Britani – Dhjetëra mijëra protestues kërkojnë veprime urgjente për klimën

Dhjetëra mijëra protestues kanë dalë dje në rrugët e Britanisë së Madhe për të kërkuar veprime më të forta për klimën nga liderët, në ndërkohë të bisedimeve të samitit të COP26.

Protestuesit marshuan edhe në Glasgou, ku po mbahet konferenca e OKB-së për klimën, ndërsa marshime të tjera u zhvilluan në qendër të Londrës dhe në qytete të tjera anembanë Mbretërisë së Bashkuar dhe botës.

Grupe mjedisore, bamirëse, aktivistë të klimës, sindikalistë dhe indigjenë, të gjithë iu bashkuan marshimit në Glasgou.

Protestuesit thanë se ishin të lodhur nga veprimet e liderëve ndaj klimës duke i bërë kështu jehonë kritikave të COP26 dhe udhëheqësve botërorë nga aktivistja Greta Thunberg.

“Ka shumë fjalë, por ne në të vërtetë kemi nevojë për veprime. Ne duam fundin e karburanteve fosile sa më shpejt të jetë e mundur”, tha një protestues.

Policia refuzoi të vlerësonte sa njerëz po marshonin, por organizatorët e Koalicionit COP26 pretenduan se më shumë se 100 000 njerëz kishin dalë pavarësisht motit.

Asad Rehman, zëdhënës i Koalicionit COP26, tha se “mijëra njerëz dolën në rrugë sot në çdo kontinent duke kërkuar që qeveritë të kalojnë nga mosveprimi klimatik në drejtësinë klimatike”.

“Ne nuk do të tolerojmë më fjalë të ngrohta dhe objektiva afatgjatë, ne duam veprim tani”, theksoi ai. /atsh