Borrell dhe ministri i Jashtëm saudit diskutuan për zhvillimet në Lindjen e Mesme

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell dhe ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite diskutuan rreth zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.

Në një postim nga llogaria e tij në median sociale, Borrell vuri në dukje se ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, Faisal bin Farhan.

Në postim thuhet se Borrell dhe Bin Farhan ndajnë të njëjtat vlera për “punën urgjente së bashku për të gjetur mënyrat për të ulur tensionet dhe për t’i dhënë fund krizës në Lindjen e Mesme”.

Shefi i diplomacisë evropiane tha se Forumi i Sigurisë i Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) dhe BE-së, që do të mbahet në Luksemburg është mundësi e mirë për të rritur bashkëpunimin në këtë çështje. Forumi BE-GCC me temë sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal i cili do të kryesohet nga Borrell do të mbahet më 22 prill.

Në forum do të marrin pjesë ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së dhe GCC-së, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për rajonin e Gjirit, Luigi Di Maio, kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Katarit, që ka presidencën e radhës në GCC, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani dhe sekretari i Përgjithshëm i GCC-së, Jasem Mohamed Al-Budaywi.