Australi, përleshje midis policisë dhe protestuesve kundër kufizimeve anti-COVID-19

Ndërsa lufta kundër variantit Delta të koronavirusit (COVID-19) po vazhdon në Australi me masa të rrepta, një përplasje ka shpërthyer midis demonstruesve që protestonin kundër kufizimeve aktuale dhe policisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke kërkuar heqjen e ndalimeve të vendosura për shkak të pandemisë, demonstruesit u mblodhën në qytete të ndryshme të vendit dhe mbajtën protesta të paautorizuara.

Sipas policisë, 235 protestues u arrestuan në Melburn dhe 32 në Sidnei.

– Përplasje midis policisë dhe protestuesve në Melburn

Në Melburn, demonstruesit u mblodhën në lagjen Richmond pasi policia bllokoi hyrjen e transportit publik në qendrën e qytetit.

Duke kërkuar heqjen e kufizimeve, demonstruesit brohoritën: “Liri”, “Lini të lirë fëmijët tanë”, “Jo më kufizime”, “Ne nuk jemi komunistë” dhe “Ju na shërbeni ne”.

Protestuesit, të cilët deklaruan se nuk përdorin maska ​​edhe pse është e detyrueshme, hodhën objekte të ndryshme në drejtim të policisë.

Një përplasje shpërtheu pasi policia ndërhyri me gaz lotsjellës kundër demonstruesve të cilët nuk u shpërndanë pavarësisht paralajmërimeve.

Duke njoftuar se më shumë se 2.000 policë u angazhuan në protesta, Policia e Shtetit në Victoria njoftoi se 235 protestues që u përleshën me policinë u arrestuan dhe 193 persona që shkelën rregullat u gjobitën.

Për shkak të masave kundër koronavirusit, protestat nuk lejohen në New South Wales, Victoria dhe Territorin e Kryeqytetit të Australisë, të cilat janë shtete të prekura nga varianti Delta.

Në Australi, ku kufijtë e brendshëm dhe ato të jashtëm janë ende të mbyllura, gjithsej 84.056 persona janë infektuar me COVID-19 që nga 25 janari 2020, kur virusi u zbulua për herë të parë, kurse 1.150 njerëz kanë vdekur.

Nga gjithsej 20.811 raste aktive në gjithë Australinë, 1.455 po trajtohen në spital, nga të cilët 233 janë në kujdes intensiv. /aa