BE-ja do të miratojë pako shpëtimi prej 540 miliardë euro për COVID-19

Ministrat e Financave të Eurozonës pas një diskutimi prej rreth 20 orësh dje janë dakorduar për një pako shpëtimi prej 540 miliardë euro për koronavirusin e ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidenti i Eurogroupit, Mario Centeno, në një konferencë për media pas përfundimit të telekonferencës së përbashkët, tha se plani i shpëtimit ka tre shtylla.

Centeno do t’u ndihmojë punëtorëve, bizneseve dhe sistemeve shëndetësore të vendeve anëtare.

Skema afatshkurtër për punësimin në vlerë prej 100 miliardë eurove ka për qëllim të parandalojë humbjen e miliona vendeve të punës.

Banka Evropiane e Investimeve do të japë kredi në vlerë prej 200 miliardë euro për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme evropiane.

Shtetet anëtare mund të kërkojnë kredi deri në 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) së tyre nga Mekanizmi Evropian i Stabilitetit (ESM), një fond shpëtimi i krijuar pas krizës ekonomike të vitit 2008.

Në total, deri në 240 miliardë euro në financim mund të sigurohen përmes ESM-së.

Kreditë e ESM-së mund të përdoren vetëm për financimin e shëndetësisë, shërimit apo kostove që ndërlidhen me parandalimin. Procedura do të monitorohet nga Komisioni Evropian.

Liderët e BE-së janë përpjekur me javë të tëra për të arritur një marrëveshje mbi masat e shpëtimit që synojnë të ndihmojnë vendet më të goditura nga pasoja ekonomike nga koronavirusi.

Ndarja kryesore ishte midis shteteve jugore të Italisë, Spanjës dhe Francës dhe vendeve veriperëndimore të Gjermanisë, Holandës, Austrisë dhe Finlandës.

Përderisa vendet mesdhetare këmbëngulnin për të filluar një program të rimëkëmbjes ekonomike të BE-së, të financuar nga eurobonot, grupi tjetër këmbëngulte në refuzimin e borxhit të përbashkët.

Ministrat e Eurozonës tashmë kanë mbajtur një video-konferencë në fillim të kësaj jave, por ndarjet në qëndrime i parandaluan ata të arrinin në një përfundim.

Italia dhe Spanja refuzuan kushtëzimin dhe kërkuan më shumë solidaritet për rimëkëmbjen ekonomike.

Vendet mesdhetare duket se e kanë pranuar kushtëzimin pas ditëve të bllokimit.

Nga ana tjetër, ministrat e Financave premtuan “të vazhdojnë të punojnë në një fond të rimëkëmbjes”.

Ministrat e Financave të Eurozonës sot do të diskutojnë marrëveshjen me homologët e tyre nga vendet anëtare të BE-së që nuk përdorin monedhën e përbashkët.

Pasi për herë të parë u shfaq në Wuhan të Kinës, virusi është përhapur në mbarë botën me epiqendër të re Evropën, pasi Kina kryesisht ka dalë nga kriza.

Bazuar në të dhënat nga Universiteti “Johns Hopkins” me qendër në SHBA, deri më tani nga virusi kanë vdekur mbi 95 mijë persona dhe janë infektuar mbi 1.6 milionë, ndërkohë janë shëruar mbi 345 mijë.