Me bojkotin e opozitës, në Egjipt po mbahen zgjedhjet presidenciale

Sot në mëngjes në Egjipt filluan zgjedhjet presidenciale tre-ditore të cilat në masë të madhe bojkotohen nga opozita.

Qendrat e votimit në të gjitha provincat egjiptiane janë hapur në ora 9 të mëngjesit, sipas kohës lokale, dhe votuesit do të mund të votojnë në tri ditët e ardhshme.

Në garën presidenciale në Egjipt garojnë dy kandidatët, presidenti aktual Abdel Fattah al-Sisi dhe kryetari i Partisë “Nesër” Musa Mustafa Musa, raporton Anadolu Agency (AA).

Të drejtën për të votuar e kanë afër 60 milionë votues në Egjipt dhe jashtë vendit kurse në gjithë vendin mëngjesin e sotëm janë hapur në total 13.687 vendvotime.

Në procesin zgjedhor, janë angazhuar 103 mijë zyrtarë ndërsa procesi mbikëqyret nga 18.678 zyrtarë gjyqësorë.

Zgjedhjet në Egjipt ndiqen edhe nga nëntë organizata të huaja dhe 680 gazetarë të huaj të akredituar.

Partitë dhe grupet e opozitës, përfshirë edhe Vëllazërinë Muslimane (Ihvan), pothuajse në tërësi bojkotojnë zgjedhjet.

Kandidati presidencial Musa, i vetmi rival i presidentit aktual al-Sisi, në qarqet opozitare konsiderohet si një politikan i parëndësishëm, të cilin struktura egjiptiane në pushtet e ka instaluar që të krijohet përshtypja e garës në procesin zgjedhor.

Analistët parashikojnë se Al-Sisi që në raundin e parë do të festojë fitoren me shumicë absolute.

Diaspora egjiptiane votoi javën e kaluar dhe norma e daljes ishte nën pritje. Rezultatet e zgjedhjeve do të shpallen më 2 prill.