BE do të sigurojë 651.000 doza të vaksinës për Ballkanin Perëndimor

Bashkimi Evropian do të dërgojë 651.000 doza të vaksinës kundër COVID-19 për vendet e Ballkanit Perëndimor, transmeton Anadolu Agency (AA).

“651.000 doza të BioNTech/Pfizer të financuara nga Komisioni Evropian do të ndahen me lehtësimin e Austrisë. Dorëzimi i parë për të gjithë partnerët në rajon pritet në maj, për të vazhduar deri në gusht”, thuhet në njoftim.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se dozat e vaksinës që do të dërgohen nga blloku do të ndihmojnë në vaksinimin e punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe personave tjerë në rajon.

“Bashkimi Evropian qëndron pranë partnerëve tanë në rajon, të cilët kanë kërkuar nga ne mbështetje. Dëshiroj të falënderoj Austrinë për lehtësimin e këtij transferimi, duke treguar angazhimin dhe solidaritetin e saj të vendosur me Ballkanin Perëndimor”, theksoi ajo.

Shqipëria do të marrë 145.000 doza vaksinash, 95.000 Kosova, 119.000 Maqedonia e Veriut, 36.000 Serbia, 42.000 Mali i Zi, ndërsa Bosnja e Hercegovina do të marrë 214.000 doza. /aa