Sekretarja e Jashtme Britanike, Yvette Cooper, përshëndeti të hënën rihapjen e pikës së kalimit Rafah në kufirin Egjipt-Gazë, por tha se “shumë më tepër” duhet bërë ende për të adresuar nevojat urgjente të palestinezëve, transmeton Anadolu.
“Unë e mirëpres rihapjen e Rafah që njerëzit të kalojnë në të dyja anët në këmbë, duke u lejuar disave që kanë nevojë të madhe të kenë akses në kujdes mjekësor në Egjipt”, shkroi Cooper në platformën e mediave sociale të kompaninë amerikane X.
Kalimi Rafah në kufirin Egjipt-Gazë rifilloi zyrtarisht operacionet të hënën, me 50 persona që pritet të largohen nga Gaza dhe 50 të tjerë që do të kthehen, sipas mediave shtetërore egjiptiane.
“Por ende shumë më tepër duhet bërë”, tha sekretarja e Jashtme britanike, duke theksuar se ndihma duhet të rrjedhë, kufizimet në furnizimet thelbësore duhet të lehtësohen dhe punonjësit e ndihmës duhet të lejohen të veprojnë.
Ministri për Lindjen e Mesme, Hamish Falconer, bëri thirrje për rihapjen e plotë të “të gjitha pikave të kalimit” për të lejuar akses më të madh humanitar.
“Të sjellësh banorët e Gazës në kujdesin mjekësor që ata kanë kaq shumë nevojë është thelbësore”, tha ai në X, duke cituar postimin e Cooper.
Sipas mediave izraelite, rreth 150 pacientë dhe shoqëruesit e tyre pritet të largohen nga Gaza për trajtim mjekësor në Egjipt, ndërsa rreth 50 palestinezë pritet të hyjnë në enklavë. Zyrtarët e shëndetësisë në Gaza vlerësojnë se afërsisht 22.000 pacientë presin rihapjen e plotë të kalimit kufitar.
Izraeli ka kontrolluar anën palestineze të kalimit kufitar Rafah që nga maji 2024, gjatë fushatës së tij ushtarake në Gaza që filloi në tetor 2023.
Izraeli ka vazhduar të kryejë qindra shkelje të armëpushimit që kur armëpushimi hyri në fuqi, duke përfshirë granatime dhe të shtëna me armë zjarri që kanë vrarë dhe plagosur qindra civilë palestinezë.
Shkeljet kanë vazhduar pavarësisht njoftimit të administratës amerikane në janar se faza e dytë e marrëveshjes së armëpushimit kishte filluar. Kjo fazë përfshin tërheqje shtesë izraelite nga Gaza dhe nisjen e përpjekjeve të rindërtimit, të cilat Kombet e Bashkuara vlerësojnë se do të kushtojnë rreth 70 miliardë dollarë.
Armëpushimi i dha fund një ofensive izraelite që filloi më 8 tetor 2023 dhe zgjati gati dy vjet, duke vrarë më shumë se 71.000 palestinezë dhe duke plagosur mbi 171.000 të tjerë, ndërsa shkatërroi rreth 90 për qind të infrastrukturës së Gazës.





