BE-ja: Turqia mbetet partner kyç në emigracion, antiterrorizëm, ekonomi, tregti, energji e transport

Ky vlerësim i Oliver Varhelyit erdhi gjatë një konference për shtyp të martën, pas shpalljes së raporteve të përgatitura nga Komisioni i BE-së për vendet e përfshira në paketën e zgjerimit të Unionit.

“Turqia mbetet një partner kyç në fushat me interes të përbashkët si emigracioni, antiterrorizmi, ekonomia, tregtia, energjia dhe transporti”, u shpreh ai.

Duke theksuar se dialogë të nivelit të lartë mbi klimën dhe emigracionin po kryhen në këtë kontekst, Varhelyi bëri me dije se këto do të pasohen së shpejti edhe nga një dialog i nivelit të lartë në fushën e shëndetësisë.

Pasi rikujtoi se negociatat Turqi-BE arritën pikën e ndaljes në qershor 2019, eurokomisioneri për Zgjerimin tha se megjithatë bashkëpunimi dhe dialogu me Turqinë është rritur në vitin 2021.

Gjithashtu në prezantimin që ai bëri në Parlamentin Evropian mbi raportet e vendeve, diplomati hungarez theksoi se BE-ja është e gatshme të bashkëpunojë me Turqinë në mënyrë proporcionale, graduale dhe të kthyeshme.

Duke vënë në pah se Unioni e mirëpriti ratifikimin e Marrëveshjes së Parisit nga Turqia, Varhelyi argumentoi se Ankaraja nuk i ka eliminuar ende shqetësimet e BE-së në lidhje me sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe gjyqësorin.

Ai nënvizoi po ashtu se marrëveshja e 18 marsit (2016 ndërmjet Turqisë dhe BE-së) për emigracionin ka dhënë rezultate dhe se Turqia, përveçse luan një rol kyç në Mesdheun Lindor për parandalimin e emigracionit të parregullt, është edhe vendi që pret numrin më të madh të refugjatëve.

Varhelyi njoftoi se BE-ja do të ofrojë sisteme për menaxhimin e emigracionit dhe kontrollin kufitar, veçanërisht në kufijtë lindorë të Turqisë. /trt