Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Dy palestinezë, mes tyre një nxënës, vriten nga të shtënat e kolonëve...

Dy palestinezë, mes tyre një nxënës, vriten nga të shtënat e kolonëve pranë Ramallahut

Dy palestinezë, përfshirë një nxënës, u vranë dhe katër të tjerë u plagosën pas të shtënave me armë zjarri nga kolonë izraelitë të martën pasdite në fshatin al-Mughayyir, në lindje të Ramallahut.

Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se viktimat janë nxënësi 14-vjeçar Aws Hamdi Al-Naasan dhe 32-vjeçari Marzouq Abu Naim. Sipas njoftimit, tre persona të tjerë mbetën të plagosur nga plumbat gjatë një sulmi të kolonëve ndaj Shkollës së Djemve në al-Mughayyir.

Ministria shtoi se me vdekjen e dy viktimave, numri i palestinezëve të vrarë në Bregun Perëndimor gjatë kësaj dite është rritur në katër. Më herët, 16-vjeçari Muhammad Majdi al-Ja’bari u vra pasi u godit nga një automjet i drejtuar nga një kolon në Hebron, ndërsa 49-vjeçari Raja’ Fadl Bitawi ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat e ushtrisë izraelite në Jenin rreth dy vite më parë.

Ndërkohë, sipas Komisionit për Rezistencën ndaj Murit dhe Vendbanimeve, gjatë muajit mars janë regjistruar gjithsej 1,819 sulme nga forcat izraelite dhe kolonistët. Prej tyre, 1,322 sulme janë kryer nga forcat izraelite dhe 497 nga kolonistët.

Komisioni theksoi se shumica e sulmeve janë përqendruar në rajonin e Hebronit me 321 raste, i ndjekur nga Nablusi me 315, Ramallahu dhe al-Bireh me 292 dhe Jerusalemi me 203, duke treguar një përqendrim të dukshëm të sulmeve në këto zona. /mesazhi