Bashkimi Europian arrin marrëveshjen për të siguruar paga minimale të drejta për punonjësit

Politikanët në Bruksel kanë arritur një marrëveshje për mënyrën se si vendet e BE-së do të sigurojnë paga minimale të përshtatshme, një masë kjo që do të mbrojë punonjësit në këtë periudhë të inflacionit të lartë dhe të krizës së kostos të jetesës.

Në marrëveshjen e dakordësuar ndërmjet Këshillit Europian dhe parlamentit të martën, vendet anëtare do të mbledhin të dhëna për mbulimin e pagës minimale, do të vlerësojnë çmimet për produktet e zakonshme për konsumatorët familjarë dhe do të promovojnë parimin e marrëveshjeve kolektive për të detyruar kompanitë që të paguajnë paga të drejta.

“Kjo është një ditë e mirë për Europën sociale. Kemi arritur një marrëveshje për direktivën për paga minimale të përshtatshme në BE. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kohët që po kalojmë, ku shumë familje janë të shqetësuara se mund të mos t’ia dalin mbanë”, tha Nicolas Schmit, komisioneri europian për punën dhe të drejtat sociale.

Eurodeputetët, vendet anëtare dhe Komisioni Europian ranë dakord për të krijuar një kornizë për përcaktimin e pagave minimale statutore. Ato përfshijnë detyrimin e shteteve anëtare për të vendosur kritere të qarta për përditësimin e pagave minimale çdo dy deri në katër vjet, si dhe krijimin e organeve këshillomore ku “partnerët socialë”, si për shembull sindikatat, të mund të marrin pjesë.

Vendet e BE-së gjithashtu do të duhet të mbledhin të dhëna për mbulimin dhe përshtatshmërinë e pagës minimale, si dhe të sigurohen që punonjësit të kenë akses në mekanizmat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, tha organi ekzekutiv i BE-së.

“Rregullat e reja do të mbrojnë dinjitetin e punës dhe do të sigurojnë që puna të paguhet”, tha presidentja e komisionit, Ursula von der Leyen, në një mesazh në Twitter.

Kjo marrëveshje pritet të nënshkruhet nga parlamenti dhe vendet anëtare këtë muaj, dhe më pas do të publikohet në fletoren zyrtare të BE-së. Vendet anëtare do të kenë dy vite kohë për të zbatuar këto rregulla, pas publikimit të tyre.

Ligji i ri do të përfshijë dispozita për nxitjen dhe lehtësimin e marrëveshjeve kolektive mbi pagat nga sindikatat dhe punëdhënësit në të gjitha shtetet anëtare.

“Vendet me nivel të lartë të marrëveshjeve kolektive priren të kenë një përqindje më të ulët të punonjësve me paga të ulëta, më pak pabarazi në nivelin e pagave, si dhe paga më të larta,” tha komisioni. Shtetet anëtare, të cilat e kanë mbulimin e marrëveshjeve kolektive më pak se 80 për qind të punonjësve, do të duhet të krijojnë një plan për të lehtësuar këto bisedime midis punëdhënësve dhe punonjësve, shtoi komisioni.

Agnes Jongerius, një nga eurodeputetet që mbështet ligjin e propozuar në parlament, tha: “Në dekadën e fundit, pagat nuk janë rritur në të njëjtin nivel me produktivitetin. Punonjësit kanë marrë një pjesë më të vogël të tortës. Kjo është veçanërisht e vërtetë për ata që kanë pagat më të ulëta.”

Ajo tha se punonjësit kishin qenë viktima të politikëbërësve që nxisnin reduktimin e sistemeve të mirëqenies, pas krizës financiare globale.

Megjithëse direktiva ka nevojë vetëm për një shumicë të cilësuar votash nga vendet anëtare për t’u miratuar, Danimarka me shumë mundësi do të votojë kundër saj, duke i qëndruar parimit se BE-ja nuk duhet të ndërhyjë në çështjet që lidhen me pagat. Vitet e fundit, edhe vende të tjera nordike kanë shprehur shqetësime se një ligj i tillë do të minonte sistemet e tyre të marrëveshjeve kolektive.

Komisioni, parlamenti dhe vendet anëtare janë shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje për një ligj që detyron kompanitë që të vendosin objektivin për të arritur një pjesëmarrje prej 40 përqind të grave në bordet e tyre. Komisioni e propozoi për herë të parë këtë direktivë në vitin 2012, por ajo hasi në kundërshtimin e disa vendeve duke përfshirë Gjermaninë dhe disa shtete nordike dhe baltike. /monitor