Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock deklaroi gjatë diskutimeve mbi NATO-n se aleanca po kërkonte të rriste ndihmën e saj për Kievin me “armë të ndryshme ushtarake”.
“Ne po shqyrtojmë nga afër me partnerët tanë se si mund ta mbështesim Ukrainën në të ardhmen, në një mënyrë më intensive dhe më të koordinuar, sepse ata kanë të drejtën e vetëmbrojtjes dhe ne do ta mbështesim këtë të drejtë për vetëmbrojtje së bashku me disa partnerë”,theksoi ajo.
‘’Këto diskutime po zhvillohen edhe mes grupit të fuqive të mëdha të G7’’, shtoi ajo.
Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba përsëriti thirrjen e tij për armë më të rënda për të ndihmuar mbrojtjen e tij kundër Rusisë në fillimin e bisedimeve sot me homologët e tij të NATO-s.
Kuleba e përshkroi axhendën e tij para takimit në Bruksel: armatime, armatime, armatime.
‘’Mënyra më e mirë për të ndihmuar Ukrainën është t’i sigurojë vendit gjithçka që i nevojitet për të vënë presidentin rus Vladimir Putin në vendin e tij dhe për të mposhtur ushtrinë ruse, shtoi ai.
Kuleba tha se ‘’Gjermania mund të bënte më shumë për sa i përket dërgesave të armëve duke pasur parasysh rezervat dhe aftësitë e saj” dhe se procesi i vendimmarrjes po zgjatet shumë.
“Ndërsa Berlini ka kohë, Kievi nuk ka kohë’’, theksoi ai. /atsh



