Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Arab News: Koha që huthinjtë të shpallen “armiqtë e Allahut”

Arab News: Koha që huthinjtë të shpallen “armiqtë e Allahut”

Sipas medias saudite, ata kanë kryer shkeljen më të rëndë me shënjestrimin e vendeve më të shenjta të Islamit

Ata e quajnë veten “Ansar Allah”, që do të thotë “Përkrahësit e Allahut”. Por realiteti i veprimeve të tyre nuk mund të jetë më larg këtij pretendimi, shkruan Arab News.

Kë përkrahin huthinjtë në të vërtetë? Jo Allahun. E sigurt është se nuk përkrahin as Islamin. Ata kanë kryer shkeljen më të rëndë duke sulmuar vendet më të shenjta të Islamit.

Kanë lëshuar raketa drejt Mekës dhe Medinës, qyteteve ku ka ecur Profeti, ku ndodhet Qabja, drejt së cilës kthehen në lutje të gjithë myslimanët e botës, dhe ku miliona besimtarë udhëtojnë çdo vit për të kryer Haxhin dhe Umren.

Vënia në shënjestër e këtyre vendeve të shenjta nuk përbën thjesht një krim kundër Arabisë Saudite. Ajo është një akt lufte kundër çdo myslimani që pesë herë në ditë përkulet në drejtim të Qabes. Është një sulm ndaj vetë shpirtit të Islamit.

Ironia është e dukshme. Ndërsa paraqiten si “Përkrahësit e Allahut” dhe brohorasin slogane për vdekjen e Shteteve të Bashkuara dhe të hebrenjve, huthinjtë janë përqendruar në masakrimin e bashkëkombësve jemenas dhe në sulmet kundër fqinjëve sauditë.

Mjafton të kujtojmë gjakderdhjen në aeroportin ndërkombëtar King Khalid të Riadit, në fillim të këtij muaji. Raketat balistike dhe dronët e huthinjve goditën udhëtarë të pafajshëm, burra, gra e fëmijë, të cilët po përgatiteshin të hipnin në avionë për pelegrinazh, për punë ose për t’u bashkuar me familjet e tyre.

Dokumentari “Para hipjes në avion: dëshmi dhe rrëfime”, i publikuar nga Ministria e Gardës Kombëtare e Arabisë Saudite, e dokumenton tmerrin e asaj që ndodhi me hollësi tronditëse.

Shtetasi saudit Abdulhameed Al-Sharari tregoi se dëgjoi një shpërthim të ngjashëm me një bubullimë, jehona e të cilit vazhdon ta përndjekë.

Në mes të kaosit, ai ndihmoi udhëtarët e huaj të gjenin pasaportat, dëgjoi një grua që kërkonte ndihmë dhe vrapoi drejt saj. Por u trondit nga plagët e thella që kishte marrë.

Pa mikun e tij të mbuluar me gjak dhe kuptoi se edhe krahu i vet po i rridhte gjak. Një burrë egjiptian i kërkoi ujë. Më vonë, Al-Sharari mësoi se ai kishte vdekur.

Francezja Chloe Catherine, ndëgjoi shpërthimin dhe pa pasagjerët që vraponin në drejtime të ndryshme. Shumë shpejt kuptoi se ishte plagosur rëndë dhe, ndërsa humbiste gjak me shpejtësi, pati frikë se askush nuk do ta gjente.

Ajo telefonoi mikun e saj, Kirit Brett, i cili përshkoi mes tymit dhe flakëve rrugën drejt saj, mes dhjetëra pasagjerëve të plagosur.

Maher Al-Ansari kujtoi ndërprerjen e energjisë elektrike, copëzat që binin nga tavani dhe të plagosurit që ndihmonin të tjerët, në mënyrë që ekipet e ambulancave të mund t’i nxirrnin nga rrënojat.

“Heronj”, i quajti Al-Sharari ushtarët sauditë që i shpëtuan jetën. “Ata kanë qenë gjithmonë heronj!”. Bilanci ishte tragjik: 13 të vdekur dhe 300 të plagosur në një sulm të vetëm.

Gjatë pesë ditëve të sulmeve ndaj aeroportit, u vranë gjithsej 18 persona dhe u plagosën më shumë se 333 të tjerë.

Mes viktimave ishin shtetaset saudite Taqwa Radwan, Lamis Asiri, Munira Al-Anazi dhe Maryam Ibrahim Sulaiman Al-Namlah; Azza Ramzi, 28 vjeçe, stjuardesë egjiptiane; Mohammed Hussein Al-Barqawi, 33 vjeç, baba i dy fëmijëve nga Jordania; Talal Al-Dhani, 63 vjeç, baba i gjashtë fëmijëve nga Palestina; Mohammed Yousuf Ali, inxhinier indian i teknologjisë së informacionit, i cili po udhëtonte me familjen për të kryer Umren; si dhe një shtetas amerikan.

Këta njerëz nuk ishin luftëtarë. Ishin pelegrinë, prindër, njerëz me familje dhe me jetë përpara. Këshilli i Dijetarëve të Lartë të Arabisë Saudite, institucioni më autoritativ fetar i vendit, ka dhënë edhe vlerësimin e tij.

Veprimet e huthinjve, deklaroi Këshilli, “përbëjnë terrorizëm sipas çdo kriteri”. Kërcënimi që ata paraqesin “nuk është më pak i rrezikshëm se ai i Daeshit dhe Al-Kaedës”.

Sipas Këshillit, ata “përhapin korrupsion në tokë dhe ushtrojnë agresion kundër myslimanëve”. Përpjekjet për të vënë në shënjestër vizitorët e Xhamisë së Madhe në Mekë dhe të Xhamisë së Profetit në Medinë përbëjnë “një mëkat dhe akt agresioni edhe më të rëndë”.

Në deklaratën e tij, Këshilli iu referua vargjeve të Kuranit që dënojnë ata që “i bëjnë luftë Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe përhapin korrupsion në tokë”.

Ai u bëri thirrje të gjithë myslimanëve të dënojnë huthinjtë dhe të bashkohen kundër atyre që sulmojnë vendet e shenjta të Islamit.

Edhe Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit i ka dënuar “me termat më të ashpër sulmet e vazhdueshme të milicisë huthi kundër Arabisë Saudite, përfshirë vënien në shënjestër të Dy Xhamive të Shenjta dhe zonave përreth tyre”. Ai i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare ta shpallë këtë grup organizatë terroriste.

Shtetet e Bashkuara i kanë klasifikuar tashmë huthinjtë si organizatë të huaj terroriste, në një prej vendimeve të para të presidentit Donald Trump pas rikthimit në detyrë. Edhe Kanadaja dhe Australia kanë ndërmarrë të njëjtin hap.

Parlamenti Evropian ka miratuar një mocion që e dënon ofensivën e huthinjve si “shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare” dhe kërkon përfshirjen e grupit në listën terroriste të Bashkimit Evropian.

Lord Sarfraz, anëtar i Dhomës së Lordëve në Mbretërinë e Bashkuar, i ka shkruar qeverisë britanike duke i kërkuar të rishqyrtojë refuzimin për ta shpallur grupin organizatë të ndaluar.

“Sulmi ndaj aeroportit të Riadit ishte një pikë kthese. Ai përforcon seriozitetin e kërcënimit”, ka shkruar ai. Por krimet e huthinjve nuk kufizohen vetëm brenda kufijve të Arabisë Saudite.

Në Jemen, ata kanë lënë popullsinë pa ushqim, kanë rekrutuar fëmijë si ushtarë, kanë shtypur gratë dhe e kanë shndërruar një vend me histori e dinjitet në një katastrofë humanitare.

Po ashtu, ata kanë sulmuar anijet tregtare në Detin e Kuq, duke kërcënuar tregtinë globale dhe jetesën e miliona njerëzve. Kanë lëshuar dronë dhe raketa kundër infrastrukturës civile në vende të ndryshme të rajonit.

Kanë rrëmbyer, torturuar dhe vrarë kundërshtarë politikë. Kanë sulmuar pelegrinët në aeroporte dhe gjatë udhëtimeve të tyre drejt vendeve të shenjta. Duke i drejtuar armët nga Meka dhe Medina, kanë përdhosur shenjtërinë e qyteteve ku ndodhen vendet më të rëndësishme të adhurimit në Islam.

Dhe të gjitha këto i kanë bërë duke u mbështjellë me petkun e fesë, duke pretenduar se janë “Përkrahësit e Allahut”. Le të mos ketë asnjë paqartësi: huthinjtë nuk janë “Ansar Allah”. Ata janë “Ansar Al-Shejtan” – përkrahësit e Satanait.

Bombat e tyre kundër pelegrinëve, sulmet ndaj aeroporteve dhe kërcënimet ndaj xhamive të shenjta zbulojnë qëllimet e tyre të vërteta. Sundimi i tyre përmes terrorit në Jemen, në Arabinë Saudite dhe në rajon dëshmon se kujt i shërbejnë në të vërtetë.

Këshilli i Dijetarëve të Lartë ka folur. Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit ka folur. Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Australia dhe Parlamenti Evropian kanë shprehur qëndrimet e tyre. Të mbijetuarit e masakrës në aeroport kanë dëshmuar përmes lotëve dhe plagëve të tyre.

Pjesa tjetër e botës duhet t’i dëgjojë. Bashkësia ndërkombëtare duhet ta emërtojë këtë milici terroriste ashtu siç është dhe ta mbajë përgjegjëse për çdo raketë, çdo dron dhe çdo pikë gjaku të derdhur pafajësisht.

Huthinjtë i kanë shpallur luftë Allahut, të Dërguarit të Tij, qyteteve të Tij të shenjta dhe të gjithë atyre që e adhurojnë. Ata janë armiqtë e Allahut, përfundon shkrimi i Arab News. /tesheshi