Altun: Pretendimet armene janë një shpifje e ushqyer nga llogaritë politike

Fahrettin Altun mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare mbi Ngjarjet e 1915-s, organizuar nga Drejtoria e Komunikimeve të Presidencës për të trajtuar sfondin historik, dimensionin ligjor dhe pasqyrimet e sotme të ngjarjeve të vitit 1915.

Duke folur në hapje të konferencës në fjalë, mbajtur në mjedis virtual, Altun rikujtoi se gjatë Luftës I Botërore, bandat armene bashkëpunuan me armiqtë që sulmuan territoret osmane, duke qëlluar pas shpine shtetin ku jetonin; dhe se armenët që jetonin në rajone të caktuara, u zhvendosën për të mbrojtur civilët dhe atdheun në kushte lufte.

Teksa zbatohej kjo masë sigurie – vijoi ai – fatkeqësisht, në kushtet e luftës së dhunshme që po vazhdonte me gjithë ashpërsinë e saj, ndodhën edhe ngjarje të padëshirueshme, me viktima si në radhët e turqve ashtu edhe të armenëve, duke shkaktuar vuajtje e dhimbje që përbëjnë gjithashtu bazën e debateve, madje edhe të shpifjeve që kanë ardhur deri më sot.

“Sot ne po përballemi me një ritregim që tundohet të krijojë armiqësi nga historia, duke shtrembëruar të kaluarën e përbashkët të popullit turk e atij armen, të cilët kanë bashkëjetuar në paqe për shekuj me radhë. Dhe ne kundërshtojmë pikërisht këtë ritregim”, u shpreh Altun.

“Ne s’bëjmë dallim ndërmjet vuajtjeve e dhimbjeve të përjetuara në çdo skaj të këtyre territoreve. Ne e dimë shumë mirë që njerëzit kanë jetuar si vëllezër në këto treva për shekuj të tërë, pavarësisht të kaluarës dhe përkatësisë së tyre fetare, etnike e sektare”, shtoi drejtori i Komunikimeve të Presidencës së Turqisë.

Pasi vuri në pah se arsyeja pse debatet rreth asaj çfarë ka ndodhur në 1915-n vazhdojnë edhe pas më shumë se 100 vitesh, është “këmbëngulja dhe kokëfortësia për t’i trajtuar ngjarjet e vitit 1915 në tërësi si një çështje politike dhe ideologjike”, Altun potencoi se disa qarqe të caktuara po e zhvendosin çështjen në një mjedis politik dhe ideologjik për ta instrumentalizuar dhe bërë atë të favorshme për synime imperiale.

“Është e qartë se qasjet aktuale politike që gjithnjë janë në ndryshim, nuk do të jenë në gjendje t’i shohin çështjet historike 100-vjeçare në mënyrë të shëndetshme. Kur politizohen, është e pashmangshme që çështje të tilla historike të përdoren në diskutimet e përditshme boshe”, tha Altun duke theksuar se vendimet që i marrin parlamentet e ndryshme në lidhje me çështjet e diskutueshme historike, nuk i bëjnë ata demokratë, por imponues dhe tiranë.

Mes të tjerash, drejtori i Komunikimeve të Presidencës rikujtoi thirrjen e kreut të shtetit turk, Recep Tayyip Erdogan, për “hapje të arkivave dhe qasje shkencore” në lidhje me ngjarjet e vitit 1915.

“Kjo është një thirrje për të vërtetën. Prandaj thirrja jonë për të drejtën është një tregues i sinqeritetit tonë në lidhje me këtë çështje”, u shpreh Fahrettin Altun. /trt