Algjeria tërheq ambasadorin në Francë pas kritikave të Macron për ‘sistemin politiko-ushtarak’

Algjeria ka tërhequr ambasadorin e saj në Paris në shenjë proteste ndaj deklaratave që i atribuohen presidentit francez Emmanuel Macron, i cili thuhet se i referohej “një sistemi politiko-ushtarak” në pushtet në Algjer.

Presidenca algjeriane shprehu “refuzimin e çdo ndërhyrjeje në punët e saj të brendshme”, duke përmendur vërejtjet që thuhet se janë bërë nga presidenti, të cilat i përshkroi si “të papranueshme” dhe “të papërgjegjshme”.

Si përgjigje, Algjeri vendosi të thërrasë menjëherë për konsultim ambasadorin e tij, Mohamed Antar-Daoud.
Mediat algjeriane kanë transmetuar gjerësisht deklarata të kredituara për Macron, të publikuara të shtunën nga gazeta franceze ‘Le Monde’, duke i quajtur ato të pahijshme.

Sipas gazetës, presidenti bëri vërejtje kritike ndaj ish-kolonisë së tij gjatë një takimi të enjten me pasardhësit e protagonistëve në luftën e pavarësisë algjeriane nga 1954-‘62.

Marrëdhëniet midis Parisit dhe Algjerit tashmë ishin të tendosura. Një ditë më parë, ambasadori francez në Algjeri, François Gouyette, u thirr në ministrinë e jashtme në shenjë proteste kundër vendimit të Parisit për të përgjysmuar numrin e vizave të dhëna për algjerianët që dëshirojnë të udhëtojnë në Francë.

Lëvizja nuk do të kishte “asnjë ndikim” për studentët dhe njerëzit e biznesit, por ideja ishte “të mërzisnim njerëzit” nga elita në pushtet që “aplikonin me lehtësi për viza”, citoi ‘Le Monde’, Emmanuel Macron.

Javën e kaluar, qeveria franceze tha se po shkurtonte numrin e vizave në dispozicion për vendet e Magrebit, përfshirë Algjerinë, duke përmendur refuzimin e tyre për të marrë përsëri emigrantët ilegalë. /euronews