“Amnesty International”: Të bllokohet anija gjermane që transporton pjesë armësh në Izrael

Amnesty International sot u bëri thirrje qeverive të parandalojnë ankorimin në portet e tyre të një anijeje mallrash në pronësi gjermane që transporton komponentë ushtarakë me destinacion Izraelin, duke paralajmëruar se ngarkesa rrezikon të kontribuojë në gjenocid dhe krime të tjera të rënda sipas ligjit ndërkombëtar, transmeton Anadolu.

Anija me flamur portugez “Holger G” raportohet se transporton rreth 440 tonë pjesë bombash mortaje, predha dhe çelik të gradës ushtarake. Sipas Amnesty International, ngarkesa është e destinuar për kompanitë kryesore të mbrojtjes izraelite, përfshirë Elbit Systems dhe degën e saj IMI Systems, të cilat i furnizojnë sasi të mëdha armësh ushtrinë izraelite.

Amnesty tha se ka verifikuar se anija po transporton aliazhe metalike të përdorura në predha artilerie si dhe artikuj që besohet të jenë nënsisteme dhe komponentë që mund të përdoren në predha dhe raketa. “Holger G” u nis nga India më 16 nëntor dhe është në rrugë drejt portit izraelit të Haifës, ku pritet të dorëzohet ngarkesa.

Drejtoresha e lartë e Amnesty International për kërkim, avokim, politika dhe fushata, Erika Guevara Rosas tha se “Qindra tonë ngarkesë vdekjeprurëse në bordin e ‘Holger G’ nuk duhet të arrijnë në Izrael. Ekziston rrezik i qartë se ky transport kolosal do të kontribuojë në kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të tjera sipas ligjit ndërkombëtar kundër palestinezëve”.

“Izraeli vazhdon të kryejë gjenocid kundër palestinezëve në Gaza, ndërsa ruan pushtimin e paligjshëm të territorit të pushtuar palestinez dhe zbaton sistem aparteidi kundër të gjithë palestinezëve, të drejtat e të cilëve i kontrollon, së bashku me shkelje të tjera serioze të ligjit ndërkombëtar. Shtetet që vazhdojnë biznesin si zakonisht me Izraelin rrezikojnë bashkëpunim në gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte”, shtoi ajo.

Amnesty po u kërkon qeverive të vendosin embargo gjithëpërfshirëse armësh ndaj Izraelit dhe të refuzojnë autorizimin për tranzitin e armëve. Amnesty tha se Portugalia si shteti flamur i anijes dhe palë në Traktatin e Tregtisë së Armëve ka përgjegjësinë të bëjë çdo përpjekje për të ndaluar ngarkesën.

Organizata kritikoi kompaninë gjermane të transportit detar “Reederei Gerdes” duke thënë se duhet të sigurojë që ajo të mos kontribuojë në shkeljet e ligjit ndërkombëtar humanitar dhe të të drejtave të njeriut.

Amnesty paralajmëron se shtetet që lehtësojnë transferimet e armëve në Izrael mund të veprojnë në kundërshtim me Konventat e Gjenevës dhe Traktatin e Tregtisë së Armëve si dhe udhëzimet e lëshuara nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në korrik 2024.

Palestinezët akuzojnë Izraelin për shkelje të përsëritur të marrëveshjes së armëpushimit që ndaloi luftën dyvjeçare që ka vrarë gati 70.700 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë dhe ka plagosur mbi 170 mijë të tjerë që nga tetori 2023.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të paktën 395 palestinezë janë vrarë dhe 1.088 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite që nga armëpushimi.