Arabia Saudite thirrje për zgjidhje politike të konfliktit sirian

Faisal bin Farhan

Arabia Saudite bëri thirrje për një zgjidhje politike të konfliktit sirian, raporton Anadolu Agency (AA).

“Mbretëria është e prirur të ruajë sigurinë dhe stabilitetin e Sirisë dhe mbështet të gjitha përpjekjet që synojnë gjetjen e një zgjidhjeje politike për krizën siriane”, tha ministri i Jashtëm Princi Faisal bin Farhan në samitin e 31-të arab në Algjeri.

Anëtarësimi i Sirisë në Ligën Arabe me bazë në Kajro u pezullua në vitin 2011 për shkak të shtypjes së ashpër të protestave pro-demokratike nga regjimi i Bashar al-Asadit.

Të martën, Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit, bëri thirrje për arritjen e një zgjidhjeje për konfliktin sirian.

“Zhvillimet në Siri kërkojnë ende një përpjekje pioniere arabe”, tha Aboul Gheit në samit.

“Është e nevojshme të tregohet fleksibilitet nga të gjitha palët në mënyrë që kolapsi ekonomik dhe bllokimi politik të mund të zgjidhen. Siria duhet të angazhohet në mjedisin e saj natyror arab”, tha ai.

Samiti dyditor arab u mbyll vonë të mërkuren. Ky ishte samiti i parë që u mbajt në tre vjet që nga shpërthimi i pandemisë së koronavirusit. Tunizia ishte e fundit që priti samitin në vitin 2019.