Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Italia kërkon marrëveshje për rihapjen e sigurt të Ngushticës së Hormuzit

Italia kërkon marrëveshje për rihapjen e sigurt të Ngushticës së Hormuzit

Ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Antonio Tajani ka përsëritur thirrjen e vendit të tij për arritjen e një marrëveshjeje që do të sigurojë rihapjen e sigurt të Ngushticës së Hormuzit, si dhe ka theksuar prioritetin për arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm në Liban, transmeton Anadolu.

Gjatë një bisede telefonike me homologun e tij iranian Abbas Araghchi, Tajani tha se ka inkurajuar palën iraniane që të punojë shpejt drejt një zgjidhjeje konstruktive të krizës dhe të rivendosë marrëdhënie pozitive me vendet fqinje të Gjirit Persik.

“Është thelbësore të arrihet shpejt një marrëveshje për një armëpushim që garanton rihapjen e sigurt të Ngushticës së Hormuzit dhe konfirmon natyrën ekskluzivisht civile të programit bërthamor iranian”, shkroi Tajani në rrjetin social amerikan X.

Ai gjithashtu theksoi se i jep prioritet arritjes së një armëpushimi të qëndrueshëm në Liban, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të angazhohen për paqe të qëndrueshme dhe të përbashkët. “Italia është e gatshme të kontribuojë aktivisht në mbështetjen e dialogut dhe forcimin e stabilitetit në Liban dhe në të gjithë rajonin”, shtoi ai.

Dje, presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se Washingtoni do të zgjasë armëpushimin me Iranin për të lejuar kohë për përgatitjen e një propozimi të unifikuar nga Teherani, pas një kërkese nga zyrtarë pakistanezë.

Armëpushimi me Iranin, i shpallur fillimisht më herët këtë muaj, ishte planifikuar të përfundonte sot.

Ndërkohë, një armëpushim 10-ditor mes Libanit dhe Izraelit hyri në fuqi të premten ndërsa tensionet në rajon mbeten të larta pas përplasjeve të fundit.