Asnjë hap konkret për klimën, Guterres dhe Schwarzenegger akuzojnë qeveritë

Me impaktin e ndryshimeve të klimës, që po bëhet çdo ditë e më i dukshëm, yjet e kinemasë janë bashkuar me liderët politikë në Austri për të bërë thirrje për veprim.

Samiti vjetor për klimën që mbahet në Vjenë është themeluar nga aktori dhe aktivisti Arnold Schwarzenegger.

Mes folësve ishte dhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, që deklaroi se qeveritë nuk po përmbushin premtimet e tyre.

“Po e them hapur, zotimet për luftimin e klimës nuk mjaftojnë. Ky nuk është vetëm mendimi im. Shkenca dhe opinioni publik po i cilësojnë të dështuara politikat për klimën. Shkenca dhe qytetarët po kërkojnë veprime ambicioze dhe transformuese për të frenuar ndryshimet, ndërkohë që qeveritë vetëm sa po zvarriten”, u shpreh Antonio Guterres.

Me të njëjtat fjalë, Schwarzenegger akuzoi qeveritë evropiane se po zvarriten, duke mos i dhënë fund importit të karburanteve ruse, që sipas tij po përshpejtojnë ndryshimet e klimës dhe po financojnë luftën e Moskës në Ukrainë.

“S’ka rëndësi këndvështrimi, ne kemi gjak në duart tona sepse po financojmë një luftë. Duhet të rreshtim së gënjyeri vetveten. Aktualisht zotërojmë teknologjinë e duhur për të braktisur karburantet fosile dhe është detyrë morale ta përdorim atë”, tha Schwarzenegger.

Pavarësisht angazhimeve të marra në Marrëveshjen e Parisit për Klimën, bota vazhdon të shkojë drejt rritjes së temperaturave, që do të përshpejtojnë ngrohjen globale. Edhe pse mundësitë për veprim ekzistojnë, koha po mbaron. /euronews