485 punonjës shëndetësor të vrarë në sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori

Që nga 7 tetori, 485 punonjës shëndetësor dhe 66 zyrtarë të mbrojtjes civile janë vrarë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Zyra për media e qeverisë në Gaza njoftoi se ushtria izraelite “ka kryer 3.002 masakra në Rripin e Gazës që nga 7 tetori”.

Po ashtu theksohet se 14.685 fëmijë dhe 9.670 gra u vranë në sulmet e ushtrisë izraelite në enklavën bregdetare, 7 mijë persona janë nën rrënoja ose të zhdukur, ndërsa numri i të vdekurve që arritën në spitale është të paktën 33.970 dhe i të plagosurve mbi 76.770.

Zyra për media theksoi se 72 për qind e viktimave të sulmeve izraelite janë gra dhe fëmijë.

Nga kequshqyerja dhe dehidrimi në Gaza, ku Izraeli shkaktoi një fatkeqësi humanitare duke penguar hyrjen e ndihmave, deri më tani kanë humbur jetën 30 fëmijë.

Më tej, në njoftimin e zyrës për media thuhet se ushtria izraelite ka sulmuar Gazën me më shumë se 75 mijë tonë eksploziv që nga 7 tetori.

Të paktën 140 gazetarë të vrarë

Zyra e qeverisë në Gaza gjithashtu njoftoi se të paktën 140 gazetarë u vranë gjatë sulmeve izraelite, duke theksuar më tej se 17 mijë fëmijë jetojnë në Gaza pa një ose të dy prindërit e tyre për shkak të sulmeve izraelite.

“Numri i të plagosurve me lëndime të rrezikshme për jetën që duhet të trajtohen jashtë vendit është 11 mijë dhe 10 mijë pacientë me kancer po ashtu janë në rrezik për vdekje për shkak të shërbimeve joadekuate shëndetësore”, thuhet në njoftim.

Duke theksuar situatën çnjerëzore në strehimoret e mbushura me njerëz ku u strehuan palestinezët e zhvendosur, në njoftim u raportua se mbi 1 milion raste të sëmundjeve infektive dhe më shumë se 8 mijë raste të “hepatitit A” u zbuluan si rezultat i zhvendosjes.

Në njoftim thuhet se 60 mijë gra shtatzëna dhe 350 mijë njerëz me sëmundje kronike në Gaza janë në rrezik për jetën për shkak të mungesës së kujdesit shëndetësor si pasojë e mungesës së ilaçeve.

Sipas njoftimit, ushtria izraelite ka arrestuar më shumë se 5 mijë palestinezë në Gaza që kur nisën sulmet në muajin tetor.

Zyra për media gjithashtu theksoi se ushtarët izraelitë arrestuan 310 punonjës shëndetësor dhe 20 gazetarë, si dhe 2 milionë njerëz u zhvendosën në Rripin e Gazës ku banojnë rreth 2.3 milionë banorë.

Dëme masive në shtëpi, spitale, shkolla e xhami

Raporti i zyrës për media në Gaza zbuloi se 86 mijë shtëpi u shkatërruan plotësisht në sulmet e Izraelit ndaj enklavës palestineze, ndërsa 294 mijë shtëpi u dëmtuan dhe janë të pabanueshme.

Zyra për media theksoi se ushtria izraelite shkatërroi 178 objekte qeveritare, 103 shkolla dhe universitete, ndërkohë 309 shkolla dhe universitete janë të dëmtuara plotësisht.

Në njoftim theksohet se ushtria izraelite gjithashtu dëmtoi 313 xhami në Gaza, 237 prej të cilave u shkatërruan plotësisht. Ushtria izraelite po ashtu shënjestroi tre kisha.

Më tej, theksohet se Izraeli shënjestroi 159 institucione shëndetësore në Gaza, paaftësoi 53 qendra shëndetësore dhe 32 spitale, si dhe i ktheu në të papërdorshme 126 ambulanca. Po ashtu thuhet se Izraeli shënjestroi trashëgiminë kulturore të Palestinës dhe shkatërroi 206 pasuri historike dhe kulturore në Gaza.

Izraeli ka ndërmarrë një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit të vitit të kaluar nga grupi i rezistencës palestinez Hamas kur sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz.

Izraeli gjithashtu ka vendosur një bllokadë në enklavën palestineze, duke e lënë popullsinë e saj në prag të urisë, veçanërisht banorët e Gazës veriore.

Sipas OKB-së, lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.