujë dhe një të tretën le ta lërë për frymëmarrje”

Aishja (r.a) – nëna e besimtarëve – i tregon nipit të saj (djalit të motrës) Urve ibn Zubejrit: “Ne kalonim tre hëna brenda një periudhe kohore dy mujore dhe në dhomat e të Dërguarit të Allahut (a.s) nuk ndizej zjarri”. Urve e pyeti: “Po me çfarë jetonit”? Aishja (r.a) u përgjigj: “Me dy ushqimet e zeza: hurma dhe ujë. I Dërguari i Allahut (a.s) kishte fqinj disa ensarë, të cilët kishin deve, që sapo kishin pjellë. Ata i milnin devetë dhe i jepnin qumësht të Dërguarit të Allahut (a.s), i cili na e jepte neve”.

Aishja (r.a) thotë: “Dysheku i të Dërguarit të Allahut (a.s) ka qenë prej lëkure, i mbushur me byk palme”. Ajo (r.a) ka thënë gjithashtu: “Qysh kur ka ardhur në Medine, familja e Muhamedit (a.s) nuk është ngopur kurrë me bukë gruri tre ditë rresht. Kjo gjendje ka vazhduar, derisa ai (a.s) ka ndërruar jetë” Jo vetëm kaq, por një nga lutjet e të Dërguarit të Allahut (a.s) ka qenë: “O Allah! Furnizoje familjen e Muhamedit me ushqim”

Kur aktivisti musliman i kupton siç duhet këto tekste, apo tekste të tjera të ngjashme, nuk ka dyshim se ndikohet prej tyre, ndjenjat i gjallërohen dhe emocionet i ndizen. Kështu ai ndjek gjurmët e profetit Muhamed (a.s), ndjek rrugën e tij dhe vetëm atë (a.s) ka si shembull dhe model. Të gjitha këto i bën me dëshirën dhe ambicien, për të qenë bashkë me të (a.s) në Xhenetin e amshuar: “Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata, të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët! Eh sa shokë të mrekullueshëm janë këta! Kjo dhunti është nga Allahu, e mjafton që Allahu e di çdo gjë”

Studimi i biografisë sahabëve, dijetarëve dhe reformatorëve

Sahabët dhe dijetarët që erdhën pas tyre kanë ndjekur të Dërguarin e Allahut (a.s) në mënyrën e tyre të jetesës, prandaj kanë bërë një jetë modeste dhe nuk janë dhënë pas jetës së dunjasë, pasi e kanë ditur, se dunjaja është rrugëkalim apo urë që të çon në Ahiret.

Umer ibn Khatabi (r.a) hyri tek shtëpia e djalit të tij – Abdullahut – dhe pa, që djali i tij kishte blerë mish. Umeri (r.a) e pyeti: “Përse e ke blerë këtë mish”? Abdullahu (r.a) tha: “Ma kishte ënda”. Umeri (r.a) i tha: ‘Mos vallë ti e ha çdo gjë që ta ka ënda? Mjafton si shpërdorim për njeriun, të hajë çdo gjë që ia ka ënda”

Selman Farisiu (r.a) i shkoi për vizitë Ebu Bekrit (r.a), i cili ishte sëmurë dhe në prag të vdekjes. Selmani (r.a) i tha: “Më këshillo o halife (pasues) i të Dërguarit të Allahut (a.s)”. Ebu Bekri (r.a) i tha: “Allahu do t`ua japë juve të mirat e jetës së dunjasë, prandaj merrni prej saj, vetëm aq sa ju nevojitet”

Gjatë kohës që ishte në qytetin e Kufes, Sad ibn Ebi Uekasi (r.a) i shkroi një letër Umer ibn Khatabit (r.a), ku i kërkonte leje për të ndërtuar një shtëpi për vete. Umeri (r.a) i shkroi dhe ndër të tjera i tha: “Ndërto një banesë, që të mbron nga dielli dhe të ruan nga shiu, pasi dunjaja është thjesht një stacion”

Mejmuni tregon: “Një nga djemtë e Abdullah ibn Umerit (r.a) i kërkoi të atit t`i blinte një rrobë, duke i thënë: “Rroba ime është vjetëruar shumë dhe është bërë arna – arna”. Ibn Umeri (r.a) i tha: “Shkurtoje atë që ke dhe vishe”. Djaloshit nuk i pëlqeu kjo përgjigje. Ibn Umeri (r.a) i tha: “Mjerë për ty! Kije frikë Allahun dhe mos u bëj nga ata, të cilët të mirat që u ka dhënë Allahu i fusin në barqet e tyre, ose i vendosin mbi shpinat e tyre”

Ka shumë ngjarje që flasin për këtë temë dhe ato gjenden nëpër librat bazë të historisë islame, apo nëpër libra të ndryshëm. Kur aktivisti musliman i lexon këto ngjarje, gjallërohet nga brenda dhe në zemër i lind dashuria për të ndjekur të njëjtën rrugë, që kanë ndjekur selefët. Kështu, ai i shmanget luksit dhe shpërdorimit, duke bërë një jetë sa më modeste, në mënyrë që të jetë nga të shpëtuarit.

Shkëputja nga shoqëria e shpërdoruesve

Muslimani aktivist duhet të shkëputet nga shoqëria e shpërdoruesve dhe të shoqërohet me ata, të cilët kanë motive të larta dhe shpirt të madh, të cilët e kanë hedhur pas shpine jetën e kësaj bote, ia kanë kushtuar jetën e tyre synimit për të jetuar një jetë sa më islame dhe fisnike, ku mbrohet jeta, pasuria e nderi dhe ku zbatohet gjykimi i Allahut mbi faqen e dheut. Njerëz të tillë nuk i kushtojnë rëndësi asnjë pasoje që mund t`iu ndodhë në këtë rrugë, përderisa qëndrimi në këtë rrugë është për hatër të Allahut. Kjo do ta ndihmojë aktivistin musliman, që të zhdukë çdo lloj manifestimi të shpërdorimit, rehatisë dhe luksit. Qëndrimi me njerëz të tillë ia mundëson atij, që të mos bjerë pre e shpërdorimit, e fut në karvanin e luftëtarëve në rrugë të Allahut dhe në rrugën e atyre që janë nisur për tek Zoti!

Ndërtimi i personalitetit të bashkëshortes dhe fëmijëve

Aktivisti musliman duhet t`i kushtojë rëndësi të veçantë formimit të një personaliteti të shëndoshë të bashkëshortes dhe fëmijëve të tij, pasi kështu eliminon çdo lloj manifestimi të luksit dhe shpërdorimit. Duke i kushtuar rëndësi këtij procesi, aktivisti imunizohet dhe nuk bie pre e kësaj lëngate. Ai qëndron i vendosur në këtë rrugë, derisa të mbarojnë ditët e tij në jetën e kësaj bote – që është e mbushur me ferra dhe dhimbje – dhe ai të shkojë tek Zoti, ku të gjithë aktivistët e sinqertë dhe të zellshëm do të marrin atë që u takon nga rehatia dhe mirësia e vazhdueshme.

Studimi dhe meditimi i vazhdueshëm në realitetin e sotëm

Studimi i gjendjes aktuale të njerëzimit në përgjithësi dhe të muslimanëve në veçanti ndihmon në largimin nga manifestimet e shpërdorimit, madje bëhet mburojë për aktivistin musliman, që të mos zhytet në kënaqësitë e kësaj jete. Vetëm kështu feja e Allahut do të mbizotërojë në tokë dhe flamuri i Islamit do të ngrihet sërish.

Meditimi i vazhdueshëm rreth vdekjes

Nuk ka dyshim, se meditimi i shpeshtë rreth vdekjes, rreth situatave të frikshme dhe të tmerrshme që e pasojnë atë, e ndihmojnë aktivistin të shkëputet nga të gjitha manifestimet e shpërdorimit dhe luksi i shfrenuar, e mbrojnë atë që të mos bjerë në kurthin e tyre, ashtu siç e përgatisin për udhëtimin e gjatë dhe për Ditën e takimit me Allahun e Madhëruar.

Përkujtimi i vazhdueshëm rreth natyrës së rrugës islame

Aktivisti musliman duhet ta kujtojë shpesh rrugën, në të cilën ecën dhe natyrën e kësaj rruge. Ai duhet ta dijë, se furnizimi për këtë rrugë nuk mblidhet duke shpërdoruar, as duke pushuar, as duke u zhytur në luks, por mblidhet me vështirësi, vendosmëri dhe vetëmohim. Nuk ka dyshim, se kjo gjë luan rol të madh në kurimin e fenomenit të shpërdorimit dhe në luftën e paepur ndaj egos, ashtu siç e aftëson ftuesin musliman, që të kapërcejë pengesat dhe vështirësitë e rrugës.

Autor: Muhamed Sejjid Nuh

Përktheu: Rushit Musallari

Exit mobile version