Anadolu Agency siguron pamjet e operacionit në të cilin dyshohet se u vra kreu i DEASH-it

Anadolu Agency (AA) ka siguruar një video të operacionit të kryer nga opozita ushtarake siriane në provincën Daraa të Sirisë, në të cilin dyshohet se u vra kreu i grupit terrorist DEASH Abu al-Hassan al-Hashimi al-Qurayshi.

Pamjet tregojnë momentet e bastisjes me armë të rënda në shtëpinë ku dyshohet se ndodhej lideri i DEASH-it.

Më 15 tetor, opozita ushtarake në Siri njoftoi se neutralizoi një grup anëtarësh të DEASH-it në Daraa.

Grupi opozitar, i kontaktuar nga AA, tha se ata kryen një operacion në tre lokacione të ndryshme në Daraa në datat 14-15 tetor dhe neutralizuan rreth 30 anëtarë të DEASH-it.

Të mërkurën, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha se një ish-udhëheqës i DEASH-it u vra në provincën Daraa të Sirisë muajin e kaluar.

Abu al-Hassan al-Hashimi al-Qurayshi u vra në mes të tetorit gjatë një operacioni të Ushtrisë së Lirë Siriane, tha komanda, duke vënë në dukje “DEASH mbetet kërcënim për rajonin”.

“CENTCOM dhe partnerët tanë mbeten të përqendruar në mposhtjen e qëndrueshme të DEASH-it”, tha në një deklaratë zëdhënësi kolonel Joe Buccino.

Grupi terrorist DEASH më herët konfirmoi vdekjen e liderit të tij në një audio-deklaratë. Vdekja është e dyta e një lideri të DEASH-it pas një sulmi të SHBA-së në shkurt në veriperëndim të Sirisë që çoi në vdekjen e Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi-t, paraardhësit të njeriut të vrarë muajin e kaluar.