1.500 fluturime të anuluara në SHBA për shkak të stuhive të forta dimërore

Rreth 1.500 fluturime janë anuluar në Shtetet e Bashkuara gjatë periudhës së udhëtimeve të festave, për shkak të paralajmërimeve për stuhi të forta dimërore dhe reshje të dendura bore në disa zona të vendit.

Më shumë se 40 milionë amerikanë ndodheshin nën paralajmërime ose njoftime për stuhi dimërore, ndërsa edhe 30 milionë të tjerë ishin nën paralajmërime për përmbytje ose stuhi në Kaliforni, ku reshjet e forta të shiut kanë shkaktuar probleme të shumta.

Në Nju Jork pritej të binin deri në 25 centimetra borë gjatë natës, sasia më e madhe e regjistruar në katër vitet e fundit. Temperaturat pritet të bien më tej gjatë fundjavës, për shkak të një vale të ftohti arktik që po zbret nga Kanadaja.

Sipas faqes FlightAware, deri pasditen e së premtes ishin anuluar të paktën 1.490 fluturime dhe mbi 5.900 të tjera ishin vonuar. Aeroportet e Nju Jorkut dhe Çikagos ishin ndër më të prekurit, me rreth 850 anulime vetëm në tre aeroportet e zonës së Nju Jorkut.

Autoritetet meteorologjike paralajmëruan për kushte të vështira udhëtimi dhe u bënë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes. Ndërkohë, në Kaliforni situata pritet të përmirësohet gjatë fundjavës, pasi reshjet e shiut të fillojnë të pakësohen. /mesazhi