Anija e Nuhut dhe Flotilja “Sumud”

Dr. Zenel Hajdini

-Dy simbole shprese-

Njeriu që nga krijimi i tij ka kërkuar gjithmonë qetësinë dhe sigurinë. Paqja është gjendja më e nevojshme për shpirtin, familjen dhe shoqërinë. Në mungesë të saj, edhe pasuritë më të mëdha humbin vlerën, edhe fitoret më të mëdha shndërrohen në plagë, sepse njeriu nuk gëzon dot lumturi pa paqe.

Por paqja nuk është vetëm ndjenjë, ajo është edhe detyrim. Ajo kërkon durim dhe sakrificë. Historia na mëson se shpeshherë luftërat e gjata kanë marrë fund vetëm atëherë kur palët kanë zgjedhur paqen.

Për këtë edhe Ibrahimi a.s., kur i vendosi themelet e Qabes, u lut për atë dhe Meken në përgjithësi… “Zoti im, bëje këtë vend, një qytet të sigurt…” (El-Bekare: 126)

Prandaj, Islami erdhi si fe që e vendosi paqen në themel të saj. Nuk është rastësi që përshëndetja jonë e përditshme është “Es-selamu alejkum” – paqja qoftë mbi ju. Kjo tregon se para se të japim fjalë të tjera, para se të pyesim për halletë, brengat apo gëzimet, ne ia dhurojmë njëri-tjetrit paqen.

Një nga emrat e bukur të Allahut është Es-Selâmu – Paqevënësi, Ai që është i pastër nga çdo mangësi dhe Ai që u jep siguri dhe qetësi krijesave të Tij. Allahu i Madhëruar e thotë këtë në Kuranin famëlartë: “Ai është Allahu, që nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Tij, Sunduesi, i Shenjti, Paqevënësi…” (El-Hashr, 23)

Ndërsa, Pejgamberi a.s., thoshte: “Përhapeni selamin (përshëndetjen me paqe), ushqeni të uriturit, mbani lidhjet farefisnore, dhe faluni natën kur njerëzit flejnë; do të hyni në xhenet.” (Tirmidhiu).

Kjo na mëson se Islami është fe e paqes, e sigurisë dhe e mëshirës, ndërsa besimtari i vërtetë është ai që është burim i paqes për të tjerët.

Pejgamberi a.s., kur bëri shpërnguljen në Medine, bëri marrëveshje në mes muslimanëve dhe fiseve të tjera që ishin aty, duke vendosur themele të paqes dhe bashkëjetesës. Ai vendosi rregulla që të gjithë të jetonin të mbrojtur dhe të sigurt.

Ky akt tregoi se paqja dhe gjaku i njerëzve janë më të shtrenjta se krenaria momentale.

Arritja e Paqes nuk është dobësi, por është madhështi, është shenjë e imanit. Paqja me Allahun është nëpërmjet bindjes ndaj Tij, paqja me njerëzit është nëpërmjet drejtësisë, dhe paqja me veten është nëpërmjet pendimit dhe largimit nga mëkati.

Por, njëkohësisht Islami nuk është dorëzim para padrejtësisë. Paqe nuk do të thotë heshtje ndaj tiranisë. Pejgamberi a.s., na mësoi të ruajmë gjakun dhe nderin e njerëzve, por edhe të ngrihemi kundër zullumit. Sepse zullumi ekziston jo sepse Allahu e do dhe është i padrejtë, por sepse kjo botë është provë, dhe se fundi për zullumqarët është i pashmangshëm!

Sot, bota jonë është plot plagë, konflikte dhe luftëra. Shumë vende vuajnë nga mungesa e paqes. Një nga plagët më të dhimbshme është Gaza. Një popull që kërkon të jetojë i lirë, të ushqejë fëmijët e vet, të ndërtojë shtëpi mbi tokën e vet, por që vazhdimisht i mohohet një gjë e tillë.

Ata nuk gëzojnë as paqen më minimale. Flotilja e ndihmave që deshi të dërgojë ushqim dhe ilaçe për popullin e rrethuar që sa kohë u pengua dhe fëmijët, pleq e gra mbeten pa ushqim e ilaçe. Kjo është dëshmi e padrejtësisë, zullumit e gjenocidit që po ndodh para syve të botës… dhe nuk ka gjë, vetëm heshtje.

Kjo anije ishte e ngjashme me atë të Nuhut a.s… Anija e Nuhut a.s., ishte simbol i shpëtimit në një kohë kur padrejtësia dhe mohimi kishin mbuluar tokën. Ajo nuk ishte vetëm dru e gozhda, por ishte mjeti i mëshirës së Allahut për të ruajtur besimtarët dhe për të mbajtur të gjallë shpresën e një bote të re të bazuar mbi drejtësi, besim dhe mëshirë. Në të hipën ata që iu përgjigjën thirrjes së Zotit, dhe me të u shpëtua e ardhmja e njerëzimit.

Po ashtu, flotilja “Sumud” nuk ishte vetëm disa anije me ushqime dhe barna, por ishte simbol i shpresës dhe qëndresës për një popull të rrethuar nga zullumi dhe padrejtësia. Ajo përfaqësonte zërin e ndërgjegjes njerëzore, thirrjen për mëshirë dhe solidaritet me të shtypurit. Ashtu siç anija e Nuhut ishte mesazh hyjnor se drita nuk shuhet nga errësira, edhe flotilja “Sumud” ishte mesazh tokësor se e drejta nuk shuhet nga forca.

Nëse anija e Nuhut a.s. shpëtoi besimtarët nga përmbytja e ujit, flotilja “Sumud” u përpoq të shpëtonte një popull nga përmbytja e gjakut dhe urisë. Të dyja bartin të njëjtën frymë: besimin se, edhe në errësirën më të madhe, një anije shprese mund të hapë rrugë drejt shpëtimit.

Ndoshta, mund të na habit fakti se si një grup i vogël do të ballafaqoheshin me tiranët e kohës… por kështu u habitën dhe u tallën edhe me Nuhun a.s., megjithatë koha do të tregoj se kjo flotilje do të mbetet si dëshmi historike e gjenocidit që po ndodh në Gaza.

Prandaj, ne, si besimtarë, kemi detyrë të lutemi, të japim ndihma dhe të jemi zë kundër zullumit, sa të kemi mundësi.

Allahu iu ndihmoftë vëllezërve tanë në Gaza, iu dhëntë durim e fitore dhe ua lehtësoftë zhbllokimin.

Dr. Zenel Hajdini