Arrin në 56 numri i të vdekurve nga koronavirusi në Kinë

Numri i viktimave nga përhapja e koronavirusit të ri (2019-nCoV) në qytetin Wuhan të Kinës është rritur në 56, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e Komisionit Kombëtar të Shëndetit në Kinë thuhet se si pasojë e epidemisë 2019-nCoV në të gjithë vendin kanë humbur jetën 56 persona ndërsa janë prekur mbi 1.975 të tjerë nga të cilët 324 në gjendje të rëndë.

Sipas shpërndarjes në qytete dhe rajone, 52 persona kanë humbur jetën në Hubei, 1 në Hainan, 1 në Hebei, 1 në Heilongchiang dhe 1 në Shangai. Ndërsa është rritur në 2.684 numri i personave të dyshuar se janë prekur nga virusi.

Komisioni njoftoi se janë zbuluar 688 raste të reja në 24 orët e fundit dhe se numri i personave nën vëzhgim që kanë kontaktuar me të infektuarit është 21.556. Gjithashtu thuhet se 49 të infektuar janë liruar nga spitali pasi janë shëruar.

Në rajonet speciale administrative të venedit nga virusi janë prekur 5 persona në Hong Kong, 2 në Macau dhe 3 në Tajvan.

Ndërkohë që përveç Kinës raste të virusit janë vërejtur edhe tek 3 persona në Tailandë, 2 në Japoni, 2 në Korenë e Jugut, 2 në SHBA, 2 në Vietnam, 3 në Singapor, 3 në Malajzi, 1 në Nepal, 3 në Francë dhe 1 në Australi. Ndërkohë që janë shëruar 1 rast në Japoni dhe 2 raste në Tailandë.