BE-ja miraton 170 milionë dollarë fonde shtesë për refugjatët në Turqi

Komiteti buxhetor i Parlamentit Evropian miratoi sot 149.6 milionë euro (170 milionë dollarë) fonde shtesë për ndihmën e refugjatëve sirianë në Turqi, njoftoi PE, transmeton Anadolu Agency (AA).

Me financimin shtesë, blloku synon të ofrojë “mbështetje të vazhdueshme humanitare për më të cenuarit nga rreth 3.7 milionë refugjatët sirianë në Turqi që u larguan nga konflikti i vazhdueshëm që ka shkatërruar vendin e tyre për më shumë se 10 vjet”, thuhet në një njoftim për media.

Mbështetja financiare do të zgjasë programin shumë qëllimesh të asistencës në para të bllokut, i cili ofron transferta mujore për personat në nevojë, deri në fillim të vitit 2023.

Skema e quajtur zyrtarisht Rrjeti i Sigurisë Sociale të Emergjencave, është programi më i madh humanitar në historinë e bllokut dhe ka ndihmuar 1.8 milionë refugjatë të mbulojnë nevojat thelbësore si qiraja, faturat, ushqimi dhe ilaçet.

Shtesa prej 149.6 milionë euro do të financohet nga teprica e mbetur e buxhetit të vitit 2021, por sipas vlerësimeve të Komisionit Evropian, programi i zgjeruar i ndihmës në para do të kërkojë në total 325 milionë euro deri në fillim të vitit 2023.

Pas rekomandimit të komitetit buxhetor, deputetët e BE-së pritet të miratojnë zyrtarisht mbështetjen në seancën e tyre të përgjithshme javën e ardhshme.

Vendet anëtare të BE-së tashmë kanë miratuar një zgjatje të ndihmës humanitare në shtator.

Turqia është vendi me numrin më të madh të refugjatëve sirianë që ka strehuar, duke siguruar mbrojtje për afro 4 milionë njerëz që ikën nga lufta civile, më shumë se çdo vend tjetër në botë. /aa