50 mld euro kundër Covid deri në 2027, BE do të dhurojë edhe 200 mln doza të tjera

Bashkimi Europian do të dhurojë edhe 200 milionë doza të tjera vaksine kundër COVID-19 për vendet më të varfra dhe do të mbyllë boshllëqet në furnizimet me vaksina brenda vetë rajonit, tha shefja ekzekutive e BE-së, të mërkurën.

Ursula von der Leyen deklaroi para Parlamentit Europian në një fjalim në Strasburg, se përparësia kryesore e BE-së ishte të përshpejtonte vaksinimin global, duke qenë se më pak se 1% e dozave të administruara globalisht kishin qenë në vende me të ardhura të ulëta.

Komisioni Europian, tha ajo, do të dhurojë 200 milionë doza për vendet me të ardhura të ulëta deri në mes të vitit të ardhshëm, përveç 250 milionë dozave që janë premtuar tashmë.

Presidentja e Komisionit tha gjithashtu se kishte vënë re “divergjenca shqetësuese” midis normave të vaksinimit në vendet anëtare të BE-së, duke shtuar se blloku ka siguruar 1.8 miliardë doza vaksine shtesë.

“Le të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që kjo të mos kthehet në një pandemi të njerëzve të pavaksinuar”, tha ajo.

Von der Leyen tha se Bashkimi Europian do të krijonte një autoritet të përgjigjes ndaj urgjencës shëndetësore, me qëllimin për të përmirësuar përgjigjen e bllokut ndaj kërcënimeve shëndetësore ndërkufitare.

Ajo propozoi të mërkurën që BE-ja të investojë 50 miliardë euro (59.1 miliardë dollarë) deri në vitin 2027, për të përmirësuar gatishmërinë dhe qëndrueshmërinë e saj ndaj kërcënimeve të ardhshme shëndetësore.

“Për t’u siguruar që asnjë virus nuk do ta kthejë më një epidemi lokale në një pandemi globale, nuk ka kthim më të mirë investimit se ky”, tha ajo. /monitor