BE premton mbi 2 miliardë dollarë në konferencën e donatorëve të Sirisë

Bashkimi Evropian (BE) ka premtuar 2.1 miliardë dollarë në mbështetje për refugjatët sirianë dhe komunitetet pritëse të tyre për vitet 2023 dhe 2024, transmeton Anadolu.

Duke folur në konferencën e 7-të të Brukselit për mbështetjen e të ardhmes së Sirisë dhe rajonit, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të vazhdojë të ofrojë ndihmë për popullin sirian dhe vendet fqinje.

Borrell njoftoi se BE-ja për vitin 2024 do të shtojë “560 milionë euro në 1.5 miliardë euro mbështetje për të mirën e sirianë në Siri, për të mirën e refugjatëve dhe komuniteteve pritëse të tyre në rajon”.

Ai po ashtu lavdëroi vendet fqinje, Türkiye-n, Libanin, Irakun dhe Jordaninë që mbajnë “barrën e rëndë dhe vazhdojnë të kujdeset për 7 milionë refugjatët sirianë”. Borrell theksoi se BE-ja do të vazhdojë të punojë me Türkiye-n për të siguruar dhënien e ndihmës ndërkufitare për Sirinë.

Shefi i diplomacisë evropiane tha se qëndrimi i BE-së ndaj regjimit të Bashar al-Asadit mbetet i pandryshuar dhe se blloku evropian nuk ka ndërmend të normalizojë marrëdhëniet apo të ulë sanksionet derisa regjimi të fillojë zbatimin e rezolutës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për zgjidhje politike gjithëpërfshirëse.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së pohoi se blloku “nuk do të heq dorë nga angazhimi ndaj reformave të vërteta politike” që Sirisë i duhen pas një konflikti më shumë se 10-vjeçar. Organizuar në Parlamentin Evropian, dje dhe sot, konferenca synon të mbledhë fonde për refugjatët sirianë dhe të japë platformë për palët kryesore të interesuara nga rajoni dhe organizatat ndërkombëtare.

Vitin e kaluar, donatorët premtuan mbi 6.7 miliardë euro për refugjatët sirianë dhe komunitetet pritëse të tyre. Siria është përfshirë nga një luftë e egër civile që nga viti 2011, kur regjimi sirian shtypi protestat pro-demokratike.

Sipas shifrave të BE-së, që atëherë mbi 300 mijë njerëz janë vrarë dhe mbi 12 milionë të tjerë janë larguar nga shtëpitë e tyre, duke u kthyer në refugjatë ose të zhvendosur brenda vendit. Türkiye është vendi me numrin më të madh të refugjatëve sirianë dhe ofron mbrojtje ndërkombëtare për afër 4 milionë njerëz që u larguan nga vendi fqinj.