Ushtria gjermane fillon zyrtarisht tërheqjen nga Afganistani

Ushtria gjermane filloi sot zyrtarisht tërheqjen e saj nga Afganistani, duke i dhënë fund një dislokimi që zgjati gati 20 vjet.

“Misioni ynë në Afganistan ka mbaruar”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes në Berlin, duke konfirmuar deklaratat e mëparshme se kontigjenti prej pak më shumë se 1 000 trupash do të largohej pas vendimit të presidentit amerikan, Joe Biden, për të tërhequr kontigjentin shumë më të madh të SHBA-së.

Misioni i NATO-s “Mbështetja e Vendosur”, të cilit Gjermania i kontribuoi kontigjentin e dytë më të madh, është planifikuar të largohet nga vendi më së voni deri në shtator.

Sipas informacioneve nga media gjermane, ministrja e Mbrojtjes Annegret Kramp-Karrenbauer ka urdhëruar forcat speciale të Gjermanisë KSK të ndihmojnë në mbulimin e tërheqjes, mes frikës se talebanët mund të përfitojnë nga numri në rënie i trupave.

Ushtria do të tërheqë më shumë se 100 automjete dhe helikopterë, plus një total prej rreth 800 kontejnerësh /ata