Autobusi me targa shqiptare përmbyset në Kroaci, vdes një person

Mediat kroate raportojnë se trafiku në autostradën A1 ndërmjet kryqëzimit Brinje dhe Ogulin në drejtim të Zagrebit është ndërprerë pas mesnate për shkak të një aksidenti trafiku.

Aksidenti ka ndodhur kur një shtetas shqiptar 58-vjeçar, i cili drejtonte një autobus me targa shqiptare, është kthyer djathtas, ka përplasur një gardh dhe është përmbysur në anën e majtë, njoftoi policia atje.

Aksidenti raportohet të ketë ndodhur rreth orës 23:43. Në momentin e aksidentit në autobus ndodheshin nëntë pasagjerë dhe shoferi, ndërsa një person ka mbetur i vdekur dhe disa të tjerë janë lënduar. Asistencë mjekësore iu ofrua në spitalet në Karlovac dhe Ogulin.

Për shkak të aksidentit, pjesa e autostradës A1 Zagreb-Split-Ploçë ndërmjet nyjeve Ogulin dhe Brinje është mbyllur në të dy drejtimet, thuhet në raportimin e medieve në Kroaci.