Ballina Artikuj Asketizmi pozitiv

Asketizmi pozitiv

Dr. Selman Aude

Asketizmi (zuhdi) para së gjithash është një gjendje e zemrës, përpara se të jetë një realitet i jashtëm. Ai është një përkushtim dhe bindje shpirtërore ndaj Zotit, përpara se të jetë një sjellje me tipare të përcaktuara qartë.

Këtë e dëshmojnë objektivat e sheriatit, si edhe tekstet fetare dhe fjalët e dijetarëve të hershëm dhe imamëve.

I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Pasuria e vërtetë nuk qëndron në bollëkun e të mirave materiale, por pasuria e vërtetë është pasuria e shpirtit.”[1]

Hasan Basriu ka thënë: “Asketizmi nuk është t’i ndalosh vetes gjërat e lejuara dhe as ta shpërdorosh pasurinë, por që besimi yt në atë që gjendet tek Allahu i madhëruar të jetë më i madh se besimi yt në atë që ti posedon.”

Ndërsa Sufjan Theuri, kur u pyet për asketizmin, tha: “Ai është shkurtimi i shpresave të gjata dhe se ai nuk qëndron te veshja e rrobave të ashpra apo te ngrënia e ushqimit të thjeshtë dhe të rëndomtë.”

Asketizmi mbart një kuptim dhe gjendje shpirtërore që mbush zemrën dhe më pas ushqen gjymtyrët me pozitivitet, punë dhe përpjekje, e jo me dembelizëm, plogështi dhe dorëzim. Prandaj, format e asketizmit që çojnë në pasivitet dhe përtaci janë kritikuar hapur dhe me guxim nga dijetarët e hershëm e të mëvonshëm, si dhe nga përfaqësuesit e sufizmit të moderuar, si Ibn Xheuzi, Ibn Tejemije dhe të tjerë.

Sa i përket heqjes dorë nga pasuria dhe jeta e kësaj bote, ajo nuk është gjithmonë një cilësi e lavdërueshme. Disa njerëz që sprovohen me shumë pasuri mund të bien në sëmundje të caktuara të shpirtit dhe karakterit, si: mendjemadhësia, arroganca, përçmimi i të tjerëve, vetëlavdërimi dhe egoizmi.

Allahu i Lartësuar thotë: “Por vërtet që njeriu shkel çdo cak, kur mendon se është i vetëmjaftueshëm”[2]

Po ashtu, edhe disa prej atyre që heqin dorë nga kjo botë mund të bien në mangësi të tjera, si: vetëpëlqimi, bindja se janë të përsosur, mendimi se vetëm ata janë të mirë dhe të drejtë, si dhe dyshimi i keq ndaj njerëzve. Njëri mund ta shohë veten si asket, ta konsiderojë këtë si një lloj lavdie dhe nderi, madje të kërkojë përmes saj një pozitë të veçantë tek njerëzit dhe këto janë sëmundje shpirtërore shkatërruese.

Thelbi i të gjitha këtyre çështjeve qëndron te zemra, vullneti dhe qëllimi. Ai që përpiqet të fitojë pasuri me synimin për t’u sjellë dobi njerëzve dhe për të hapur projekte bamirësie , shpërblehet nga Allahu. Prandaj, jo çdo njeri që kërkon pasuri është i qortueshëm apo i dënueshëm

Asketizmi, sipas kuptimit islam, nuk është një mjet për të dobësuar vendosmërinë dhe për të nxitur mbështetjen pasive te të tjerët, as nuk është në kundërshtim me kënaqësitë e lejuara, me shijen e bukur apo me ndërtimin dhe zhvillimin e tokës. Përkundrazi, kuptimet negative që i atribuohen ndonjëherë asketizmit janë një trashëgimi e shtrembëruar që nuk ka lidhje me fenë Islame.

Asketizmi islam është një vlerë që fisnikëron ndjenjat dhe ndërgjegjen, dhe e shtyn njeriun të punojë për idealet dhe qëllimet e tij. Ai është një veprim pozitiv, i mençur dhe i ekuilibruar.

Dashuria për pasurinë dhe jetën është pjesë e natyrës njerëzore. Allahu i Lartësuar thotë:

“Vërtet, ai është i babëzitur për pasuri.”

“dhe e doni pasurinë me një dëshirë të pakufishme.”

Njeriu, sipas natyrshmërisë së tij, e do jetën dhe e urren vdekjen. Profetët e Allahut ishin shembull në këtë drejtim; ata gëzonin të mirat dhe pasurinë. Madje, Sulejmani kërkoi një mbretëri që nuk do t’i jepej askujt pas tij, duke thënë: “Zoti im, më fal dhe më dhuro një mbretëri që nuk do t’i takojë askujt pas meje.”

Prandaj, ata zotëronin pasuri me të cilën përmbushnin të drejtat e Allahut dhe detyrimet që Ai ua kishte ngarkuar.

Prandaj, pasuria në këtë botë nuk është diçka e papastër apo e keqe në vetvete. Nuk kërkohet nga myslimani që të largohet prej saj ose ta shohë me frikë e neveri vetëm për shkak të vetë ekzistencës së saj.

Vlerat e fesë janë të lidhura me punën, me pozitivitetin, me jetën dhe me prodhimtarinë. Shpërblimi tek Allahu lidhet me veprimin, kontributin, përkushtimin dhe shërbimin ndaj të tjerëve. Tekstet fetare që e mbështesin këtë janë të panumërta.

Abulla ibn Mesudi ka thënë: “Nuk më pëlqen të shoh një njeri të papunë, që nuk merret as me punët e kësaj bote dhe as me punët e botës tjetër.”

Pra, Allahu i Madhëruar ka caktuar forma të ndryshme adhurimi për krijesat e Tij, secilin sipas gjendjes dhe mundësive të veta.

I pasuri e adhuron Allahun përmes pasurisë së tij.

I forti e adhuron Allahun përmes forcës së trupit të tij.

Sundimtari ose udhëheqësi e adhuron Allahun përmes drejtimit dhe autoritetit të tij.

Administratori e adhuron Allahun përmes vendimeve të drejta që merr.

Mendimtari e adhuron Allahun përmes mendjes dhe ideve të tij.

Intelektuali e adhuron Allahun përmes mendimit dhe qëndrimeve të tij.

I varfri e adhuron Allahun përmes dinjitetit, vetëpërmbajtjes dhe durimit të tij.

Çdo njeri ka një lloj adhurimi që lidhet me natyrën e jetës që ai jeton.

Prandaj, asketizmi nuk duhet kuptuar si qëndrim negativ ndaj jetës dhe njerëzve. Përkundrazi, ai edukon njeriun drejt moderimit në shfrytëzimin e kënaqësive të kësaj bote, pa tepruar dhe pa ekzagjerim, dhe pa u zhytur në çdo dëshirë apo pasion pa vetëkontroll dhe pa një ndjeshmëri të lartë shpirtërore; sepse kjo mund ta çojë njeriun në haram.

Sa i përket shijimit të të mirave të lejuara me maturi, Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: “Kush i ka penguar stolitë dhe ushqimet e këndshme, të cilat Ai i ka krijuar për robërit e Vet?”

Mund të thuhet se asketizmi është një gjendje e veçantë që shërben për të trajtuar disa prirje të tepruara epshore ndaj kësaj bote dhe zhytjen e thellë në të, me qëllim arritjen e ekuilibrit në të, ruajtjen e të drejtës së Allahut në të dhe të drejtës së njerëzve, si dhe përkujtimin e të varfërve, të sëmurëve dhe të uriturve.

Asketizmi mund të jetë i dobishëm për disa njerëz dhe t’i përmirësojë ata, ndërsa për të tjerë mund të jetë i dëmshëm nëse nuk u përshtatet. Ai është i lidhur me gjendjen psikologjike të njeriut dhe mënyrën e tij të të jetuarit dhe të përballjes me jetën.

Kjo përmendet në një hadith ku thuhet: “Nga robërit e Mi besimtarë ka prej atyre që nuk i përmirëson veçse pasuria; dhe nëse do t’ia ngushtoja furnizimin, kjo do ta prishte atë dhe nga robërit e Mi besimtarë ka prej atyre që nuk i përmirëson veçse varfëria; dhe nëse do t’ia zgjeroja furnizimin, kjo do ta prishte atë.”[3]

Asketizmi në kuptimin pozitiv është një koncept hyjnor,jo një koncept murgjërie. Ai thërret për punë, jo për përtaci. Ai i edukon shpirtrat, i pastron ata nga papastërtitë e shtirjes, vetëpëlqimit dhe ndotjes morale, dhe i kalon në një gjendje pastërtie shpirtërore. I fituar është ai që e ka pastruar veten nga të gjitha këto: “Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë,”

Ai gjithashtu e pengon botën që të sundojë zemrën, duke e privuar atë nga shikimi i natyrshëm i universit dhe jetës si krijime të nënshtruara ndaj Allahut. Prandaj, ai është përpjekje dhe luftë shpirtërore për ruajtjen e së mirës, të vullnetit të Allahut dhe të sinqeritetit, jo për shuarje apo zhdukje të jetës.

O ju që besoni dhe që thërrisni në fe e përmirësim, bëhuni njerëz të Zotit, duke qenë se e mësoni Librin dhe e studioni atë.

Autor: Selman Aude

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Buhariu dhe Muslimi

[2] – Sure Alak: 6 – 7.

[3] – Ibn Asakiri.