Aeroplani del nga pista, 18 persona të plagosur në Rusi

Një aeroplan ka humbur kontrollin dhe ka marrë flakë në aeroportin e qytetit Soçi të Rusisë, transmeton Klan Kosova.

Avioni që vinte nga Moska, kishte 164 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit dhe sipas të dhënave zyrtare nuk është regjistruar ndonjë viktimë.

Të gjithë pasagjerët u evakuuan menjëherë, por ministria e Shëndetësisë në Rusi tha përmes një deklarate se 18 persona kishin pësuar lëndime si dhe gjashtë të tjerë janë shtruar në spital përfshirë këtu dy fëmijë.

Aeroplani i linjës ajrore ruse “UT Air”, doli nga pista në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës, duke thyer rrethojat e pistës për të përfunduar në bregun e një lumi.

Për shkak të këtij incidenti rreth 20 fluturime u vonuan ndërsa autoritetet e aviacionit rus po hetojnë incidentin.