Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Bomba amerikane u përdorën në sulmin ndaj shkollës Fahmi al-Jarjawi në Gaza

Bomba amerikane u përdorën në sulmin ndaj shkollës Fahmi al-Jarjawi në Gaza

Njësia e verifikimit të fakteve Sanad e Al Jazeera-s ka siguruar imazhe ekskluzive të mbetjeve të armëve të përdorura nga ushtria izraelite gjatë bombardimit të shkollës Fahmi al-Jarjawi në lagjen Daraj të qytetit të Gazës, të dielën.

Fragmentet i përkisnin bombave të drejtuara GBU-39 SDB, të prodhuara në SHBA, të cilat janë identifikuar në disa sulme të mëparshme në Gaza. Eksperti amerikan i municioneve Trevor Ball konfirmoi rezultatet e Sanad-it.

Izraeli i importon këto bomba nga kompania amerikane Boeing, dhe hetime të shumta kanë dokumentuar përdorimin e tyre në sulme ndaj kampeve të të zhvendosurve në Gaza qendrore dhe jugore.

Pas lëshimit nga avionët, bomba hap krahët dhe përdor një sistem GPS për të korrigjuar me saktësi trajektoren drejt objektivit. Ajo është pajisur me një lëndë shpërthyese të aftë për të depërtuar në struktura të fortifikuara si betoni i përforcuar përpara shpërthimit.

Pamjet e analizuar nga vendi i sulmit tregojnë se bomba depërtoi përmes çatisë dhe katit të parë të shkollës, përpara se të shpërthente në katin përdhes, duke vrarë të paktën 36 persona.

I njëjti lloj bombe u përdor edhe në sulmin ndaj shkollës al-Tabin në qytetin e Gazës në gusht, ku sipas Zyrës së Medias së Qeverisë së Gazës humbën jetën 100 persona.

Në shkurt, SHBA miratoi shitjen e 2,166 bombave GBU-39 SDB për Izraelin, në një marrëveshje me vlerë 6.75 miliardë dollarë, sipas faqes zyrtare të Agjencisë Amerikane për Bashkëpunim në Sigurinë e Mbrojtjes. /mesazhi