20 vjet burg kosovarit për vrasje: S’kam faj, ishte kurth i kamerieres

Një shtetas 38-vjeçar kosovar, të enjten është shpallur fajtor nga Gjykata penale e Vjenës, për veprën penale “vrasje”. Në muajin gusht të vitit të kaluar, ai ka vrarë një pronar serb të restorantit në lagjen Ottakring. Kosovari u dënua me 20 vite burg, por vendimi ende nuk është i plotfuqishëm.

Nga mesi i muajit mars, i pandehuri ishte mbrojtur me pretekstin se ka reaguar në vetëmbrojtje, pasi e kishin sulmuar dy persona. Nga frika e tyre, ai kishte goditur me thikë. Herën e fundit, kosovari ka pohuar se ngjarja i ishte kurdisur nga kamarierja e restorantit me të cilën ka pasur një lidhje disa muajshe.

Mirëpo, Prokuroria nuk e pranoi versionin e tij për vetëmbrojtje. Kosovari e kishte goditur serbin Perica G. me një thikë me teh nëntë cenimetra të gjatë, duke e qëlluar dy herë në zemër. „Kur dikush e godet zemrën, ai vetëm ka për qëllim tëvrasë“, ka argumentuar kërkesën e saj prokuroja. Gjatë kësaj ishte plagosur edhe një dëshmitar tjetër, i cili i kishte dalë në ndihmë viktimës.