Baerbock: Gjermania i jep fund varësisë nga nafta dhe gazi rus

Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock deklaroi sot se vendi i saj do t’i japë fund plotësisht varësisë nga nafta dhe gazi rus.

Duke folur në një konferencë për energjinë në Berlin, Baerbock kritikoi presidentin rus, Vladimir Putin duke theksuar se lufta e tij kundër Ukrainës ka ndryshuar gjeopolitikën dhe vlerësimet e sigurisë në Gjermani.

“Lufta ruse ka shkaktur shumë vuajtje për miliona individë, por gjithashtu na bëri të qartë se ne duhet të jemi plotësisht të pavarur nga importet ruse të karburantit”, tha Baerbock.

Shefja e diplomacisë gjermane kritikoi qeveritë e mëparshme të vendit të saj për mos ndërmarrjen e masave serioze për të reduktuar varësinë e vendit nga importet e gazit, naftës dhe qymyrit rus.

Ajo tha se aneksimi i paligjshëm i Krimesë nga Rusia në vitin 2014 nxiti diskutime në Evropë për ndryshimin e importeve të energjisë, por sipas saj, qeveritë nuk ndërmorën ndonjë hap të madh.

“Ndërsa tani ne po i përjetojmë këto pasoja në mënyrë shumë tragjike”, tha Baerbock.

Rusia furnizon 55 për qind të gazit natyror, 35 për qind të naftës dhe 45 për qind të qymyrit të Gjermanisë.

Javën e kaluar, qeveria gjermane njoftoi një plan ambicioz për të reduktuar ndjeshëm varësinë e saj energjetike tashmë, prej një kohe të gjatë nga Rusia. /atsh