Komisioni Evropian ka bërë të ditur se autoritetet kombëtare kufitare mund të pezullojnë përkohësisht mbledhjen e të dhënave biometrike në kuadër të sistemit të ri të hyrjes dhe daljes (EES) të Bashkimit Evropian (BE), kur pikat kufitare përballen me fluks jashtëzakonisht të lartë, teksa shtohen shqetësimet për vonesa në udhëtime gjatë sezonit kulmor të verës, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media zëdhënësi i Komisionit Evropian, Markus Lammert, tha se sistemi EES përfshin fleksibilitet të integruar për të ndihmuar në menaxhimin e mbingarkesës gjatë verës së parë të funksionimit të tij.
“Kur ka situata me presion jashtëzakonisht të lartë në një pikë të caktuar kufitare, ekziston mundësia që regjistrimi i të dhënave biometrike të pezullohet përkohësisht”, tha Lammert.
Ai theksoi se kjo masë zbatohet vetëm për mbledhjen e fotografisë së fytyrës dhe gjurmëve të gishtërinjve, të cilat kërkohen gjatë hyrjes së parë të një udhëtari në sistem dhe nuk nënkupton pezullimin e kontrolleve kufitare.
“Pezullimi i regjistrimit biometrik nuk do të thotë pezullim i sistemit. Kontrolli do të vazhdojë të kryhet gjithmonë. Thjesht, ky regjistrim shtesë i fotografisë së fytyrës dhe gjurmëve të gishtërinjve mund të pezullohet”, shpjegoi ai.
Lammert tha se vendimi u takon autoriteteve kombëtare kufitare, të cilat mund ta zbatojnë këtë masë sipas nevojës kur koha e pritjes bëhet e tepërt.
EES, sistemi i ri digjital i BE-së për menaxhimin e kufijve për shtetasit e vendeve jo-anëtare të BE-së, zëvendëson vulosjen e pasaportave me regjistrimin elektronik të të dhënave të hyrjes dhe daljes së udhëtarëve, përfshirë të dhënat biometrike të mbledhura gjatë regjistrimit të parë.
Lammert tha se Komisioni Evropian ka bashkëpunuar ngushtë me shtetet anëtare për të minimizuar ndërprerjet dhe ka zhvilluar një takim teknik me industrinë e aviacionit përpara sezonit veror të udhëtimeve.
Ai tha se shumë nga sfidat operacionale të raportuara në disa aeroporte lidhen me probleme ekzistuese, përfshirë mungesën e personelit, kufizimet infrastrukturore dhe hapësirën e pamjaftueshme dhe jo me vetë sistemin EES.
Ai shtoi se agjencia evropiane e rojeve kufitare Frontex është e gatshme të dërgojë staf shtesë në aeroportet më të ngarkuara dhe të mbështesë zbatimin e një aplikacioni për para-regjistrim në të gjitha shtetet anëtare.
Komisioni Evropian gjithashtu mbrojti përfitimet e sistemit të ri në aspektin e sigurisë, ndërsa Lammert tha se ai ka ndihmuar tashmë në identifikimin e më shumë se 1.000 personave që paraqisnin rrezik për sigurinë, duke përdorur verifikimin biometrik të identitetit.





