Blinken: Jam i bindur se Rusia do të dështojë në Ukrainë

“Unë kam bindjen se (presidenti rus Vladimir) Putin do të dështojë dhe se çfarëdo që të jenë përfitimet e tij taktike në afat të shkurtër, Rusia do të pësojë një disfatë strategjike në Ukrainë”, deklaroi kryediplomati amerikan

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se është i bindur se Rusia do të dështojë në luftën e saj në Ukrainë, duke pësuar një “disfatë strategjike”, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë shtypi me homologen britanike Elizabeth Truss pas një takimi dypalësh në Washington, Blinken deklaroi se Rusia është përballur me shumë dështime në planin e saj ushtarak deri më tani në Ukrainë.

“Populli ukrainas nuk do të pranojë një regjim kukull të vendosur nga forcat ruse duke qëndruar në Ukrainë. Në këtë rast, lufta do të jetë e gjatë, e përgjakshme dhe rraskapitëse, në të cilën Rusia do të vazhdojë ta vuajë”, paralajmëroi kryediplomati amerikan.

Ai nënvizoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin popullin ukrainas përballë sulmeve ruse.

“Unë kam bindjen se (presidenti rus Vladimir) Putin do të dështojë dhe se çfarëdo që të jenë përfitimet e tij taktike në afat të shkurtër, Rusia do të pësojë një disfatë strategjike në Ukrainë”, deklaroi Blinken. /aa